Flamurtari do ta nisë sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë, pasi nuk arriti të mbijetojë në Superiore. Pavarësisht përpjekjeve deri në javën e fundit, skuadra vlonjate nuk ia doli të siguronte qendrimin në elitën e futbollit shqiptar.
Në përballjen vendimtare ndaj Teutës, Flamurtari kërkoi me ngulm fitoren, pasi barazimi nuk i shërbente për objektivin e mbijetesës. Ndeshja pati disa momente tensioni, ndërsa episodi më i diskutuar ndodhi në minutën e 93-të.
Lojtarët e Flamurtarit pretenduan për një penallti, duke kërkuar prekjen e topit me dorë nga mbrojtësi i Teutës, Artan Jazxhi. Menjëherë pas aksionit, futbollistët vlonjatë protestuan ndaj arbitrit Eldorjan Hamiti, duke kërkuar akordimin e 11-metërshit.
Megjithatë, gjyqtari vendosi të mos e konsideronte rastin për rishikim në VAR, duke lënë lojën të vijojë. Vendimi shkaktoi revoltë jo vetëm te lojtarët në fushë, por edhe në stolin e Flamurtarit, ndërsa tensioni u rrit në sekondat e fundit të takimit.
Pavarësisht protestave, rezultati mbeti i pandryshuar dhe Flamurtari zyrtarisht i dha lamtumirën Superiores.
Lini një Përgjigje