Ish-përgjegjësja e Agjencisë së Kthimit të Pronave pranoi se dosjet e pesë familjeve pronare ishin ndër të parat që u shqyrtuan, ndërsa në gjykatë mohoi ndërhyrje apo presione gjatë procesit...
Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dëshmoi këtë të hënë Tetis Lubonja, ish-përgjegjëse në Agjencinë e Kthimit të Pronave, e cila ka firmosur procedurat që lidhen me privatizimin e ish-Kompleksit Sportiv “Partizani”. Dëshmia e saj u fokusua në procesin e shqyrtimit të dosjeve të pesë familjeve të njohura pronare, të cilat sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK) janë trajtuar me shpejtësi të pajustifikuar krahasuar me kërkesat e qytetarëve të tjerë.
Sipas dosjes hetimore, procedura për kthimin e pronave nisi më 17 janar 2007. Vetë Lubonja kishte deklaruar më herët në SPAK se dosjet e këtyre familjeve ishin ndër të parat që iu dhanë për shqyrtim Agjencisë së Kthimit të Pronave dhe se procesi u përmbyll brenda rreth dy muajsh.
Para trupës gjykuese, ajo mbrojti ligjshmërinë e procedurave të ndjekura, duke theksuar se detyrat i merrte nga eprorët dhe se të gjitha veprimet janë kryer në përputhje me ligjin. “Detyrat i merrja nga eprorët. Kam zbatuar ligjin dhe kam ndjekur të gjitha procedurat. Dosja qëndronte në dy sektorë, juridik dhe grafik. Këto territore kanë qenë të njohura si prona të ish-pronarëve. Janë ndjekur procedurat ligjore dhe kemi dhënë vlerësimin ligjor”, deklaroi Lubonja.
Ajo sqaroi gjithashtu se verifikimet në terren kryheshin nga specialistët përkatës të institucionit.
Një nga elementët e evidentuar në dosjen e SPAK lidhet me përbërjen e grupit të punës që shqyrtoi dosjet e pronave. Sipas prokurorisë, grupi përbëhej nga tre persona, ndërsa të paktën dy prej tyre rezultojnë të kenë pasur lidhje me trashëgimtarët e familjeve përfituese.
Në këtë kuadër, SPAK ka përmendur edhe Tetis Lubonjën, e cila sipas hetimeve ka pasur njohje me Jamarbër Malltezin dhe Rudina Llagamin. Gjithashtu, rezulton se disa vite më vonë ajo është punësuar pranë shoqërisë “Kontakt” sh.p.k., kompania që zhvilloi projektin e kullave në territorin e ish-Klubit Partizani.
Para gjykatës, Lubonja e pranoi këtë fakt, duke deklaruar se kishte punuar për rreth gjashtë muaj me kohë të pjesshme si shefe juridike pranë kompanisë. “Kam punuar disa muaj, 6 muaj part-time te ‘Kontakt’”, tha ajo.
Megjithatë, dëshmitarja mohoi të ketë pasur presione apo komunikime me familjet përfituese gjatë shqyrtimit të dosjeve. “Nga ish-pronarët nuk kemi pasur presione, as komunikime fare. S’kam asnjë kontakt me Berishën, veç në televizor e kam parë”, deklaroi Lubonja.
Ajo këmbënguli gjithashtu se dokumentacioni i paraqitur për pronat ishte i plotë dhe i rregullt. “Kanë qenë dokumente të vjetra dhe të verifikuara. Kam fjetur rehat për këtë dosje. Dokumentet ishin shumë të sakta”, tha dëshmitarja.
Megjithatë, në dosjen hetimore të SPAK pasqyrohet një deklarim i mëparshëm i saj, ku ajo ka pranuar se prioriteti në shqyrtimin e këtyre dosjeve ishte përcaktuar nga drejtuesit e institucionit.
Sipas procesverbalit të pyetjes në prokurori, Lubonja ka deklaruar: “na është thënë nga drejtori i zyrës, e cila ka qenë shtetësja Dhurata Hoxha, se këto do të ishin dosjet e para që do të shqyrtoheshin dhe ne kemi zbatuar urdhrin e saj”.
SPAK pretendon se kërkesat e pesë familjeve pronare u trajtuan me përparësi të pazakontë, pavarësisht numrit të lartë të dosjeve që po shqyrtoheshin në atë periudhë nga Agjencia e Kthimit të Pronave.
Seanca gjyqësore për aferën “Partizani” vijon me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë të thirrur nga palët.
Dëshmia e Tetis Lubonja në GJKKO
Prokurorja: Cilin të pandehur njihni, ku dhe kur i njihni?
Tetis Lubonja: Janë figura publike. Me Malltezin kemi bërë aktivitete për mjedisin.
Prokurorja: Me shoqërinë “Kontakt”, keni pasur kontakte?
Tetis Lubonja: Kam punuar disa muaj. Për pak kohë kam punuar, 6 muaj part-time te “Kontakt”. Kam qenë në vitin 2006 te Agjencia e Kthimit të Pronave. Kishte disa vende pune dhe aplikova.
Prokurorja: Në kohën kur ju keni qenë aty, u janë kthyer prona shumë familjeve. Ju kujtohen procedurat? I njihni? Si keni nisur me shqyrtimin e dosjeve?
Tetis Lubonja: Detyrat i merrja nga eprorët. Kam zbatuar ligjin dhe kam ndjekur të gjitha procedurat. Dosja qëndronte në dy sektorë, juridik dhe grafik. Këto territore kanë qenë të njohura si prona të ish-pronarëve. Janë ndjekur procedurat ligjore dhe kemi dhënë vlerësimin ligjor.
Prokurorja: I verifikonit në terren?
Tetis Lubonja: Shkonin specialistët e territorit.
Prokurorja: Në këtë kthim prone, ka pasur objekte sportive?
Tetis Lubonja: Po, Klubi Partizani. Kishte një person që ishte i interesuar në atë kohë, kërkonte privatizim.
Tetis Lubonja: Vinte në institucion një individ. Nuk e denoncuam. Kërkonte privatizimin.
Klodiana Gjyzari: Vinte dikush që interesohej. Kishte lidhje me ish-pronarët?
Tetis Lubonja: Nuk e mbaj mend si emër kush ishte. Aty kishte konkurrencë mes pronarëve. Ishte kundërshtar me pretenduesit e tjerë. Nga ish-pronarët nuk kemi pasur presione, as komunikime fare. S’kam asnjë kontakt me Berishën, veç në TV e kam parë.
Klodiana Gjyzari: Kishte mangësi në dosje?
Tetis Lubonja: Kanë qenë dokumente të vjetra dhe të verifikuara. Kam fjetur rehat për këtë dosje. Dokumentet ishin shumë të sakta.
Klodian Skënderi: Vendimi kontrollohej nga hallkat e mësipërme?
Tetis Lubonja: Po. Ishte Agjencia Qendrore. Në çdo rast, ne ishim shkalla e parë, ndërsa vendimi ynë vlerësohej prej tyre. Çdo dokument vlerësohej.
Sokol Hazizaj: Fatmir Bektashi, ju ka bërë ndonjë presion përpara se të punësoheshit aty?
Tetis Lubonja: Jo, fare. S’kam pasur asnjë njohje. Fillova punë sepse doja të zhvillohesha profesionalisht.
Jamarbër Malltezi: A kishte vendime për tokën e familjes Begeja?
Tetis Lubonja: Po, ka pasur.
Klodian Skënderi: A keni çuar shkresa për pronarët e tokave?
Tetis Lubonja: Patjetër, kam zbatuar ligjin.
Prokurorja: Çfarë detyre kishit te “Kontakt”?
Tetis Lubonja: Shefe juridike.
Prokurorja: Familjes Llagami nuk iu kthye prona?
Tetis Lubonja: Ne proceduam me përgjigjen, pasi nuk kishte ardhur një përgjigje pozitive nga një prej institucioneve. Vijuan procedurat me katër familjet e tjera, pasi kishim përgjigje pozitive. Familjes Llagami iu dha më vonë.
Prokurorja: Për presionet, kur jeni pyetur në prokurori, a keni folur?
Tetis Lubonja: Jo për presione, thjesht për bezdi nga vizitat e përditshme.
Lini një Përgjigje