Seria A ka qenë prej vitesh një nga destinacionet më të rëndësishme për futbollistët shqiptarë, por prania e legjionarëve kuqezi në elitën e futbollit italian është reduktuar ndjeshëm. Në fund të këtij sezoni, kampionatit italian mund t’i japin lamtumirën edhe dy nga emrat më përfaqësues të Shqipërisë në Itali, Berat Gjimshiti dhe Elseid Hysaj.
Kapiteni dhe zëvendëskapiteni i Kombëtares shqiptare ndodhen në vitin e fundit të kontratës me klubet e tyre respektive, Atalantën dhe Lacion, ndërsa e ardhmja e tyre mbetet ende e paqartë.
Situata e Berat Gjimshitit paraqitet më e hapur. Mbrojtësi kuqezi pret një ofertë rinovimi nga Atalanta dhe dëshira e tij është të vazhdojë karrierën në Bergamo. Megjithatë, klubi italian pritet të hyjë në një fazë ndryshimesh të mëdha për sezonin e ri, me disa largime të rëndësishme të parashikuara në merkato, madje edhe pa kosto transferimi.
Eksperienca dhe qendrueshmëria e Gjimshitit e bëjnë atë një profil të kërkuar nga disa skuadra të tjera të Serisë A, të cilat e shohin si një mundësi të favorshme në treg. Në rast se nuk arrihet marrëveshja për rinovim me Atalantën, mbrojtësi shqiptar mund të shqyrtojë edhe oferta më të leverdishme ekonomikisht jashtë Italisë.
Ndërkohë, më e qartë duket situata e Elseid Hysajt. Mbrojtësi anësor pritet të largohet nga Lacio në fund të sezonit, duke mbyllur kështu aventurën e tij pesëvjeçare në kryeqytetin italian.
Gjatë periudhës me Lacion, Hysaj zhvilloi 131 ndeshje në të gjitha kompeticionet, realizoi 2 gola dhe dhuroi 4 asiste, ndërsa grumbulloi mbi 8 mijë minuta aktivizim. Tashmë, mbrojtësi shqiptar është në kërkim të një destinacioni të ri për vijimin e karrierës së tij.
Lini një Përgjigje