Shtëllunga të dendura tymi kanë mbuluar zonën dhe janë të dukshme edhe përgjatë autostradës Tiranë-Durrës. Zjarrfikësit po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve.
Një vatër e përmasave të mëdha zjarri është regjistruar ditën e sotme në zonën e Koxhasit, në Shijak, ku flakët janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara nga era.
Zjarri ka krijuar një situatë shqetësuese në zonë, ndërsa shtëllunga të dendura tymi janë përhapur në një sipërfaqe të gjerë, duke u bërë të dukshme edhe përgjatë autostradës Tiranë-Durrës. Prania e tymit ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve të mjeteve që qarkullojnë në këtë aks rrugor, ndërsa deri më tani nuk raportohet për ndërprerje të qarkullimit.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të Shijakut, të cilat po punojnë për izolimin e vatrës dhe shuarjen e flakëve, me qëllim parandalimin e përhapjes së tyre në zona të tjera.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri dyshohet se ka nisur pasi i është vënë flaka një grumbulli mbeturinash. Për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta, flakët janë përhapur me shpejtësi, duke përfshirë një sipërfaqe më të gjerë.
Shkaqet e sakta të zjarrit mbeten ende nën verifikim, ndërsa autoritetet po ndjekin nga afër situatën deri në neutralizimin e plotë të vatrës. Deri në këto momente nuk ka raportime për persona të lënduar apo për dëme në banesa.
Ky është zjarri i dytë i përmasave të mëdha në vend. Ditën e djeshme, një vatër masive zjarri përfshiu fshatin Drizë të Fierit, ku flakët të favorizuara nga era rrezikuan banesat, duke detyruar autoritetet të evakuonin 11 familje për arsye sigurie. Ndërsa situata në Fier u vu nën kontroll pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse dhe strukturave të emergjencës.
Lini një Përgjigje