Publikohet fotoja aktuale e të shumëkërkuarit Gerd Gjinarari, i cili u arrestua në Belgjikë pas disa vitesh në arrati. Pamjet janë bërë publike nga Policia e Shtetit, e cila konfirmoi kapjen e tij në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar mes autoriteteve ligjzbatuese.
Gjinarari, i njohur me nofkën “Gjenerali”, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi nuk u paraqit për të vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm, pas një vendimi të Gjykatës së Apelit që urdhëroi rikthimin e tij në qeli.
Ai ishte dënuar fillimisht nga drejtësia italiane në vitin 1997 për vrasjen e Naim Zyberit, një personazh i njohur i botës së krimit në Tiranë. Sipas hetimeve të kohës, krimi ndodhi në një spital në Milano, ku Zyberi po merrte trajtim mjekësor.
Dosja hetimore zbardhi se Gjinarari dhe Arben Grori kishin hyrë në dhomën e pacientit duke u paraqitur si të afërm të tij. Autorët dyshohet se kishin fshehur armën brenda një buqete me lule, të cilën e përdorën për të realizuar ekzekutimin.
Në vitin 2014, Gjinarari u ekstradua drejt Shqipërisë, ndërsa Gjykata e Tiranës njohu dhe la në fuqi vendimin e dënimit me burgim të përjetshëm të dhënë nga autoritetet italiane.
Megjithatë, në vitin 2019 ai fitoi lirinë me kusht me një vendim të Gjykatës së Korçës, vendim që shkaktoi debat dhe reagime të forta publike. Më pas, Gjykata e Apelit e rrëzoi këtë vendim dhe urdhëroi rikthimin e tij në burg. Pas këtij momenti, Gjinarari u zhduk dhe u shpall në kërkim ndërkombëtar.
Pas arrestimit të tij në Belgjikë, pritet nisja e procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë, ku do të përballet me ekzekutimin e dënimit të mbetur.
Lini një Përgjigje