TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Korrik 2026, 16:42

Putinit po i mbarojnë opsionet

Shkruar nga Gideon Rachman

Putinit po i mbarojnë opsionet

Fundi i luftës në Ukrainë mund të jetë më në fund pranë...

Tym u ngrit mbi Shën Petersburg këtë fundjavë, pasi dronët ukrainas goditën terminalin e naftës së qytetit. Në Moskë, u krijuan radhë të gjata në stacionet e karburantit që vazhdonin të ishin të hapura. Frekuenca dhe saktësia gjithnjë në rritje e sulmeve ukrainase me dronë me rreze të gjatë veprimi kanë shkaktuar krizën më të rëndë të karburantit në Rusi në dekada. Kjo ka krijuar gjithashtu një ndjesi në rritje se dinamika e luftës ka ndryshuar. Mark Carney, kryeministri i Kanadasë, deklaroi muajin e kaluar: "Ne, gjermanët, britanikët dhe francezët jemi të gjithë të mendimit se balanca ka ndryshuar... Putini do të humbasë."

Megjithatë, pak njerëz besojnë se udhëheqësi rus do ta pranojë thjesht humbjen. Për këtë arsye, politikëbërësit perëndimorë po përgatiten për një verë përshkallëzimi.

"Pyetja që të gjithë po i bëjmë vetes është se çfarë do të bëjë Putini", thotë një prej tyre.

Në përgjithësi, mes strategëve perëndimorë ekzistojnë dy shkolla mendimi. E para është se po hyjmë në një periudhë shumë të rrezikshme dhe se një Vladimir Putin i vënë me shpatulla pas muri ka gjasa të përshkallëzojë konfliktin në përpjekje për të ndryshuar rrjedhën e luftës. Shkolla e dytë argumenton se opsionet reale të Putinit për përshkallëzim janë, në fakt, mjaft të kufizuara. Sipas kësaj qasjeje, rreziku më i madh është që politikëbërësit perëndimorë të tremben aq shumë nga kërcënimi i përshkallëzimit rus, sa të ushtrojnë presion mbi Ukrainën për të bërë lëshime.

Ekzistojnë katër rrugë kryesore për përshkallëzim. E para janë veprimet ushtarake konvencionale në frontin e luftës në Ukrainë. E dyta është përdorimi i armëve bërthamore. E treta është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj NATO-s. E katërta është "lufta hibride", përpjekjet e fshehta ruse për të goditur infrastrukturën ose individë në vendet perëndimore.

Ekziston pritshmëria që Rusia të dërgojë më shumë trupa në "mullirin e mishit" të vijës së frontit gjatë verës. Putini së fundmi pretendoi se forcat ruse kishin marrë nën kontroll qytetin e Kostyantynivkës, një objektiv kyç për Kremlinin në rajonin lindor të Donetskut. Megjithatë, këto pretendime u mohuan dhe u hodhën poshtë me ironi nga Volodymyr Zelensky. Zyrtarët perëndimorë besojnë se Rusia po humbet tani trupa më shpejt sesa mund t'i zëvendësojë, me rreth 35 mijë të vrarë ose të plagosur çdo muaj. Ka spekulime se Putini mund të shpallë një mobilizim të përgjithshëm ushtarak. Por një vendim i tillë do të rrezikonte të shkaktonte reagim të fortë në opinionin publik.

Pas më shumë se katër vitesh luftime të kushtueshme, ka pak shenja që tregojnë se Rusia është pranë një përparimi vendimtar. Dëshira e Putinit për hakmarrje dhe përshkallëzim mund të shfaqet në formën e sulmeve edhe më të pamëshirshme, si bombardimet me raketa dhe dronë që vranë 30 civilë në Kiev javën e kaluar. Megjithatë, edhe pse brutale, këto taktika nuk ka gjasa të ndryshojnë rrjedhën e luftës.

Gjatë gjithë konfliktit, Putini dhe bashkëpunëtorët e tij kanë lënë vazhdimisht të kuptohet se Rusia mund të përdorë armë bërthamore taktike. Megjithatë, këto kërcënime sot merren më pak seriozisht sesa në fillim të luftës. Vendimmarrësit perëndimorë besojnë se presidenti kinez Xi Jinping e ka paralajmëruar Putinin të mos përdorë armë bërthamore. Ata gjithashtu vlerësojnë se Kremlini është i vetëdijshëm për rrezikun që Perëndimi mund të ndërhyjë drejtpërdrejt në konflikt nëse Rusia përdor armë bërthamore. Shpeshtësia e kërcënimeve bërthamore nga Putini dhe rrethi i tij ua ka zbehur fuqinë kërcënuese. Siç shprehet një zyrtar perëndimor: "Ai e ka zhvlerësuar monedhën."

Disa udhëheqës perëndimorë po përgatiten edhe për mundësinë e një provokimi rus ndaj shteteve baltike ose Polonisë. Zyrtarët e sigurisë në Letoni kanë deklaruar se Rusia "po përgatit provokime ushtarake", të cilat mund të kenë si objektiv këto vende.

Një sulm i drejtpërdrejtë rus ndaj NATO-s duket pak i mundshëm. Megjithatë, strategët perëndimorë prej kohësh kanë shprehur shqetësimin për mundësinë e një ndërhyrjeje ruse që mund të paraqitet si hakmarrje ndaj agresionit të pretenduar të NATO-s ose si përpjekje për të mbrojtur rusishtfolësit në vendet baltike. Synimi mund të jetë nxitja e një krize ushtarake dhe diplomatike që do të përçante aleancën perëndimore dhe do të rriste presionin e SHBA-së mbi Ukrainën për të bërë lëshime territoriale.

Por a do ta merrte vërtet Putini një rrezik të tillë? Gjatë katër viteve të fundit, ai ka shmangur vazhdimisht një përballje të drejtpërdrejtë me NATO-n, pavarësisht shqetësimeve se Rusia mund të godiste linjat e furnizimit dhe bazat në territorin e Aleancës nga ku dërgohen armë në Ukrainë. Përshkallëzimi në vendet baltike mund të kërkonte gjithashtu zhvendosjen e trupave ruse nga fronti ukrainas. Për më tepër, Putini do të duhej të merrte parasysh mundësinë që hapja e një fronti të dytë në territorin e NATO-s të dështonte, duke e ekspozuar Rusinë ndaj një poshtërimi të madh.

Kjo lë si alternativë luftën hibride. Gjatë katër viteve të fundit ka pasur një sërë episodesh të tilla. Ndër rastet më të njohura përmenden një komplot për vendosjen e bombave në pakot e DHL-së dhe një përpjekje për të vrarë drejtuesin e Rheinmetall, një prej prodhuesve më të mëdhenj gjermanë të armëve. Rusia vazhdon gjithashtu të monitorojë në mënyrë provokuese infrastrukturën strategjike perëndimore, përfshirë kabllot nënujore dhe tubacionet energjetike.

Megjithatë, edhe përshkallëzimi përmes luftës hibride, i drejtuar kundër infrastrukturës civile, mbart rreziqe të mëdha. Nuk ka dyshim se Perëndimi është në gjendje të kundërpërgjigjet. Zyrtarët e sigurisë theksojnë se Rusia, SHBA-ja dhe aleatët e saj, si edhe Kina, mund të kenë vendosur tashmë ekuivalentin kibernetik të "bombave me sahat" brenda infrastrukturës kritike të njëri-tjetrit.

Putini sigurisht që ka mundësi për të përshkallëzuar konfliktin. Problemi për të është se secila prej tyre ka kosto të lartë. Megjithatë, ka pak shenja që tregojnë se udhëheqësi rus është i gatshëm ta pranojë humbjen. Për këtë arsye, Ukraina dhe mbështetësit e saj perëndimorë po përgatiten për një verë të rrezikshme. Nëse arrijnë ta përballojnë këtë periudhë duke rritur njëkohësisht presionin mbi Rusinë, ata shpresojnë se Putini dhe rrethi i tij do të detyrohen të përballen me realitetin dhe të heqin dorë nga objektivat e tyre maksimaliste deri në fund të vitit. Në atë rast, fundi i luftës në Ukrainë mund të jetë më në fund pranë./Përshtati "Pamfleti" nga "FinancialTimes" 

putin opsionet

Lini një Përgjigje