Robert Kuzofkov, i njohur me emrin artistik Semion Skremecki, u qëllua pesë herë në qytetin Bjalla Podllaska. Autoritetet polake kanë ndaluar dy shtetas bjellorusë...
Një artist rus i njohur për kritikat e tij ndaj presidentit rus Vladimir Putin është vrarë me armë zjarri në qytetin Bjalla Podllaska, në lindje të Polonisë.
Prokuroria rajonale e Lublinit bëri të ditur më 16 qershor se viktima u qëllua pesë herë, përfshirë edhe një plumb në kokë. Zëdhënësi i prokurorisë, Marcin Kozak, deklaroi gjatë një konference për shtyp se në lidhje me çështjen janë arrestuar dy shtetas të Bjellorusisë, por ndaj tyre ende nuk janë ngritur akuza.
Mediat lokale identifikuan viktimën si Robert Kuzofkov, i njohur gjithashtu me pseudonimin artistik Semion Skremecki. Ai ishte artist dhe performues rus, i njohur për qëndrimet e tij kritike ndaj udhëheqjes ruse.
Kozak konfirmoi se i ndjeri, të cilin prokurorët e identifikuan si Robert K., zhvillonte veprimtari artistike ku shprehte kritika ndaj politikave dhe veprimeve aktuale të autoriteteve ruse.
Sipas agjencisë së lajmeve Meduza, tre ditë para vrasjes së tij, Skremecki kishte udhëtuar në Berlin për shënimin e Ditës së Rusisë më 12 qershor, një nga festat më të rëndësishme kombëtare të vendit. Gjatë aktivitetit ai organizoi një protestë ku ekspozoi një karikaturë të Josif Stalinit dhe Vladimir Putinit.
Autoritetet polake po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar motivet dhe rrethanat e krimit.
Lini një Përgjigje