TAGS-AT E JAVËS

Sport17 Qershor 2026, 21:03

Kongo ul me këmbë në tokë Kristiano Ronaldon me shokë, Portugalia zhgënjen në ndeshjen e parë të Kupës së Botës (Video)

Shkruar nga Pamfleti
Kongo ul me këmbë në tokë Kristiano Ronaldon me shokë,
Portugali-Kongo

Portugalia e ka nisur me një hap fals aventurën e saj në Botëror, duke mos shkuar më shumë se një barazim 1-1 ndaj Republikës Demokratike të Kongos në ndeshjen e parë të Grupit K, të zhvilluar në Houston.

Skuadra portugeze e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme takimin, duke kaluar në avantazh që në minutën e 6-të. Pas një krosimi të saktë nga Pedro Neto, Zhoao Neves u gjend në vendin e duhur dhe me një goditje me kokë dërgoi topin në rrjetë për 1-0.


Kongo reagoi shpejt dhe në minutën e 11-të iu afrua barazimit me Joan Uisa, por tentativa e tij përfundoi pranë shtyllës së majtë. Minutat e mëpasshme u karakterizuan nga ritëm më i ulët dhe pak raste të pastra shënimi, deri në fundin e pjesës së parë.

Në kohën shtesë të fraksionit të parë, afrikanët rikthyen ekuilibrat. Artur Masuaku harkoi në zonë, ndërsa Joan Uisa realizoi me kokë për rezultatin 1-1, me të cilin skuadrat iu drejtuan dhomave të zhveshjes.


Në pjesën e dytë, Portugalia mendoi se kishte rimarrë avantazhin në minutën e 55-të me Zhoao Kançelon, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Vetëm dy minuta më vonë, Kongo ishte shumë pranë golit të dytë, por goditja e Çedriç Bakambu u ndal nga shtylla.

Portugalia shtoi presionin në kërkim të fitores dhe krijoi dy mundësi të arta me Kristiano Ronaldon në minutat 69 dhe 74, por sulmuesi nuk arriti të finalizonte pas asistimeve të Françisko Konseisaos.

Edhe Kongo pati rastin e saj për të marrë tri pikët, kur në minutën e 77-të Noah Sadiki provoi nga afër zonës, por topi kaloi ngjitur me shtyllën e majtë.

Në minutën e parë shtesë të pjesës së dytë, Bruno Fernandes tentoi të vendoste fatin e sfidës me një goditje nga distanca, por topi përfundoi shumë pranë shtyllës së djathtë.

Në fund, sfida e zhvilluar në Houston u mbyll në barazim 1-1, një rezultat që konsiderohet surprizë, duke pasur parasysh statusin e Portugalisë si një nga pretendentet kryesore të turneut.

portugalia kongo kupa e botës

Lini një Përgjigje