
Numri i personave që kërkuan azil në Shqipëri u rrit gjatë vitit 2025. Sipas publikimit më të fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT), gjatë vitit të kaluar u regjistruan 144 azilkërkues, ose 40 më shumë krahasuar me vitin 2024, çka tregon një rritje të interesit për të aplikuar për azil në vend.
Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e azilkërkuesve vinin nga Egjipti, të cilët përbënin 39,6% të totalit të aplikimeve. Në vend të dytë renditen shtetasit afganë me 11,8%, ndërsa palestinezët përbënin 9,7% të kërkesave për azil. Pjesa tjetër e aplikimeve i përkiste shtetasve nga vende të ndryshme, por me peshë më të vogël në total.
Sipas raportit, kërkesat për azil nuk u shpërndanë njëtrajtësisht gjatë vitit. Fluksi më i madh u regjistrua në muajt gusht, shtator dhe tetor, periudhë gjatë së cilës u depozituan 63,2% e të gjitha aplikimeve të vitit 2025. Kjo tregon një përqendrim të dukshëm sezonal të lëvizjeve migratore drejt Shqipërisë.
Publikimi i INSTAT përfshin edhe të dhënat mbi fitimin, rifitimin dhe lënien e shtetësisë shqiptare. Gjatë vitit 2025, gjithsej 495 persona fituan shtetësinë shqiptare. Nga këta, 306 persona e rifituan shtetësinë, ndërsa 189 e morën atë për herë të parë. Një nga treguesit që bie më shumë në sy në raport është numri i personave që kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare. Gjatë vitit 2025, 173 persona zgjodhën të mos jenë më shtetas shqiptarë.
Shifrat tregojnë se rifitimi i shtetësisë përbën pjesën më të madhe të rasteve, me rreth 62% të totalit të personave që morën shtetësinë shqiptare gjatë vitit. Ky tregues lidhet kryesisht me shtetas shqiptarë që e kishin humbur ose hequr më parë shtetësinë dhe kanë përfunduar procedurat për ta rimarrë atë.
Sa i përket origjinës së personave që fituan shtetësinë shqiptare, mbi gjysma e tyre, ose 56,1%, ishin shtetas të Kosovës. Në vend të dytë renditen shtetasit e Turqisë me 20,1%, ndërsa nga Maqedonia e Veriut dhe Italia vinte nga 4,8% e përfituesve për secilin shtet.
Raporti evidenton edhe profilin sipas moshës. Grupmosha 30 deri në 39 vjeç përfaqësonte peshën më të madhe si te personat që fituan shtetësinë shqiptare, me 31,7% të totalit, ashtu edhe te ata që hoqën dorë prej saj, ku kjo grupmoshë përbënte 43,9% të rasteve.
INSTAT sqaron se statistikat janë hartuar mbi të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Instituti thekson gjithashtu se, duke filluar nga viti 2025, në përpunimin e statistikave mbi fitimin dhe lënien e shtetësisë është integruar një burim i ri administrativ, i cili rrit mbulimin dhe cilësinë e të dhënave, duke i bërë ato më të plota dhe më të harmonizuara me standardet ndërkombëtare. / Pamfleti bazuar në studimin e INSTAT


Lini një Përgjigje