
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e Ditës së Çlirimit, duke vlerësuar sakrificën e popullit të Kosovës, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë në rrugën drejt lirisë.
Në një mesazh të publikuar në Facebook, kreu i shtetit shqiptar theksoi se çlirimi i Kosovës erdhi falë përkushtimit dhe sakrificës së mijëra burrave e grave që kontribuuan për lirinë e vendit.
“Faleminderit NATO-s që qëndroi në anën e drejtësisë, lirisë dhe dinjitetit njerëzor në një nga momentet më vendimtare të historisë së kombit tonë”, shkroi Begaj.
Presidenti shprehu mirënjohje edhe për luftëtarët e UÇK-së, dëshmorët dhe të gjithë ata që dhanë kontribut në përpjekjet për çlirimin e Kosovës.
Në përfundim të mesazhit të tij, Begaj nderoi kujtimin e të rënëve për liri me fjalët: “Lavdi të përjetshme dëshmorëve të lirisë!”
Kosova shënon këtë 12 qershor 27-vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s, ngjarje që shënoi fundin e luftës dhe hapjen e një kapitulli të ri në historinë e vendit.
Lini një Përgjigje