Rusia njofton se shumica e dronëve u neutralizuan nga mbrojtja ajrore, ndërsa sulmet e ndërsjella intensifikohen në prag të samitit të NATO-s në Ankara...
Ukraina lëshoi më shumë se 400 dronë drejt rajonit të Moskës gjatë natës, njoftoi të hënën kryebashkiaku i kryeqytetit rus, Sergei Sobyanin. Sulmi ndodhi në prag të samitit të NATO-s në Ankara, ku lufta në Ukrainë pritet të jetë një nga temat kryesore të diskutimeve.
Sipas Sobyanin, nga mbrëmja deri në orën 06:00 me orën lokale, mbi 430 dronë fluturuan në drejtim të rajonit të Moskës. Ai deklaroi se shumica u neutralizuan nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore përpara se të arrinin kryeqytetin, ndërsa 36 dronë u shkatërruan gjatë afrimit.
Ndërkohë, guvernatori në detyrë i rajonit rus të Belgorodit, Aleksandr Shuvaev, tha se qyteti i Belgorodit dhe zonat përreth u goditën nga raketa ukrainase. Sipas tij, një civil humbi jetën në fshatin Belovskoye pas një prej sulmeve.
Sulmi vjen një ditë pasi autoritetet ukrainase raportuan se goditjet ruse shkaktuan vdekjen e rreth 30 personave në Ukrainë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri thirrje aleatëve që në samitin e NATO-s të marrin "vendime të forta" për forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.
"Është me rëndësi jetike që bota, veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë evropianë, të dalin nga samiti i NATO-s në Ankara me vendime të forta në mbështetje të mbrojtjes sonë ajrore," shkroi Zelensky në Facebook.
Gjatë muajve të fundit, Rusia dhe Ukraina kanë shtuar sulmet me dronë dhe raketa me rreze të gjatë veprimi, duke goditur objektiva larg vijës së frontit.
Sipas raportimit të AFP, vendet evropiane kanë marrë një rol gjithnjë e më të madh në mbështetjen ushtarake për Ukrainën, ndërsa administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka reduktuar ndihmën e SHBA-së. Në samitin e NATO-s, Zelensky pritet të kërkojë angazhimin e aleatëve evropianë për të siguruar të paktën 70 miliardë euro ndihmë ushtarake në vit për Ukrainën gjatë viteve 2026 dhe 2027.
Gjithashtu, presidenti ukrainas pritet të zhvillojë një takim me presidentin Trump në Ankara, ku synon të kërkojë mbështetje për rritjen e presionit ndaj Moskës për rikthimin në negociata serioze paqeje.
Lini një Përgjigje