JD Vance konfirmon nënshkrimin elektronik të memorandumit të mirëkuptimit, ndërsa detajet e plota të marrëveshjes pritet të publikohen brenda 48 orëve.
Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë hedhur një tjetër hap drejt zbatimit të marrëveshjes së arritur për t'i dhënë fund konfliktit, duke nënshkruar në mënyrë dixhitale memorandumin e mirëkuptimit që u dakordësua gjatë fundjavës.
Lajmi u konfirmua nga zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, i cili në një intervistë për ABC deklaroi se dokumenti është firmosur elektronikisht nga të dyja palët, në pritje të ceremonisë zyrtare që do të zhvillohet të premten në Zvicër.
Sipas Reuters, duke cituar një zyrtar të lartë amerikan, memorandumi është nënshkruar në format digjital nga presidenti Donald Trump, zëvendëspresidenti Vance dhe kryetari i Parlamentit iranian Mohammad Bagher Qalibaf. Të njëjtat informacione janë publikuar edhe nga Axios.
Burimet amerikane bëjnë të ditur se marrëveshja parashikon rihapjen e menjëhershme të Ngushticës së Hormuzit dhe përfundimin e bllokadës detare amerikane ndaj Iranit, ndërsa çështje të tjera, si zhbllokimi i fondeve iraniane dhe lehtësimi i sanksioneve, do të trajtohen në fazat e ardhshme të zbatimit.
Megjithatë, ende nuk është publikuar teksti zyrtar i memorandumit. CNN raportoi se Uashingtoni dhe Teherani kanë dhënë deri tani interpretime jo plotësisht të njëjta mbi hapat që do të pasojnë pas ceremonisë së nënshkrimit, duke lënë të kuptohet se disa elementë të marrëveshjes mbeten për t'u sqaruar.
Ndërkohë, The New York Times, duke cituar tre zyrtarë iranianë, raportoi se Teherani e shtyu finalizimin e dokumentit deri pas mesnatës së së dielës, për të shmangur përkimin e njoftimit me ditëlindjen e presidentit Trump.
Nga Libani, lëvizja shiite Hezbollah përshëndeti zhvillimin, duke e cilësuar memorandumin si një "arritje të madhe" për Iranin dhe duke deklaruar se marrëveshja ka kontribuar në vendosjen e armëpushimit në të gjitha frontet, përfshirë edhe territorin libanez.
Detajet e plota të memorandumit pritet të bëhen publike brenda 24 deri në 48 orëve, ndërsa gjatë kësaj jave pritet të nisin edhe negociatat teknike për zbatimin e marrëveshjes.
Lini një Përgjigje