
Kriza me Iranin në qendër të samitit të G7, liderët botërorë mblidhen për diskutime
Tensionet në Lindjen e Mesme dhe përshkallëzimi i konfliktit me Iranin kanë dominuar diskutimet në samitin e G7, ku liderët e vendeve më të industrializuara dhe përfaqësues të Bashkimit Europian zhvilluan takime për situatën në rajon.
Në sesionin e titulluar “Kapërcimi i krizave”, udhëheqësve të G7 dhe BE-së iu bashkuan edhe presidenti i Egjiptit, emiri i Katarit dhe presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, vende që janë përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi në zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.
Para nisjes së diskutimeve, presidenti amerikan Donald Trump u pa në biseda me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, si dhe me kancelarin gjerman Friedrich Merz, me të cilin ka pasur më herët mospajtime lidhur me qasjen ndaj konfliktit me Iranin.

Në takime morën pjesë gjithashtu kryeministri kanadez Mark Carney, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa.


Pamjet e publikuara nga samiti tregojnë liderët duke shkëmbyer biseda informale përpara nisjes së seancës zyrtare. Sipas mediave amerikane, diskutimet e para mes tyre prekën tema më të lehta, si Kupa e Botës dhe aktivitetet sportive UFC që Trump ka promovuar në Shtëpinë e Bardhë.
Megjithatë, fokusi kryesor i takimit mbeti kriza në Lindjen e Mesme, pas sulmeve dhe kundërsulmeve që kanë rritur tensionet mes Iranit, SHBA-së dhe aleatëve të tyre në rajon.

Lini një Përgjigje