
Lëvizja Vetëvendosje pritet të sigurojë mandatin e 53-të në Kuvendin e Kosovës, ndërsa numërimi i votave po shkon drejt fundit. Në të njëjtën kohë, një garë e ngushtë për një mandat po zhvillohet mes Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Me numërimin e dhjetëra kutive të mbetura të votave me postë, është pothuajse e sigurt se do të ketë ndryshim në shpërndarjen e mandateve mes partive politike. Bazuar në trendet aktuale dhe numërimin e mijëra votave shtesë, Vetëvendosje do të kalojë në 53 mandate, duke shtuar se ky pritet të jetë edhe rezultati përfundimtar i ulëseve për këtë subjekt politik.
Megjithatë, mbetet e paqartë se cila parti do ta humbë mandatin që i kalon VV-së. Fillimisht, gjasat janë që LDK-ja të humbë mandatin e 19-të, por deri në përfundim të numërimit të të gjitha votave me postë, ekziston një mundësi pak më e madhe që PDK-ja të mbetet pa mandatin e 22-të dhe LDK-së t’i kthehet mandati.
Cakolli ka theksuar se gara mes PDK-së dhe LDK-së është jashtëzakonisht e ngushtë, pasi dallimi në koeficientë mund të përkthehet në më pak se 100 vota në fund të procesit.
Sipas tij, mandati i fundit mund të përcaktohet edhe nga votat me kusht, të cilat zakonisht pasqyrojnë më shumë trendin e votimit brenda Kosovës, faktor që potencialisht mund ta favorizojë PDK-në. Ndërkohë, AAK-ja pritet ta përfundojë procesin me shtatë ulëse në Kuvend.
Cakolli ka bërë të ditur se numërimi i votave me postë pritet të përfundojë më së largu të mërkurën paradite, ndërsa votat me kusht deri në mesnatë. Ai ka shtuar se, varësisht nga numri i vendvotimeve që mund t’i nënshtrohen rinumërimit me vendim të KQZ-së, i gjithë procesi i numërimit pritet të përmbyllet deri në fund të kësaj jave. Me rezultatet aktuale, LVV-ja ka 52 ulëse, PDK-ja 22, LDK-ja 19 dhe AAK-ja 7.
Lini një Përgjigje