TAGS-AT E JAVËS

Sport 7 Korrik 2026, 16:54

Liga e Konferencës/ Vllaznia me dy mungesa ndaj Malishevës, kriza financiare pengon regjistrimin e afrimeve të reja

Shkruar nga Pamfleti
Liga e Konferencës/ Vllaznia me dy mungesa ndaj Malishevës, kriza
Skuadra e Vllaznisë

Vllaznia do ta nisë aventurën në Ligën e Konferencës përballë Malishevës me dy mungesa të rëndësishme. Trajneri Edi Martini nuk do të ketë në dispozicion Lirim Kastratin dhe Ensar Tafilin, të cilët do të mungojnë për arsye të ndryshme në sfidën e parë europiane.

Lirim Kastrati vazhdon procesin e rikuperimit pas dëmtimit dhe ende nuk është bashkuar plotësisht me grupin. Sulmuesi nuk konsiderohet gati për këtë përballje, ndërsa stafi teknik ka vendosur të mos rrezikojë me rikthimin e tij para kohe.

Ndërkohë, Ensar Tafili do ta ndjekë ndeshjen nga tribunat për shkak të pezullimit. Mesfushori 21-vjeçar shlyen dënimin e marrë pas kartonit të kuq në ndeshjen e kthimit ndaj Vikingurit sezonin e kaluar, takim që Vllaznia e humbi me rezultatin 4-2.

Përtej këtyre dy mungesave, pjesa tjetër e skuadrës pritet të jetë në dispozicion të stafit teknik, i cili në ditët në vijim do të fokusohet në përgatitjet dhe përcaktimin e formacionit që do të zbresë në fushë ndaj ekipit nga Kosova.

Ndërkohë, situata financiare e klubit shkodran duket se ka sjellë probleme edhe në prag të ndeshjeve europiane. Nga lista e publikuar në UEFA vihet re se Vllaznia nuk ka mundur të regjistrojë shumicën e lojtarëve të afruar gjatë merkatos së verës.

Klubi prej kohësh përballet me bllokimin e merkatos nga FIFA, si pasojë e detyrimeve financiare ndaj ish-futbollistëve dhe palëve të treta. Humbja e disa proceseve gjyqësore dhe mosshlyerja e detyrimeve kanë vështirësuar regjistrimin e futbollistëve të rinj për kompeticionet europiane.

Në listën e dorëzuar në UEFA për ndeshjen e turit të parë të Ligës së Konferencës ndaj Malishevës figuron vetëm Herald Marku nga afrimet e reja të kësaj vere, ndërsa emrat e tjerë mungojnë.

Nëse situata nuk zgjidhet në kohë, Vllaznia rrezikon të përballet me kufizime të mëtejshme në aktivizimin e futbollistëve të afruar gjatë merkatos, duke komplikuar objektivat e saj në arenën europiane.

Lista e dorëzuar në UEFA:

Portierë

Leon Pohls, Aron Jukaj, Rezart Bunjaj

Mbrojtës

Erdenis Gurishta, Gledjan Pusi, Jasmin Çelikoviç,

Mesfushorë

Kristian Dros, Sherif Kallaku, Edon Murataj, Herald Marku, Klinti Qato, Ensar Tafili

Sulmues

Bekim Balaj, Aris Ara, Geralb Kubazi

vllaznia skuadra shkodrane liga e konferencës

Lini një Përgjigje