
Një aksident rrugor është regjistruar këtë të enjte pranë një pike karburanti në qytetin e Elbasanit, ku një autobus që transportonte fëmijë të një ekipi basketbolli është përplasur me një automjet tip “Toyota”.
Nga pamjet e siguruara nga vendngjarja, përplasja rezulton të ketë qenë e fortë. Pas goditjes me automjetin, autobusi ka humbur drejtimin, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me tabelën e çmimeve të karburantit që ndodhej pranë.
Si pasojë e aksidentit, i plagosur ka mbetur drejtuesi i automjetit tip “Toyota”, i cili është transportuar në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Gjendja e tij shëndetësore nuk bëhet ende e ditur.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë një manovër e gabuar parakalimi nga ana e automjetit “Toyota”, çka ka sjellë përplasjen me autobusin.
Fatmirësisht, fëmijët e ekipit të basketbollit që udhëtonin me autobusin nuk kanë pësuar dëmtime nga aksidenti.
Lini një Përgjigje