TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 6 Korrik 2026, 15:12

Nisin zvarritjet, shtyhet gjyqi për Fatime Kryemadhin, Ema Çokun dhe Pirro Xhixhon

Shkruar nga Pamfleti
Nisin zvarritjet, shtyhet gjyqi për Fatime Kryemadhin, Ema Çokun dhe
Monika dhe Fatime Kryemadhi

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) shtyu këtë të hënë për më 13 korrik seancën gjyqësore ndaj Fatime Kryemadhit, Ema Çokut dhe Pirro Xhixhos.

Shkak për shtyrjen u bë mungesa në seancë e Fatime Kryemadhit, avokatit të saj mbrojtës, si dhe e të pandehurit Pirro Xhixho.

Tre të pandehurit po gjykohen të veçuar nga ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-deputetja Monika Kryemadhi, pasi GJKKO vendosi më herët ndarjen e dosjes dhe pranoi kërkesën e tyre për gjykim të shkurtuar. Kjo procedurë nënkupton që çështja shqyrtohet mbi aktet e administruara nga Prokuroria e Posaçme, pa zhvillimin e një procesi të plotë gjyqësor me administrim të ri provash. Në rast të shpalljes fajtorë, të pandehurit përfitojnë ulje të dënimit me një të tretën.

Ndërkohë, procesi ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit vijon me procedurë normale.

Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Fatime Kryemadhi, Ema Çoku dhe Pirro Xhixho, së bashku me Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.

Hetimet e SPAK-ut janë përqendruar te lobimet e dyshuara jashtë vendit, kontratat e padeklaruara për shërbime mjekësore, si dhe transaksionet financiare të konsideruara të pajustifikuara përmes llogarive bankare të familjarëve.

Në seancat e mëparshme, SPAK ka paraqitur prova dhe materiale nga dosja hetimore që lidhen me aferën CEZ-DIA dhe lobimet e ish-LSI-së në Shtetet e Bashkuara. Sipas prokurorisë, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi dyshohet se kanë ushtruar ndikim për interesat e biznesmenit Ardian Shatku, ndërsa janë paraqitur edhe pretendime për përdorimin e kartave bankare të tij për shpenzime të Monika Kryemadhit.

Nga ana tjetër, Ilir Meta i ka mohuar akuzat dhe gjatë një prej seancave ka deklaruar se përgjegjësia penale është individuale, duke u distancuar nga veprimet që, sipas tij, mund të jenë kryer nga ish-bashkëshortja pa dijeninë e tij.

Seanca e radhës për Fatime Kryemadhin, Ema Çokun dhe Pirro Xhixhon është caktuar të zhvillohet më 13 korrik në GJKKO.

kryemadhi gjyqi

Lini një Përgjigje