Qeveria italiane ka pranuar se bilanci i shpenzimeve të mbrojtjes nuk është mbresëlënës, por se vendi “nuk është duarbosh” për t’u paraqitur me krenari në tryezën e NATO-s.
Zyrtarë të qeverisë italiane justifikojnë situatën duke sjellë shembuj nga vende të tjera anëtare, duke deklaruar se “holandezët kanë përfshirë në shpenzimet e NATO-s edhe fondet e pensioneve të ushtarakëve, dhe askush nuk i ka kundërshtuar”.
Në prag të samitit të Aleancës në Ankara, ku liderët do të mblidhen për një darkë zyrtare përballë presidentit amerikan Donald Trump, pritet të zhvillohet edhe një garë e heshtur mes shteteve anëtare për të treguar përparimin e tyre në përmbushjen e angazhimeve të mbrojtjes.
Sipas objektivave të rënë dakord në samitin e Hagës vitin e kaluar, vendet e NATO-s janë angazhuar të rrisin gradualisht shpenzimet e mbrojtjes deri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035, një objektiv i shtyrë kryesisht nga Shtetet e Bashkuara.
Aktualisht, Italia paraqitet me një nivel shpenzimesh prej rreth 2.8% të PBB-së, ndërsa një pjesë e planeve të reja mbeten të pasigurta për shkak të ngrirjes së disa programeve ushtarake në muajt e fundit.
Synimi për një rritje të mëtejshme prej rreth 0.5% në periudhën 2027–2029, që do të përkthehej në mbi 12 miliardë euro shtesë, konsiderohet ende vetëm një plan afatmesëm me realizueshmëri të paqartë, duke marrë parasysh gjendjen e financave publike.
Kryeministrja Giorgia Meloni ka deklaruar se vendi ka bërë një rritje të fundit prej 0.7%, por sipas kritikëve, kjo rritje përfshin kryesisht shpenzime të përgjithshme për sigurinë dhe jo shpenzime ushtarake në kuptimin e ngushtë.
Në vitet e kaluara, Italia kishte rritur nivelin e shpenzimeve duke përfshirë edhe kategori si Garda Bregdetare, një metodologji që ishte pranuar në nivel teknik nga NATO.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse rritja e fundit do të pranohet plotësisht nga aleanca, pasi nuk është specifikuar qartë se cilat zëra përfshihen në këtë 0.7% shtesë.
Në këtë kontekst, ekspertët paralajmërojnë se paqartësitë dhe vonesat në investimet e mbrojtjes mund të ushqejnë narrativën e presidentit amerikan Donald Trump, sipas të cilit barra e sigurisë së Evropës mbetet kryesisht mbi Shtetet e Bashkuara.
Lini një Përgjigje