TAGS-AT E JAVËS

Sport 7 Maj 2026, 16:09

Drejtori sportiv shqiptar i Tuluzës zbulon prapaskenat: Jam përpjekur të sjell 2-3 lojtarë kuqezi në Ligën 1 (Video)

Shkruar nga Pamfleti
Drejtori sportiv shqiptar i Tuluzës zbulon prapaskenat: Jam përpjekur
viktor bezhani

Viktor Bezhani vazhdon të konsiderohet një nga figurat shqiptare më të suksesshme në futbollin europian. 41-vjeçari i lindur në Tiranë mban prej afro një viti postin e drejtorit sportiv të Tuluzës, skuadër që militon në Ligën 1, kampionatin elitar francez dhe një nga pesë ligat më të forta në Europë.

Historia e Bezhanit konsiderohet një shembull i veçantë suksesi, pasi ai nuk ka qenë asnjëherë futbollist profesionist, por ka arritur të ngjitet në nivelet më të larta drejtuese të futbollit europian.

Në kuadër të serisë së reportazheve “Shqiptarët në Europë” në FSHF TV, Bezhani ka treguar rrugëtimin e tij profesional, duke nisur nga hapat e parë në licensimin pranë Federatës Shqiptare të Futbollit e deri te sfidat aktuale me klubin francez.

Ai zbuloi gjithashtu se gjatë vitit të fundit ka qenë pranë transferimit të disa futbollistëve shqiptarë te Tuluzë, por negociatat nuk janë finalizuar.

“Kam parë 2-3 lojtarë shqiptarë dhe jam munduar t’i sjell këtu, por për arsye të ndryshme nuk u realizuan. Ajo që dua të them është se ne shqiptarët duhet të mbështesim më shumë njëri-tjetrin dhe të promovojmë më shumë sukseset tona. Sidomos njerëz si unë dhe Igli, që jemi në një nivel më të lartë në futboll, kemi një përgjegjësi për të ndihmuar. Unë e marr si përgjegjësi personale, sepse nuk përfaqësoj vetëm veten, por edhe vendin tim. Dhe kur të mbarojë koha ime këtu te Tuluzë, pse jo, mund të vijë një tjetër shqiptar dhe të gjejë një perceptim pozitiv për ne”, u shpreh Bezhani.

Vlerësime për drejtorin sportiv shqiptar ka dhënë edhe presidenti i Tuluzës, Olivier Kloarek, i cili theksoi bashkëpunimin e suksesshëm mes tyre që në muajt e parë të punës.

“Është vërtet kënaqësi të punosh me Viktorin dhe është shumë e lehtë të bashkëpunosh me të. Edhe pse, kur erdha para 9 muajsh, nuk njiheshim fare me njëri-tjetrin. U hodhëm menjëherë në aksion, sepse merkatoja kishte nisur tashmë. Ai ishte shef i rekrutimit kur erdha unë dhe ishte gjithashtu drejtor sportiv në detyrë, ndërsa unë mora detyrën si president më 15 korrik. Kishim një periudhë merkatoje shumë të rëndësishme dhe u kuptuam menjëherë shumë mirë. Gjithçka funksiononte në mënyrë perfekte mes nesh dhe mendoj se së bashku, me njerëzit e tjerë të klubit, zhvilluam një merkato shumë të mirë”, deklaroi Kloarek.

 

viktor bezhani drejtori sportiv i tuluzë

Lini një Përgjigje