
Bordi i Transparencës ka vendosur uljen e çmimit të karburanteve në vend, duke reflektuar ndryshimet e fundit në tregjet ndërkombëtare.
Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e sotme, datë 16 qershor 2026, çmimi maksimal i naftës për shitje me pakicë është caktuar në 180 lekë për litër, duke shënuar një ulje prej 3 lekësh krahasuar me vendimin e mëparshëm.
Ndërkohë, benzina do të tregtohet me një çmim maksimal prej 168 lekësh për litër, ose 2 lekë më pak se niveli i përcaktuar në mbledhjen e fundit të Bordit.
Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi nga ora 14:00 të ditës së sotme dhe do të mbeten në fuqi deri në vendimmarrjen e radhës së Bordit të Transparencës.
Njoftimi i plotë i Bordit të Transparencës
Bordi i Transparencës në datë 16 Qershor 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 180 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 168 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 168 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 156 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 16 ora 14.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ku është parashikuar se në rast se çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan të shitjes me pakicë, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026 dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.
Gazoili për peshkim - çmimi i shitjes së gazoilit për peshkim, referuar Ligjit 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat Kombëtare”, në nenin 9 “Përjashtimet nga pagimi i taksave kombëtare”, pika 6 parashikohet: “Përjashtohen nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit anijet e peshkimit”.
Gjithashtu referuar nenit 10, pika 3 germa “d” të Ligjit 61/2012 “Për akcizat në RSH” parashikohet përjashtimi nga detyrimet e akcizës i karburantit për anijet e peshkimit, në sasitë, kushtet dhe kriteret e përcaktuara në VKM. Referuar metodologjisë së përcaktuar në aktin normativ, çmimi i shitjes së gazolit për peshkim rezulton 84 lekë.
Lini një Përgjigje