TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Korrik 2026, 16:49

Trump i fik ëndrrën Ramës për Samitin e NATO-s në Tiranë

Shkruar nga Pamfleti
Trump i fik ëndrrën Ramës për Samitin e NATO-s në
Rama-Trump

Kryeministri shqiptar e ka paraqitur prej muajsh Samitin e NATO-s në Tiranë si momentin kur Donald Trump do të vizitojë Shqipërinë. Por presidenti amerikan la të kuptohet se nuk ka më interes për samitet e Aleancës, ndërsa vetë organizimi i samitit në Tiranë mbetet ende i paformalizuar...

Për Edi Ramën, vendimi për të mbajtur Samitin e NATO-s në Tiranë nuk ka qenë thjesht një ngjarje diplomatike. Ai e ka shitur prej muajsh si një sukses personal të politikës së jashtme, duke përsëritur në disa dalje publike se në vitin 2027 Donald Trump do të vijë në Tiranë.

Por deklarata që presidenti amerikan bëri sot nga Ankara mund t'i ketë zbehur ndjeshëm këto pritshmëri.

"Isha shumë i zhgënjyer me NATO-n dhe, sinqerisht, nëse samiti nuk do të ishte mbajtur në Turqi, ku miku im është një udhëheqës shumë i fortë, ndoshta nuk do të kisha marrë pjesë", deklaroi Trump para takimit me Presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan.

Mesazhi është i qartë. Trump la të kuptohet se pjesëmarrja e tij në samitet e NATO-s nuk është më e mirëqenë dhe se këtë herë udhëtimi në Ankara u ndikua edhe nga marrëdhënia personale me Erdoğanin.

Deklarata vjen në një moment edhe më delikat për Shqipërinë.

Prej javësh, media ndërkombëtare ka raportuar se vetë Samiti i NATO-s në Tiranë mund të mos zhvillohet fare. Reuters raportoi, duke cituar diplomatë të Aleancës, se në draft-deklaratën e samitit të Ankarasë nuk përmendet më Shqipëria si vendi pritës i samitit të radhës. Edhe Radio Evropa e Lirë konfirmoi nga burime diplomatike se Tirana mungon në draftin që po negociohet.

Sipas raportimeve, pasiguria lidhet me dy arsye kryesore. E para është pakënaqësia e disa aleatëve, veçanërisht e Shteteve të Bashkuara, për nivelin e shpenzimeve të mbrojtjes nga ana e Shqipërisë. E dyta lidhet me dëshirën e administratës amerikane për të reduktuar numrin e samiteve të NATO-s.

Kjo përbën një kthesë të fortë krahasuar me atmosferën e një viti më parë. Në Samitin e Hagës, liderët e Aleancës deklaruan se pas Turqisë, samiti do të zhvillohej në Shqipëri. Pikërisht mbi këtë vendim, Rama ndërtoi një pjesë të rëndësishme të narrativës së tij politike, duke e paraqitur organizimin e samitit si një arritje historike për vendin dhe duke folur disa herë për vizitën e Donald Trump në Tiranë.

Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë se as organizimi i samitit nuk është më një çështje e mbyllur.

Qeveria shqiptare ka reaguar duke rritur fondet për mbrojtjen. Përmes ndryshimeve në buxhet, ekzekutivi ka njoftuar se shpenzimet për mbrojtjen do të arrijnë në 2.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në përpjekje për të përmbushur angazhimet ndaj Aleancës.

Por edhe nëse Tirana arrin të ruajë të drejtën për të organizuar samitin, deklarata e sotme e Trump hedh një pikëpyetje tjetër: a do të jetë vetë presidenti amerikan i pranishëm?

Për herë të parë, Trump pranoi publikisht se nuk është entuziast për samitet e NATO-s dhe la të kuptohet se prania e tij në Ankara lidhej më shumë me marrëdhënien me Erdoğanin sesa me vetë Aleancën.

Nëse ky qëndrim mbetet i pandryshuar edhe në vitet e ardhshme, atëherë rreziku për Edi Ramën nuk është vetëm që Samiti i NATO-s të mos zhvillohet në Tiranë. Rreziku është që edhe nëse zhvillohet, figura mbi të cilën ai ka ndërtuar pritshmëritë politike të mos jetë fare aty. /Pamfleti

 

rama trump nato

1 Komente

  1. P
    Palloshi

    Po mbase palloshi I Mbush menjen trampit qe pervec sazanit e zvernecin ti jape edhe shijakun e rrashbullin e noshta vjen trampi po eshte gjalle akoma deri ne 2027

    Lini një Përgjigje