
Hetimet e Prokurorisë Antimafia të Milanos zbuluan një organizatë të strukturuar që trafikonte kokainë, marijuanë dhe hashash përmes rrugëve ballkanike. Në rrjet ishin të përfshirë edhe shtetas shqiptarë, ndërsa u sekuestruan drogë, armë, automjete të modifikuara dhe pasuri me vlerë të konsiderueshme.
Një operacion i gjerë i Guardia di Finanza në Trieste, i koordinuar nga Prokuroria Antimafia e Milanos, ka çuar në goditjen e një organizate kriminale të specializuar në trafikun ndërkombëtar të drogës, ku sipas autoriteteve italiane rol të rëndësishëm kishin edhe shtetas shqiptarë.
Hetimi nisi pas një kontrolli rutinë në Latisana, pranë zonës turistike të Lignano Sabbiadoro, ku u arrestuan dy korrierë dhe u sekuestruan dy kilogramë marijuanë. Ky episod u bë pika e nisjes për zbardhjen e një rrjeti shumë më të gjerë kriminal, që vepronte kryesisht në Lombardi dhe kishte një strukturë të mirëorganizuar.
Sipas hetuesve, organizata funksiononte si një grup profesionistësh të narkotrafikut, me një hierarki të qartë dhe me metoda të sofistikuara për të shmangur zbulimin nga autoritetet. Anëtarët përdornin platforma komunikimi të koduara, ndërronin vazhdimisht kartat SIM dhe telefonat celularë, ndërsa edhe automjetet zëvendësoheshin shpesh për të mos lënë gjurmë.
Trafik përmes rrugëve ballkanike
Hetimet zbuluan se kokaina, marijuana dhe hashashi hynin në Itali përmes rrugëve të konsoliduara ballkanike, falë bashkëpunimit mes grupeve kriminale italiane dhe organizatave me origjinë shqiptare.
Përveç importimit të drogës, organizata kishte ngritur edhe një serrë në zonën rurale të Pavias, ku kishte nisur prodhimin e marijuanës.
Pasi hynte në Itali, droga depozitohej në apartamente dhe garazhe të marra me qira në emër të personave pa precedentë penalë, të përdorur si prestanome për të fshehur lidhjet me drejtuesit e organizatës.
Si funksiononte rrjeti i shpërndarjes
Autoritetet italiane zbuluan se organizata kishte ndërtuar një sistem të mirëorganizuar për shpërndarjen e lëndëve narkotike në Lombardi, si dhe në zonat turistike të Italisë veriore.
Për këtë qëllim rekrutoheshin persona të njohur në zhargonin kriminal si "cavallini", të cilët kishin detyrën të transportonin drogën deri te shpërndarësit lokalë.

Brenda organizatës kishte ndarje të qartë të roleve. Një pjesë e anëtarëve merrej me përgatitjen e dozave, ndërsa të tjerë ishin përgjegjës për shpërndarjen në terren.
Sipas hetuesve, rrjeti përbëhej nga shtetas italianë dhe të rinj shqiptarë pa precedentë penalë. Këta të fundit silleshin në Itali për periudha të shkurtra, deri në 90 ditë, afati maksimal i qëndrimit si turistë. Pas kësaj kohe ata ktheheshin në Shqipëri dhe zëvendësoheshin nga persona të tjerë me të njëjtin rol, një metodë që sipas autoriteteve synonte të reduktonte rrezikun e identifikimit nga policia.
Droga, armë dhe automjete të sekuestruara
Gjatë hetimeve u sekuestruan:
-70.5 kilogramë marijuanë, mes tyre 64 kilogramë në Sesto San Giovanni, 2 kilogramë në Latisana dhe 4.5 kilogramë në Lecco;
-21 kilogramë kokainë, përfshirë 20 kilogramë në Saronno dhe 1 kilogram në Milano;
një pistoletë Beretta kalibër 9 me numër serie të fshirë dhe municion;
-një automjet Alfa Romeo Stelvio i modifikuar posaçërisht për transportin e drogës.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtatë persona.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria Antimafia e Milanos siguroi nga gjykata tetë masa arresti me burg për anëtarët kryesorë të organizatës, ndërsa urdhëroi edhe kontrolle ndaj 33 personave të tjerë të dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale, trafik droge, pastrim parash, fshehje të mallrave të vjedhura dhe armëmbajtje të paligjshme.
Sekuestrohen pasuri mbi 1.1 milion euro
Paralelisht me hetimin penal, Guardia di Finanza zhvilloi edhe një hetim financiar për të identifikuar pasuritë e krijuara nga aktiviteti kriminal.
Hetuesit analizuan llogaritë bankare, investimet, pasuritë e paluajtshme dhe transaksionet financiare të të dyshuarve, duke llogaritur se organizata kishte përfituar në mënyrë të paligjshme rreth 1.1 milion euro nga trafiku i drogës.
Me urdhër të Prokurorisë së Milanos u vendos sekuestrimi paraprak i pasurive, përfshirë prona, automjete, bizhuteri, para cash dhe mjete të tjera financiare.
Gjatë kontrolleve të fundit u arrestua edhe një tjetër i dyshuar për armëmbajtje të paligjshme. Autoritetet sekuestruan gjithashtu 7.2 kilogramë marijuanë të paketuar dhe gati për shitje, dy pistoleta me numër serie të fshirë, municion, 10 armë të ftohta, ora luksoze Rolex dhe shuma të konsiderueshme parash në euro dhe valuta të huaja. /Pamfleti
Lini një Përgjigje