Kualifikimi i PSG-së në finalen e Champions League vuri edhe një herë në pah cilësitë e jashtëzakonshme të dyshes Kvicha Kvaratskhelia – Ousmane Dembele. Futbollisti gjeorgjian asistoi për francezin, i cili mposhti Manuel Neuerin dhe realizoi golin vendimtar që i siguroi parisienëve kalimin në finale.
Pas ndeshjes, legjenda franceze Thierry Henry vlerësoi paraqitjen e dy lojtarëve të PSG-së, duke theksuar rrezikshmërinë që ata paraqesin për çdo mbrojtje kundërshtare.
“Kjo dyshe është një makth për çdo mbrojtje kur ke dy anësorë të aftë të të shkatërrojnë në mënyra të ndryshme”, deklaroi Henry për CBS Sports. Ish-sulmuesi i Arsenalit veçoi golin si shembullin perfekt të bashkëpunimit mes tyre.
Kvaratskhelia fitoi topin, sulmoi dhe dha një pasim perfekt për Dembele që të shënonte në minutën e tretë. Ai gol i hershëm praktikisht vendosi barazimin.
“Njëri i shpërqendron mbrojtësit, ndërsa tjetri shfrytëzon hapësirën, është spektakël i pastër. Dembele është klinik para portës, ndërsa Kvaratskhelia krijon kaos me driblimet dhe vizionin e tij”, tha Henry.
Lini një Përgjigje