Presidenti amerikan do të qëndrojë në një suitë presidenciale të fortifikuar, ndërsa autoritetet turke dhe Shërbimi Sekret i SHBA-së kanë vendosur masa sigurie të paprecedenta për samitin e 7–8 korrikut.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pritet të mbërrijë të martën në Ankara për Samitin e NATO-s, i shoqëruar nga një delegacion prej rreth 1.000 personash. Sipas mediave turke, autoritetet e Turqisë dhe Shërbimi Sekret amerikan kanë zbatuar masa të jashtëzakonshme sigurie për vizitën.
Sipas CNN Türk, automjetet speciale që do të përdorë presidenti amerikan janë transportuar tashmë në kryeqytetin turk, ndërsa edhe helikopteri i tij ka mbërritur i çmontuar për t'u montuar në vend.
Hoteli ku do të akomodohet Trump është vënë nën masa të rrepta sigurie dhe është kthyer në një zonë të fortifikuar. Agjentët amerikanë kanë kryer kontrolle të gjera brenda hotelit dhe në zonën përreth.
Trump do të qëndrojë në suitën presidenciale, me sipërfaqe rreth 190 metra katrorë, e cila përfshin dhomë gjumi, sallon, zyrë private dhe hapësirë pune. Sipas CNN Türk, dritaret janë antiplumb, ndërsa muret janë projektuar për t'i rezistuar shpërthimeve.
Hoteli 23-katësh është izoluar plotësisht përpara mbërritjes së presidentit amerikan, ndërsa pjesëtarët e delegacionit amerikan kanë nisur të mbërrijnë në Ankara.
Zona përreth hotelit ruhet nga Shërbimi Sekret, forcat speciale dhe njësitë e policisë, ndërsa rrugët përreth janë bllokuar me barriera sigurie. CNN Türk raportoi se masat janë aq të rrepta saqë "nuk lejohet asnjë zog të fluturojë", një shprehje që përdoret për të përshkruar nivelin maksimal të kontrollit.
Hoteli ndodhet pranë Ambasadës së SHBA-së dhe në afërsi të Kompleksit Presidencial, ku do të zhvillohen takimet kryesore të samitit. Pas përfundimit të programit të tij dhe takimit me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, Trump pritet të kalojë natën në këtë hotel.
Ankaraja do të presë më 7 dhe 8 korrik Samitin e 36-të të NATO-s, me pjesëmarrjen e liderëve të 32 vendeve anëtare të Aleancës. Që nga e hëna kanë mbërritur zyrtarët e parë, mes tyre Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, si dhe delegacione nga Bullgaria, Australia dhe Maqedonia e Veriut.
Kjo është hera e parë që nga viti 2004 që Turqia organizon një samit të NATO-s.
Presidenti Erdoğan pritet të zhvillojë një takim dypalësh me Donald Trump më 7 korrik, i cili sipas programit do të pasohet nga një konferencë e përbashkët për shtyp. Në mbrëmje, Erdoğan dhe bashkëshortja e tij Emine Erdoğan do të shtrojnë një darkë zyrtare për liderët pjesëmarrës dhe bashkëshortët e tyre.
Ditën e dytë të samitit do të zhvillohen ceremonia zyrtare e mirëseardhjes, fotografia familjare e liderëve dhe sesioni kryesor i punimeve, pas fjalës hapëse të Mark Rutte.
Në qendër të diskutimeve do të jenë rritja e shpenzimeve për mbrojtjen, forcimi i aftësive parandaluese të NATO-s, siguria në hapësirën euroatlantike, lufta në Ukrainë dhe zhvillimet në krahun jugor të Aleancës.
Sipas raportimeve, Rutte pritet t'u bëjë thirrje vendeve anëtare të përmbushin angazhimin për rritjen graduale të shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035, objektiv i miratuar në samitin e kaluar nën presionin e administratës Trump.
Në Ankara pritet të marrin pjesë gjithashtu rreth 100 ministra, diplomatë të nivelit të lartë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje