Ish-legjenda e Milanit dhe kombëtares holandeze, Marko Van Basten, ka shprehur shqetësimin për krizën që po kalon futbolli italian, duke fajësuar pronarët e huaj të klubeve për rënien e nivelit në Serinë A.
Gjatë një interviste me gazetarin Karlo Pelegati, në promovimin e librit “50 ndeshje, emocione të pambarimta, Milan”, Van Basten u shpreh se klubet italiane kanë humbur identitetin e tyre historik.
Sipas tij, rikthimi i futbollit italian në duart e pronarëve vendas do të ishte një hap i rëndësishëm për ta kthyer Serinë A në elitën e futbollit europian.
“Aktualisht ka shumë pronarë të huaj klubesh në Itali. Ata nuk kanë lidhje me historinë e klubeve dhe interesohen vetëm për veten. Futbolli italian duhet t’u rikthehet italianëve që të mund të rikthehet edhe në majën e Europës”, deklaroi Van Basten.
Ish-fituesi i “Topit të Artë” në vitin 1988 mori si shembull Milanin, klubin ku shkroi historinë më të madhe të karrierës së tij.
“Milani nuk është më ai që ishte dikur. E ndjek gjithmonë dhe shpresoj të rikthehet sa më shpejt, sepse sot Interi dominon futbollin italian dhe kjo nuk më pëlqen aspak”, tha ai.
Van Basten komentoi edhe gjendjen aktuale të kombëtares italiane, duke theksuar mungesën e yjeve që dikur e karakterizonin “Axurrët”.
“Italia ka pasur gjithmonë një portier të madh, një mbrojtës të madh, një mesfushor të madh dhe një sulmues të madh. Sot është e vështirë t’i gjesh këto figura dhe kjo është e çuditshme. Dikur futbolli italian komandonte botën, ndërsa tani nuk është më kështu”, u shpreh ish-sulmuesi holandez.
Në fund, ai foli edhe për Botërorin, duke treguar se fillimisht do të mbështesë Holandën, por nëse skuadra e tij nuk arrin pritshmëritë, do të bëjë tifo për Brazilin e drejtuar nga Karlo Ançeloti.
Lini një Përgjigje