TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Qershor 2026, 20:32

“S’tërhiqem edhe sikur të protestojnë 500 mijë”/ Ilir Kulla: Sjellja e Ramës me qytetarët, si ajo e Berishës në ’97-ën!

Shkruar nga Pamfleti
“S’tërhiqem edhe sikur të protestojnë 500
Ilir Kulla

Prej 18 ditësh, një protestë e cila nisi në heshtje dhe me përmasa të vogla për çështje mjedisore, ka marrë vëmendjen e mediave më të mëdha ndërkombëtare, duke eklipsuar ngjarje me rëndësi globale e duke tronditur nga themelet të gjithë sistemin e vjetër politik në vend.

Ndërkohë që fillimisht u injorua nga autoritetet dhe partitë, të cilat parashikonin një shuarje të shpejtë të saj, rinia shqiptare po dëshmon një rezistencë që i ka kaluar të gjitha pritshmëritë.

Sipas analizës së detajuar nga eksperti i sigurisë Ilir Kulla, kjo lëvizje qytetare po ushqehet masivisht pikërisht nga arroganca dhe papjekuria e institucioneve.

Duke folur në emisionin “Të Pashoq” në kanalin në ‘Youtube’ të ‘Pamfletit’, Kulla tha se injorimi i kërkesave dhe mungesa e komunikimit kanë bërë që indinjata të rritet. Kullla shtoi se qasja refuzuese dhe deklaratat për mospërfillje e Ramës edhe nëse në shesh mblidhen gjysmë milioni njerëz, i kujton Berishën e vitit 1997, pak para se vendi të përfshihej nga trazirat.

Kulla shtoi se edhe pse pa asnjë akt dhune, pa të plagosur dhe pa zjarre, kjo revoltë ka arritur të nxjerrë në pah kalbëzimin e sistemit shoqëror dhe qelbin në drejtësi, paralelisht me aksionet e drejtësisë speciale. Raportohet se kur rinia del në shesh, çdo mendje e pavarur është e detyruar ta dëgjojë. Për ekspertin, numrat janë të parëndësishëm përballë energjisë dhe insistimit të qytetarëve. Ai theksoi se përpjekjet e partive politike për t'u infiltruar apo për ta përçarë këtë lëvizje kanë dështuar, pasi fryma qytetare nuk po lejon t'i shërbehet agjendave të vjetra.

Pjesë nga intervista:

-Edhe sonte do ta nisim me kryelajmin e çdo dite që na shoqëron për 18 ditë me radhë. Në shesh tashmë po protestohet në ditën e 18 kundër qeverisë dhe Edi Ramës, por edhe më gjerë kundër gjithë estabilishmentit të vjetër politik. Për të diskutuar për këtë por jo vetëm, kam kënaqësinë të kem sërish në studio Ilir Kullën, ekspert i sigurisë. Mirëmbrëma, mirë se erdhët. Ajo intervista e fundit bashkë u bë më shumë sesa virale me popullin e tortës, gjetje nga ana jote. Megjithatë, 18 ditë protestë, ka një perceptim të ditëve të fundit që prej tentativës për të marshuar drejt Rinasit, se kjo protestë po zbehet, po tentohet për t'u përçarë, nuk ka më efektin e ditëve të para. Është perceptim i gabuar ky? Si qëndron e vërteta në sytë e tu në ditën e 18 të protestës?

Ilir Kulla: Shiko, e vërteta ka një natyrë të bukur sepse e vërteta varet nga cili këndvështrim e sheh. Pra secili këndvështrim që e sheh është e vërtetë, por duhet ta shohësh se kush e sheh, si e shpjegon dhe nga cili këndvështrim e sheh. Historiku i kësaj protestës është i thjeshtë. Filloi si një protestë shumë e vogël në Zall-Herr, në Zgërdhesh, vijoi me një protestë akoma më të vogël tek Drejtoria e Policisë së Tiranës, u përball me injorimin e partive politike, të autoriteteve e të tjerë. Madje disa nga zëdhënësit e tyre publikë dolën në daljet publike dhe thanë, "po jo mo kjo do mbarojë, sa të fillojë Big Brother-i, fillon plazhi" e të tjerë.

Dhe ndërkohë, kjo protestë pavarësisht se në botë ka 58 konflikte, dy nga të cilët janë në kulmin e vet dhe janë në vëmendjen e të gjithëve, që nga protestat në Francë, Irani dhe Ukraina, kjo protestë është transmetuar dhe vazhdon të transmetohet live nga mediat më të rëndësishme botërore, me të cilat komunikoi në një konferencë për shtyp vetë Kryeministri i Shqipërisë. Pra nëse të kujtohet ty herën e parë, unë të kam thënë që kjo protestë është duke u ushqyer me arrogancën dhe me, të themi, papjekurinë politike të asaj pjese të politikës e cila duhet t'i përgjigjej protestës dhe të hynte në kontakt me protestën, qoftë edhe në mënyrë indirekte nëpërmjet trupit diplomatik në Tiranë.

Pra unë jam i bindur që nëse ditën e tretë të protestës kryeministri... se Berisha e mori kthesën pas një jave kur e kuptoi që edhe sot kishte mbledhur ca njerëz po një sallë 20 veta kishte... në qoftë se kryeministri ditën e tretë apo ditën e katërt do të luante një nga ato metodologjitë që ka luajtur në të shkuarën, pra të hyrjes, komunikimit me turmën dhe të mos i injoronte, e aq më tepër të mos i fyente duke thënë: "Jo sa janë 5.000, 10.000, po 500.000 të qofshin, unë nuk ulem edhe nuk e kthej kokën aty". Që më ngjan shumë me atë shprehjen e Berishës në '97-ën kur nisën trazirat në Lushnje që thoshte në anglisht "unë kurrë nuk do tërhiqem, never, never" pra tek BBC-ja. Dhe tre-katër muaj më vonë pastaj shkonte dhe i kërkonte diplomatëve "aman flisni me socialistët mos më vrasin, të çoj familjen jashtë" e të tjerë. Pse? Janë filma që i kemi parë, domethënë.

Pra, unë nuk e di sa e madhe është protesta apo sa ashtu sepse, unë kam një qëndrim të qartë, aty ka dalë rinia e Shqipërisë dhe kur del rinia e Shqipërisë nuk ka zë apo veshë intelektual ose mendje të pavarur që nuk do t'i dëgjojë, ose të paktën të përpiqet t'i kuptojë. Pastaj sa i përkrah apo jo është relative. Se aty ka gjëra për shembull që unë s'mund t'i përkrah sepse nuk përbëjnë bindjen time. Por gjithsesi kanë dalë njerëzit aty. Dhe është një protestë që lindi për një arsye mjedisore, por aty pastaj plasi qelbi në drejtësi, në prokurori domethënë dhe dolën të gjitha dëzëzat që ka shoqëria, gjërat që ne i kemi diskutuar këtu me dhjetëra herë. Dhe si e tillë kjo protestë ka marrë vëmendjen e gjithë botës.

Po aman ki parasysh, është një protestë që nuk ka të plagosur, nuk ka të vrarë, nuk ka zjarre, nuk ka çudira. E megjithatë ka vëmendjen e gjithë botës. Që do të thotë, a ka dështuar kjo protestë? Jo, përkundrazi. Kjo protestë e shoqëruar dhe me të gjithë veprimtarinë e ditëve të fundit të organeve të drejtësisë shqiptare, pra të drejtësisë speciale, po trondit nga themelet të gjithë sistemin politik. Pra nëse Berisha provoi për muaj me radhë çdo të hënë të bënte foltore e të tjerë, dhe nuk i mblidheshin më shumë se 100 veta në shesh përballë kryeministrisë. Nëse ai drejti klapaj mori karriget u ula atje e të tjerë dhe nuk i mblidheshin njerëz, këtu kanë dalë qytetarët. Ka dalë rinia.

Dhe ka pak rëndësi nëse sasia është pak më e madhe, pak më e vogël, e rëndësishme është që ka dalë, vazhdon, është energjike, insiston dhe mbi të gjitha, pavarësisht të gjitha përpjekjeve të cilat janë të natyrshme që partitë politike do të detyroheshin të kërkonin të infiltroheshin apo grupe të caktuara interesi dhe është e natyrshme që do ndodhte kështu... Por kjo protestë i ka kaluar parashikimet e të gjithëve. Dhe vazhdon. Dhe do të vazhdojë. Pra nëse, ju me të drejtë thatë që ajo shprehja ime për popullin e tortës pavarësisht... më vjen keq dikush e ka komentuar sikur ishte anti-veriore apo jo, përkundrazi. Në periferitë e Tiranës jetojnë shumë nga jugu, unë kam kushërinjtë e mi, unë jam korçar me origjinë dhe s'ka asnjë lloj të keqeje sepse ajo tregon pabarazinë që ka krijuar shoqëria jonë dhe është një nga problemet që kemi krijuar, dhe unë këtu e fus veten edhe vetë tek problemi.

kulla protesta

Lini një Përgjigje