Sipas guvernatorit demokrat të Kalifornisë, Gavin Newsom, Departamenti amerikan i Drejtësisë ka nisur hetime ndaj tij dhe familjes së tij…
“Ditët e fundit, zyrtarë federalë kanë trokitur në dyert e familjarëve, miqve dhe ish-punonjësve të mi, jo sepse kanë zbuluar një krim, por thjesht sepse po përpiqen të gjejnë një të tillë”, shkroi Gavin Newsom në platformën X.
Guvernatori demokrat i Kalifornisë nuk sqaroi se për çfarë akuzash bëhet fjalë. Një kërkesë për koment drejtuar Departamentit të Drejtësisë mbeti fillimisht pa përgjigje. Sipas Newsom, hetuesit po shqyrtojnë në mënyrë arbitrare sasi të mëdha dokumentesh.
Për guvernatorin kalifornian është e qartë se presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar nisjen e hetimeve, sepse ai i kundërvihet politikisht dhe po shqyrton mundësinë për të hyrë në garën për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Newsom akuzoi Trumpin se po përdor Departamentin e Drejtësisë kundër kundërshtarëve politikë dhe deklaroi se tashmë në shënjestër janë vënë edhe ai dhe bashkëshortja e tij. Sipas tij, Trump mund ta ngacmojë, ta hetojë dhe ta vendosë në listën e armiqve të tij politikë.
“Por mbaje gruan time dhe familjen time larg fushatës tënde personale të hakmarrjes”, reagoi me zemërim demokrati lidhur me hetimet.
Të dy politikanët konsiderohen rivalë prej vitesh dhe shpesh përplasen publikisht me deklarata të ashpra. Trump e ka cilësuar vazhdimisht guvernatorin demokrat si të paaftë.
Në qershor të vitit të kaluar, Trump shkaktoi reagime të forta me komentet e tij për një arrestim të mundshëm të guvernatorit të Kalifornisë. Kur u pyet nëse i dërguari i tij për sigurinë kufitare, Tom Homan, duhej ta arrestonte Newsom, Trump u përgjigj: “po të isha në vendin e Tomit, do ta bëja. Më duket ide e shkëlqyer.”
Kur u pyet më pas se çfarë krimi kishte kryer Newsom, Trump tha se “krimi i tij kryesor” ishte kandidimi për postin e guvernatorit. Sipas Trumpit, Newsom kishte bërë “një punë kaq të keqe” në drejtimin e shtetit.
Administrata amerikane ka ndërmarrë veprime edhe ndaj politikanëve dhe zyrtarëve të tjerë që kanë humbur mbështetjen e Trumpit. Mes tyre janë ish-drejtori i FBI-së James Comey, prokurorja e përgjithshme e Nju Jorkut Letitia James dhe senatori demokrat Adam Schiff.
Në të gjitha rastet, Trump kishte kërkuar më parë publikisht masa ndaj tyre ose kishte ngritur akuza të ashpra. Të gjithë personat e përmendur kanë mohuar çdo shkelje apo veprim të paligjshëm.
Lini një Përgjigje