TAGS-AT E JAVËS

Sport 6 Maj 2026, 18:02

Tirana me hap kampioni për mbijetesën, Dinamo siguron Europën; Flamurtari bie në Kategorinë e Parë

Shkruar nga Pamfleti
Tirana me hap kampioni për mbijetesën, Dinamo siguron Europën;
tirana

Java e 35-të e Abissnet Superiore prodhoi emocione të forta si në luftën për titull, ashtu edhe në garën për mbijetesë, me disa rezultate që shtyjnë gjithçka për t’u vendosur në javën e fundit të kampionatit.

Tirana mori një fitore jetike përballë Vllaznisë në stadiumin “Selman Stermasi”, duke triumfuar 1-0 falë një penalltie të realizuar nga Rafael në minutën e 16-të. Bardheblutë zhvilluan një ndeshje të mirë dhe nuk lejuan skuadrën shkodrane të krijonte rrezik serioz para portës së Bekajt. Vllaznia e mbylli sfidën me dy lojtarë më pak pas kartonëve të kuq për Malën dhe Bajramin në minutat e fundit. Me këtë fitore, Tirana ngjitet përkohësisht në vendin e gjashtë dhe do ta luajë mbijetesën në javën e fundit ndaj Elbasanit.

Në Rrogozhinë, Egnatia mposhti Partizanin me rezultatin 2-0 në debutimin e Nevil Dedes në pankinën e të kuqve. Kampionët në fuqi dominuan sfidën dhe gjetën golat me Alijev në minutën e 17-të dhe Bakajokon, duke mbetur kështu në garë për titullin kampion. Humbja vulos dështimin e Partizanit për të siguruar një vend në kupat e Europës sezonin e ardhshëm.

Spektakël dhe përmbysje emocionesh pati në “Arenën Kombëtare”, ku Dinamo dhe Vora barazuan 2-2. Dinamo e nisi ndeshjen vrullshëm me golat e Nezirit dhe Bregut në pjesën e parë, por Vora reagoi në fraksionin e dytë me Kasallën dhe Shehin, që rikthyen baraspeshën. Ky barazim i siguron matematikisht Dinamos pjesëmarrjen në Europë, ndërsa Vora mbetet në garë për mbijetesë.

Fitore shumë të rëndësishme mori edhe Bylisi, që përmbysi Elbasanin me rezultatin 2-1. Marku kaloi fillimisht në avantazh ballshiotët, ndërsa Lukili barazoi për vendasit. Në minutën e 81-të, një autogol i Olberkis vendosi fatin e takimit dhe mbajti gjallë shpresat e Bylisit për qendrimin në elitë. Pavarësisht humbjes, Elbasani ruan kreun e renditjes.

Në sfidën tjetër për mbijetesën, Flamurtari dhe Teuta ndanë pikët pas barazimit 1-1 në Vlorë, duke bërë që skuadra bregdetare të luajë zyrtarisht në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm. Raso kaloi vendasit në avantazh në minutën e 12-të, ndërsa Boçi barazoi në pjesën e dytë për Teutën. Flamurtari mbetet në fund të tabelës me 36 pikë, ndërsa Teuta një pozicion më sipër me 39 pikë.

Java e fundit pritet të jetë vendimtare si për titullin kampion, ashtu edhe për skuadrat që synojnë mbijetesën në elitën e futbollit shqiptar.

tirana partizani vllaznia dinamo abissnet superiore

Lini një Përgjigje