Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, ka mbrojtur politikën e çmimeve të larta të biletave për finalen e Kupës së Botës 2026, gjatë fjalës së tij në “Global Conference 2026” të Milken Institute.
“Nëse dikush blen një biletë të finales së Botërorit për 2 milionë dollarë, unë personalisht do t’i çoj hot dog-un dhe pijen, që të sigurohem se ka një eksperiencë fantastike”, deklaroi Infantino.
Debati mbi çmimet e larta të biletave ka kohë që dominon diskutimet në botën e futbollit. Kritikat janë shtuar veçanërisht në Evropë, ku organizata “Football Supporters Europe”, që përfaqëson interesat e tifozëve, ka paralajmëruar ankesë pranë Komisionit Evropian. Organizata e konsideron politikën e FIFA-s për çmimet si “zhvatëse” dhe një “tradhti” ndaj tifozëve.
Megjithatë, kreu i FIFA-s mbrojti qasjen e institucionit që drejton, duke argumentuar se çmimet pasqyrojnë kërkesën shumë të lartë për bileta.
“Duhet të shohim tregun. Ne operojmë në tregun më të zhvilluar të argëtimit në botë, ndaj duhet të aplikojmë çmimet e tregut”, u shpreh Infantino.
Sipas tij, FIFA ka marrë më shumë se 500 milionë kërkesa për bileta për Botërorin e ardhshëm. Për krahasim, gjatë fazës së parë të shitjes së biletave për Kupën e Botës 2022, që zgjati rreth 20 ditë, FIFA raportoi rreth 17 milionë kërkesa.
Çështja e çmimeve të biletave vijon të mbetet në qendër të debatit publik, duke nxitur reagime dhe polemika të forta mes tifozëve dhe organizatave sportive.
Eshte "mik" me Trump ky koke rrjepuri mafiozo.