TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Qershor 2026, 21:05

Juristi Romeo Kara i bashkohet protestës para Kryeministrisë: Ka ardhur koha që ky popull të fitojë dinjitetin e humbur

Shkruar nga Pamfleti
Juristi Romeo Kara i bashkohet protestës para Kryeministrisë: Ka
Romeo Kara në protestë

Juristi mbajti një fjalim të fortë në protestën e 18-të qytetare, ndërsa pjesëmarrësit kërkuan largimin e qeverisë, fundin e pandëshkueshmërisë dhe një “Shqipëri të re”...

Protesta e 18-të qytetare para Kryeministrisë ka vijuar edhe këtë të shtunë me pjesëmarrjen e aktivistëve, qytetarëve dhe figurave publike që mbështesin lëvizjen e nisur fillimisht kundër projektit në Zvërnec dhe që tashmë është shndërruar në një kauzë më të gjerë kundër qeverisë dhe gjithë klasës politike.

Mes pjesëmarrësve që iu bashkuan protestës ishte edhe juristi Romeo Kara, i cili mbajti një fjalim me tone të forta, duke e cilësuar lëvizjen si një moment historik për qytetarët e papërfaqësuar dhe të zhgënjyer nga politika.

Nuk ka gjë më të fortë, nuk ka gjë më fituese se një ide të cilës i ka ardhur koha. Jam i bindur plotësisht se ka ardhur koha që ky popull ta kërkojë dhe ta fitojë dinjitetin e humbur në 10 vite”, deklaroi Kara mes duartrokitjeve dhe brohoritjeve të protestuesve.

Sipas tij, protesta përfaqëson zërin e qytetarëve që prej vitesh ndihen të braktisur nga institucionet dhe të pambrojtur përballë lidhjeve mes politikës dhe krimit.

Kjo është tribuna e njerëzve të papërfaqësuar deri tani. Të braktisur nga shteti, të parespektuar, vetëm të sulmuar në mënyrën më amorale nga krimi dhe nga aleanca e politikës lart me krimin”, u shpreh juristi.

Ai theksoi se asnjë organizim politik apo partiak nuk mund të jetë më i fortë se një lëvizje që lind nga vetëdija qytetare dhe dëshira për liri.

Nuk ka organizim më të fortë se ai që nxitet nga shpirti i një populli që do liri. Që tashmë është i vetëdijshëm se nuk ka rrugë tjetër për të jetuar”, tha Kara.

Duke iu drejtuar protestuesve, ai bëri thirrje për qëndresë dhe bashkim përtej bindjeve politike.

Mendoj se nuk duhet të lodhemi kurrë duke kërkuar të drejtat tona, duke qenë bashkë pavarësisht ndasive politike, por që na bashkojnë fryma e dinjitetit dhe fryma e Shqipërisë së lirë. Mos u tërhiqni kurrë nga të drejtat tuaja!”, deklaroi ai.

Në fund të fjalës së tij, Kara e cilësoi protestën si një kapitull të ri në historinë politike të vendit.

Ju këtu po shkruani një faqe të re të historisë së Shqipërisë. Po shkruani të ardhmen dhe jam i sigurt se pas pak kohësh do t’ia ndjeni shijen fitores. Çdo ditë që jemi bashkë, është një fitore”, tha ai.

Tubimi i sotëm u shoqërua edhe me fjalime të tjera të qytetarëve, mes tyre një i sëmurë me kancer që deklaroi se do të qëndrojë ditë e natë para Kryeministrisë deri sa të dëgjohet zëri i protestuesve, si dhe pensionistë që ngritën shqetësime për nivelin e ulët të pensioneve, shpopullimin e vendit dhe gjendjen ekonomike.

Ndërkohë, protestuesit vijuan të artikulojnë kërkesa për dorëheqjen e qeverisë, mbrojtjen e pasurive publike dhe ndërtimin e një modeli të ri politik. “Rama ik”, “Rama në burg”, “Berisha në burg”, “Shqipëri e re” dhe “Ju erdhi fundi” ishin disa nga thirrjet që dominuan protestën e sotme para Kryeministrisë.

romeo kara protest

Lini një Përgjigje