TAGS-AT E JAVËS

Sport 7 Maj 2026, 16:53

Beshiktashi u eliminua nga Kupa, në Turqi e bëjnë fakt të kryer vendimin për Kristjan Asllanin

Shkruar nga Pamfleti
Beshiktashi u eliminua nga Kupa, në Turqi e bëjnë fakt të
kristjan asllani

Eliminimi i Beshiktashit në gjysmëfinalen e Kupës së Turqisë duket se ka vulosur një sezon zhgënjyes për klubin nga Stambolli. Pa objektiva të rëndësishëm deri në fund të kampionatit dhe me mundësinë maksimale për t’u kualifikuar në Ligën e Konferencës, drejtuesit kanë nisur të marrin vendime për të ardhmen e skuadrës.

Sipas të përditshmes turke “Sabah”, Beshiktashi ka vendosur të mos aktivizojë opsionin e blerjes për pesë futbollistët e afruar në formë huazimi. Mes tyre është edhe mesfushori i Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani, i cili iu bashkua ekipit në muajin janar nga Interi.

Raporti thekson se që në momentin e transferimit kishte dilema lidhur me koston e kartonit të lojtarit. Interi kishte vendosur një klauzolë blerjeje prej rreth 12 milionë eurosh, shifër që tashmë konsiderohet e lartë nga drejtuesit e klubit turk, sidomos pas një sezoni pa trofe.

Në këto kushte, Asllani pritet të mbyllë aventurën e tij të shkurtër te Beshiktashi brenda dy javësh dhe të rikthehet tek Interi. Megjithatë, sipas mediave italiane dhe turke, mesfushori shqiptar nuk shihet pjesë e planeve të zikaltërve për sezonin e ardhshëm, ndaj nuk përjashtohet mundësia e një tjetër transferimi gjatë merkatos së verës.

kristjan asllani mesfushori shqiptar beshiktash

Lini një Përgjigje