Pas përfundimit të tubimit para Kryeministrisë, protestuesit kanë vijuar marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke e shtrirë protestën përgjatë Unazës së Vogël të Tiranës.
Kolona e qytetarëve u nis nga zona e Kryeministrisë dhe Shallvareve, për të vijuar më pas drejt zonës së "Vasil Shantos', ish-NSHRAK, etj.
Me pankarta në duar dhe nën thirrjet “Rama ik”, “Shqipëri e re”, “Ju erdhi fundi” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”, protestuesit kanë vijuar të bëjnë thirrje për përfshirje më të gjerë qytetare në lëvizjen që prej javësh po zhvillohet në Tiranë.
Në zonën e Shallvareve, pjesëmarrësit iu drejtuan qytetarëve që po kalonin mbrëmjen në lokale dhe kafene, duke i ftuar të lënë tavolinat dhe t’i bashkohen asaj që ata e cilësojnë si një revoltë qytetare kundër klasës politike.
“Dilni nga kafenetë dhe ejani me ne. Shqipëria nuk ndryshon duke parë nga larg. Bashkohuni me këtë revolucion qytetar”, ishte mesazhi që u përcoll gjatë marshimit.
Protestuesit shprehen se lëvizja ka hyrë në një fazë të re, ku synimi nuk është më vetëm kundërshtimi i një projekti apo i një vendimi qeveritar, por ngritja e një fronti qytetar kundër korrupsionit, shpopullimit dhe modelit politik që, sipas tyre, ka dominuar vendin për dekada.
Marshimi po zhvillohet pa incidente, ndërsa qytetarët vijojnë të ecin në grup në rrugët e Tiranës, duke shpërndarë mesazhe dhe thirrje për pjesëmarrje më të madhe në protestat e ardhshme.
Lini një Përgjigje