TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Korrik 2026, 14:27

Netanyahu thirrje Trump: Mos i shit avionë F-35 Erdoganit, ai kërcënon Izraelin dhe Qipron 

Shkruar nga Pamfleti
Netanyahu thirrje Trump: Mos i shit avionë F-35 Erdoganit, ai
Benjamin Netanyahu

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të mos ecin përpara me shitjen e sistemeve të avancuara të armëve Turqisë, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump po udhëton drejt Turqisë për Samitin e NATO-s.

Në një intervistë për Fox News, Netanyahu sulmoi ashpër Ankaranë, duke e cilësuar Turqinë si "një regjim të ndikuar nga Vëllazëria Myslimane".

"Nuk besoj se duhet t'u jepen avionë F-35 apo motorë për avionët e tyre luftarakë", tha ai, duke iu referuar deklaratave të Trump muajin e kaluar se Uashingtoni mund të miratojë shitjen e motorëve F110 për avionët luftarakë turq dhe rikthimin e Turqisë në programin e avionëve F-35.

Netanyahu argumentoi se një vendim i tillë mund të "prishë ekuilibrin e forcave në Lindjen e Mesme", i cili, sipas tij, mbështetet në epërsinë ajrore të Izraelit dhe praninë ushtarake amerikane në rajon.

Ai e përshkroi Turqinë si "një vend të madh", por kritikoi ashpër presidentin Recep Tayyip Erdoğan, duke thënë se vendi drejtohet nga një lider që "kërcënon hapur Izraelin me shkatërrim" dhe "pushton gjysmën e Qipros".

Duke folur për marrëdhëniet me presidentin amerikan, Netanyahu tha se ende nuk është caktuar një datë për vizitën e tij në Uashington dhe takimin me Trump, ndërsa minimizoi mosmarrëveshjet e fundit lidhur me memorandumin e mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit.

"Ne i shohim pothuajse të gjitha çështjet në të njëjtën mënyrë", u shpreh ai për marrëdhënien me Trump. "Kemi mospajtime herë pas here, por i zgjidhim sepse jemi aleatë", shtoi Netanyahu, duke theksuar se të dyja palët diskutojnë hapur për çështjet ku kanë qëndrime të ndryshme.

"Presidenti ka mënyrën e tij të të shprehurit dhe unë kam timen. Ne jemi aleatë. Ne jemi aleati juaj model", deklaroi ai.

Duke iu referuar Iranit, Netanyahu tha se Republika Islamike "nuk është mike e Amerikës" dhe se nuk duhet të lejohet të sigurojë armë bërthamore ose mjetet për t'i transportuar ato.

"Kjo është një betejë e lirisë kundër fanatizmit", deklaroi ai.

I pyetur pse regjimi iranian vazhdon të mbetet në pushtet, Netanyahu u përgjigj se ai mbështetet te "disa qindra mijëra njerëz të armatosur që vrasin qytetarët e tyre ditë e natë".

Kryeministri izraelit tha gjithashtu se Izraeli dëshiron të shohë përparim në procesin e paqes me Libanin, duke argumentuar se dobësimi i Iranit "ka hapur rrugën për më shumë marrëveshje paqeje".

Në përfundim, me rastin e 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara, Netanyahu i cilësoi SHBA-të si "një forcë e madhe për të mirën", duke shtuar se "pa Amerikën nuk do të kishte demokraci dhe liri në botë". 

donald trump benjamin netanyahu

Lini një Përgjigje