Mediat spanjolle raportojnë për një atmosferë të tensionuar te Reali i Madridit pas eliminimit nga Champions League ndaj Bajernit të Mynihut. Sipas raportimeve, situata në qendrën stërvitore të klubit madrilen është përkeqësuar ndjeshëm, ndërsa dhoma e zhveshjes thuhet se është më e përçarë se kurrë.
Gazeta spanjolle “Marca” shkruan se mesfushorët Federiko Valverde dhe Aurelien Çuameni janë përfshirë në një debat të ashpër gjatë seancës stërvitore të së mërkurës në kompleksin “Valdebebas”.
Sipas të njëjtit burim, tensioni mes dy lojtarëve nisi gjatë një loje në stërvitje dhe më pas vijoi edhe në dhomën e zhveshjes. Debati thuhet se u bë aq i zhurmshëm, sa lajmi u përhap me shpejtësi në të gjithë ambientet e klubit.
Raportimet sugjerojnë se situata ishte pranë përshkallëzimit në përplasje fizike, megjithëse nuk ka reagim zyrtar nga klubi lidhur me incidentin.
Ngjarja vjen në një moment delikat për Realin e Madridit, që këtë të diel do të përballet me Barcelonën në “Camp Nou”, në sfidën e programuar të nisë në orën 21:00.
Ndërkohë, mediat spanjolle kanë raportuar edhe për një tjetër incident të ndodhur ditë më parë në stërvitje, ku Antonio Rydiger dyshohet se pati një përplasje me Alvaro Karreras.
Në të njëjtën kohë, vëmendje ka marrë edhe lajmi për Kilian Mbape, i cili sipas raportimeve ka kaluar disa ditë pushimi në Sardenjë së bashku me partneren e tij, aktoren Ester Ekspozito.
Lini një Përgjigje