
Parlamenti Evropian ka miratuar rregulloren e re për dëbimin e emigrantëve, duke ndezur debate të ashpra dhe akuza për shkelje të të drejtave të njeriut. Edhe pse qeveria italiane e sheh këtë vendim si dritë jeshile për paktin me Tiranën, ekspertët ligjorë ngrenë dyshime të mëdha mbi ligjshmërinë e tij.
Më 17 qershor, Parlamenti Evropian miratoi përfundimisht rregulloren e re për dëbimet, me 418 vota pro dhe 218 kundër. Skena që e shoqëroi këtë moment ishte e paprecedentë.

Nga vendet e tyre, disa eurodeputetë të së djathtës radikale shpërthyen në festime, duke thirrur sloganin: “Send them back” (Kthejini mbrapsht). Eurodeputetët e tjerë iu përgjigjën duke bërtitur: “T’ju vijë turp!”.
Megjithatë, koret nuk u ndalën me kaq, por u regjistruan në një video që u përhap rrufeshëm në rrjet. Miratimi i kësaj rregulloreje u bë i mundur falë një aleance mes të djathtës radikale dhe partive popullore, por ky vendim ishte, mbi të gjitha, një triumf për të djathtën radikale, e cila prej vitesh ushtron presion për zbatimin e politikave të tilla.
Kjo masë u jep autoriteteve të drejtën të mbajnë në paraburgim deri në dy vjet emigrantët pa dokumente të rregullta, si dhe t’i transferojnë ata në qendra të ngritura jashtë kufijve të Bashkimit Evropian, të cilat organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut i quajnë “vrima të zeza për të drejtat e njeriut”.
Po ashtu, rregullorja i hap rrugën zbatimit në Evropë të metodave të kontrollit të emigracionit, të ngjashme me ato që përdor agjencia ICE në Shtetet e Bashkuara.
Reforma u kritikua ashpër nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke përfshirë Amnesty International, e cila e quajti projektin “absurd, mizor dhe diskriminues”.
Ndërkohë, 16 ekspertë të Kombeve të Bashkuara kanë vënë gishtin mbi pikat ku këto norma të reja rrezikojnë të shkelin konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Nga ana tjetër, shumë njerëz e pritën lajmin me eufori, veçanërisht qeveria italiane, e cila pa te ky projekt një dritë jeshile për qendrën jashtëterritoriale të ndërtuar në Shqipëri, në bazë të memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar me Tiranën më 6 nëntor 2023.
Megjithatë, disa ekspertë kanë vënë në dukje, se ndonëse nuk mund të mohohet fitorja politike e qeverive si ajo e Melonit, që ua imponuan partnerëve evropianë vizionin e tyre për emigracionin, qendrat në Shqipëri mund të mbeten sërish jofunksionale.
Ato kritikohen se vazhdojnë të qëndrojnë të zbrazura, të papërdorura dhe se kushtojnë miliona euro, ndërkohë që bien ndesh me normat themelore të Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian.
“Norma e miratuar nuk ka precedent në historinë e Bashkimit Evropian, sepse autorizon një shtet evropian t’u dorëzojë vendeve të tjera personat nga të cilët dëshiron të lirohet, duke u përpjekur të shmangë çdo përgjegjësi juridike sapo të përfundojë operacioni i dëbimit. Duke pasur parasysh se marrëveshja mes shtetit evropian dhe atij jashtë BE-së do të bazohet thjesht te pazari për shumën financiare, këtu duhet të flasim hapur për një formë të shitjes së qenieve njerëzore”, thotë Gianfranco Schiavone, jurist dhe president i organizatës ICS.
Sipas Schiavone-s, rregullorja e re është e paligjshme, pasi bie ndesh, për shembull, me Nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ). Nuk mund t’u lihet në dorë marrëveshjeve dypalëshe midis shteteve evropiane dhe atyre jashtë saj privimi i lirisë personale të një shtetasi të huaj, pa specifikuar çështje jetike, si kohëzgjatja maksimale e ndalimit, e cila rrezikon të ndryshojë sipas marrëveshjeve që nënshkruan secili vend.
“Po ashtu, çfarë ndodh nëse dëbimi i dikujt drejt vendit të origjinës nuk realizohet dot nga vendi i tretë ku ai u dërgua me forcë? A do të lirohet ai dhe a do të marrë një leje qëndrimi në atë vend që ka bërë marrëveshjen, apo do të mbetet pa asnjë status juridik të rregullt, duke u hedhur de facto sërish në tregun e madh ndërkombëtar të trafikut të qenieve njerëzore?”, pyet Schiavone.
Një tjetër element paligjshmërie është trajtimi i ndryshëm me të cilin do të përballen njerëzit e ndaluar në vendet e treta, në krahasim me ata që mbahen në qendrat e dëbimit brenda territorit evropian.
Por, pavarësisht këtyre shkeljeve ligjore të normave të reja, sipas ekspertëve kjo rregullore nuk do të thotë automatikisht dritë jeshile për protokollin Romë-Tiranë.
Sipas Schiavone-s, protokolli me Shqipërinë - ndaj të cilit rëndojnë tri kërkesa për vendim paraprak përpara Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (një për çështjet e azilit dhe dy për përdorimin e qendrës së dëbimit) - bazohet në idenë e gabuar se një shtet mund të kryejë jashtë territorit të tij, por nën juridiksionin e vet, procedura që rregullohen nga e drejta e BE-së, siç janë dëbimet.
Prandaj, që qendrat të funksionojnë në përputhje me rregullat e reja, Romës do t’i duhej të nënshkruante një protokoll krejtësisht të ri me Shqipërinë.
“Nuk e dimë nëse Shqipëria do të pranojë apo jo një marrëveshje me Romën për të marrë përgjegjësi juridike për një pjesë të të dëbuarve nga Italia”, shprehet Schiavone.
“Mendoj se një vendim i tillë është mjaft i vështirë për qeverinë e Edi Ramës, e cila tashmë është e mbytur nga protestat për resortin luksoz të paralajmëruar nga dhëndri i Trump-it në lagunën e mbrojtur të Vjosa-Nartës.
Për momentin, as Italia dhe asnjë vend tjetër i Bashkimit Evropian nuk ka asnjë marrëveshje apo pakt aktiv me një vend të tretë për të menaxhuar qendrat e dëbimit jashtë BE-së dhe pengesat juridike për këto marrëveshje të ardhshme janë thjesht shumë të mëdha”- përfundon ai./Pamfleti nga “Internazionale”
Lini një Përgjigje