TAGS-AT E JAVËS

LIVE UPDATES13 Qershor 2026, 19:50

Minutë pas minute/ Dy javë revoltë, qytetarët nuk tërhiqen nga beteja kundër kastës politike

Shkruar nga Pamfleti
5 DITE ME PARE

Qytetari i verbër i bashkohet protestës: Fatkeqësia jonë nuk janë aftësitë e kufizuara, por qeveria

Minutë pas minute/ Dy javë revoltë, qytetarët nuk
Momente nga protesta

Një moment prekës është shënuar gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, ku një qytetar i verbër iu bashkua tubimit dhe mbajti një fjalim në emër të personave me aftësi të kufizuara.

Duke folur para protestuesve, ai deklaroi se komuniteti që përfaqëson ndan të njëjtat shqetësime me qytetarët e tjerë dhe se prej vitesh përballet me diskriminim, përjashtim dhe mungesë mundësish.

Unë që po ju flas jam një person i verbër. Përfaqësoj grupin e personave me aftësi të kufizuara, që ka ardhur sot t’i bashkangjitet kësaj proteste madhështore. Ne protestojmë bashkë me ju, sepse hallet e Shqipërisë gjithmonë i kemi ndjerë si hallet tona. Ne protestojmë për një të nesërme që dyert e tregut të punës të mos jenë të mbyllura për personat me aftësi të kufizuara. Të mos ketë diskriminim. Fatkeqësia jonë nuk janë aftësitë e kufizuara, por qeveria, që asnjëherë nuk ka menduar për nevojat tona, por vetëm na ka shtypur, izoluar e përjashtuar. Ne jemi në këtë protestë, që kur kjo protestë ta arrijë qëllimin e vet, të mos na duhet të protestojmë veçmas. Hallet tona janë edhe tuajat. Hallet tuaja janë edhe tonat”, tha ai.

Fjalimi i tij u prit me duartrokitje nga të pranishmit, ndërsa mesazhi i solidaritetit me protestuesit u bë një nga momentet më të veçanta të tubimit.

 

5 DITE ME PARE

"Gjatë operacionit iu fikën dritat", halla e Erjon Bobës demaskon sistemin shëndetësor

Minutë pas minute/ Dy javë revoltë, qytetarët nuk
Viktima Erjon Boba

Një nga momentet më prekëse të protestës së mbajtur këtë të shtunë para Kryeministrisë ishte fjalimi i hallës së 15-vjeçarit Erjon Boba, i cili humbi jetën pasi u qëllua me thikë nga një bashkëmoshatar.

Mes lotësh dhe emocionesh, ajo rrëfeu dhimbjen e familjes, ndërsa artikuloi akuza të forta ndaj institucioneve shtetërore, duke pretenduar se në tragjedinë që i mori jetën nipit të saj ka ndikuar edhe gjendja e sistemit shëndetësor.

“Unë jam halla e Erionit. Ai u vra me thikë nga një bashkëmoshatar, por e vrau edhe shteti, sepse gjatë operacionit u fikën dritat në spital! Plagët e këtij vendi janë lotët e nënave shqiptare që nuk i kanë fëmijët. Të bashkohen me të gjitha lotët e tyre, që peshojnë shumë mbi tokën shqiptare. Unë jam mësuese dhe jam poete që shkruaj, por pena ime loton për Erionin prej muajsh. Dhimbja jonë do shërohet kur të shërohet Shqipëria. Shporruni të shpëtojë ky vend! Bravo rinia shqiptare, e gëzofshi Shqipërinë e bukur!”, u shpreh ajo para protestuesve.

Fjalimi i saj u prit me duartrokitje nga të pranishmit, ndërsa shumë protestues e shoqëruan me thirrje për drejtësi. Deklarata e familjares së 15-vjeçarit riktheu në vëmendje rastin që tronditi opinionin publik dhe debatet mbi sigurinë e të rinjve, funksionimin e institucioneve dhe sistemin shëndetësor në vend.

Prania e saj në protestë ishte një nga momentet më emocionale të tubimit, ku zëri i familjarëve të viktimave u bashkua me thirrjet e protestuesve për drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

5 DITE ME PARE

Nga Italia, në SHBA e Britani, protestat nuk ndalen edhe jashtë; qindra shqiptarë para ambasadës në Uashington

Minutë pas minute/ Dy javë revoltë, qytetarët nuk
Protesta në SHBA

Lëvizja protestuese kundër qeverisë dhe klasës politike shqiptare ka kaluar tashmë kufijtë e vendit, teksa shqiptarët e diasporës janë mobilizuar sot në disa prej qyteteve kryesore të botës në mbështetje të protestave që po zhvillohen prej dy javësh në Shqipëri.

Tubime dhe grumbullime protestuese janë raportuar në Londër, Milano, Gjermani dhe Australi, ku emigrantët shqiptarë kanë dalë në mbështetje të kërkesave të ngritura nga protestuesit në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

Një nga protestat më simbolike po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku shqiptarët janë mbledhur përpara Ambasadës Shqiptare në Washington DC. Me flamuj kombëtarë dhe pankarta, pjesëmarrësit kanë shprehur mbështetjen e tyre për protestat kundër qeverisë dhe asaj që e cilësojnë si kastë politike të tranzicionit.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë grupe shqiptarësh të mbledhur në disa vende të botës, duke përcjellë mesazhe solidariteti me protestuesit në Shqipëri dhe duke kërkuar ndryshime politike, më shumë llogaridhënie dhe luftë kundër korrupsionit.

Zgjerimi i protestave jashtë vendit vjen në ditën e 14-të të lëvizjes qytetare, e cila nisi me kundërshtimin e projekteve të diskutueshme në bregdet dhe më pas u shndërrua në një protestë më të gjerë kundër qeverisë dhe elitës politike.

Organizatorët e protestave në diasporë kanë deklaruar se mobilizimi nuk do të mbetet një akt simbolik, por synon të tregojë se pakënaqësia ndaj situatës politike në Shqipëri ndihet edhe nga shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.

5 DITE ME PARE

“Mos dëgjoni kur thonë me shtetin nuk luhet”, aktivisti nga diaspora: T’i japim një shkelm dhe ta rrëzojmë nga kali këtë klasë politike

Minutë pas minute/ Dy javë revoltë, qytetarët nuk

Aktivisti Florian Haçkaj është bashkuar ditën e sotme me protestuesit para Kryeministrisë, në ditën e 14 të saj. Gjatë fjalës së tij Haçkaj deklaroi se përmes kësaj proteste duhet t’i japin një shkelm Edi Ramës dhe klasës politike. 

Përmes një shprehjeje popullore aktivisti deklaroi se me shtetin duhet të luhet dhe jo të ndiqet këshilla e paraardhësve.

“Na kanë rritur duke na thënë që më zjarrin, ujin dhe shtetin të mos luajmë, por ne duhet të luajmë.

Sot kemi pasur protesta në të gjithë botën, kam dëgjuar shpesh Rama jepe dorëhqjen, këta kur hipin majë kalit nu zbresin. Duhet të bashkoheni ju këtu me ne të përkushtuarit në diasporë dhe t’i japim një shkelm dhe ta hedhim, të rrëzojmë jo vetëm Ramën, por këtë klasë të kalbur”, tha ai.

5 DITE ME PARE

"Rama të kam lënë Zotin",19-vjeçari ‘shpërthen’ në protestë: Babait tim i vdiq pacienti për oksigjen në ambulancë!

Minutë pas minute/ Dy javë revoltë, qytetarët nuk
19-vjeçari ‘shpërthen’ në protestë

Një i ri që u prezantua si Everest Bardhi, 19 vjeç nga Fani i Mirditës tregoi në protestën para Kryeministrisë historinë e babait të tij, ish-infermier në Urgjencën e Tiranës.

Ai tha se babait të tij i kishte ndërruar jetë një pacient për mungesë oksigjeni në ambulancë.

Në fund të mesazhit, ai iu drejtua kryeministrit duke deklaruar se nuk kërkon hakmarrje, por se drejtësinë do ta bëjë Zoti për të gjithë shqiptarët.

Protestuesi: Jam Everest Bardhi, 19 vjeç nga Fani i Mirditës. Babi im ka qenë dikur infermier, duke ditur se kush është në krye të vendit Ramoviçi, tek urgjenca e Tiranës, i ka vdekur personi për oksigjen në ambulancë. Njësoj si të ngordhë një peshk për ujë në det. Turp. Kauza e parë për babanë tim. I them kryeministrit se nuk do të hakmerrem, të kam lënë të madhin zot, gjynahet do të t’i kthejë i madhi zot jo vetëm të babit tim, por të të gjithë shqiptarëve.

 

5 DITE ME PARE

Tërbohet Edi Rama, krahason protestuesit me nazifashistët dhe Agimin e Artë

Minutë pas minute/ Dy javë revoltë, qytetarët nuk
Edi Rama

Teksa protestat kundër qeverisë po zgjerohen dhe thirrjet “Rama jepe dorëheqjen” po dëgjohen nga bulevardi deri në aktivitete publike, kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj protestuesve, duke denoncuar atë që e cilëson si klimë presioni dhe intimidimi. Në një reagim të gjatë, kreu i qeverisë shkoi deri te krahasimet me lëvizje ekstremiste të historisë, ndërsa protestuesit vijojnë mobilizimin kundër qeverisë dhe klasës politike.

Teksa protestat kundër qeverisë po hyjnë në javën e tretë dhe po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje publike, kryeministri Edi Rama ka reaguar me një nga qëndrimet e tij më të ashpra deri tani ndaj protestuesve dhe mbështetësve të tyre në rrjetet sociale.

Reagimi i kreut të qeverisë vjen vetëm një ditë pasi në koncertin e këngëtarit Yll Limani u dëgjuan thirrje si “Rama jepe dorëheqjen”, ndërsa më pas në rrjetet sociale u zhvillua një debat i fortë politik rreth artistit dhe pjesëmarrjes së tij në aktivitet.

Në një reagim të gjatë publik, Rama dënoi ashpër sulmet online ndaj këngëtarit, duke i cilësuar si pjesë të një fenomeni më të gjerë që, sipas tij, po shoqëron protestat e ditëve të fundit.

Kryeministri foli për një klimë presioni, intimidimi dhe kërcënimesh ndaj kujtdo që nuk bashkohet me protestat, ndërsa argumentoi se po krijohet ideja se kush nuk proteston etiketohet si kundërshtar apo armik.

Madje, Rama shkoi edhe më tej, duke bërë krahasime historike me lëvizje ekstremiste të së kaluarës. Ai përmendi skuadrat e zeza të Benito Musolinit në Itali, militantët nazistë në Gjermani dhe organizatën ekstremiste greke “Agimi i Artë”, duke paralajmëruar për rrezikun që, sipas tij, sjell fryma e përjashtimit dhe e presionit ndaj mendimit ndryshe.

Sipas kryeministrit, protesta është një e drejtë demokratike që duhet respektuar, por ai akuzoi një pjesë të protestuesve se po ushtrojnë presion ndaj qytetarëve që nuk i bashkohen lëvizjes.

Reagimi i Ramës vjen në një moment kur protestat e nisura fillimisht për çështje që lidhen me investimet strategjike në bregdet janë shndërruar në tubime me kërkesa të hapura politike. Në protestat e fundit janë dëgjuar thirrje për dorëheqjen e qeverisë, arrestimin e klasës politike dhe ndërhyrjen e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë.

Postimi i plotë

Nuk e njoh Ylli Limanin.

Nuk e dëgjoj muzikën e tij. Por dhunën online ndaj tij, thirrjet e dhunshme për bojkot të koncertit të tij, kërcënimet pas suksesit të mbrëmshëm të tij, i konsideroj si shprehjen më të neveritshme të një fenomeni që po e shoqëron protestën e bulevardit; një formë degradimi e jetës publike në kanalet sociale tanimë e ngritur në një nivel të ri dhune në grup, që nuk duhet justifikuar, nuk duhet relativizuar dhe nuk duhet pranuar assesi me strukjen në qoshen e heshtjes, po duhet luftuar me forcën e fjalës.

Fakti është se po bie pak e nga pak histeria ndërkombëtare e rrjeteve sociale, e cila nuk ka asnjë lidhje me natyrën e Shqipërisë, me Zvërnecin a me flamingot e Nartës, por ushqehet nga kundërshtira ideologjike të sojsoshme, ku padyshim kundërshtia ndaj Presidentit amerikan është kryesorja fare - se ndryshe dyshoj shumë që një ndërkombëtar i vetëm do të merrej me një projekt zhvillimi turistik në Shqipëri. E s’ka si ndodh ndryshe, do bjerë pak e nga pak, sepse Shqipëria është një shesh shumë i vogël për përsheshin global anti-Trump!

Por nga ana tjetër po ngrihet përditë e më shumë një dallgë dhune verbale, plot presion, vulgaritet e kërcënime ndaj kujtdo që nuk rreshtohet me protestuesit e bulevardit, që nga thirrjet rrugëve “çohuni nga kafja” se medemek atdheu ju thërret, tek thirrjet për të bllokuar rrugë se medemek kush do të bëjë punë të tjera duhet detyruar të merret me punën atdhetare të bulevardit, e deri tek një histeri intimiduese online në emër të atdheut që s’ka asnjë lidhje me elegancën e me paqen e flamingove!

Historia na ka treguar më shumë se sa njëherë dhe më shpesh se sa në një kohë, që kjo është pikërisht forma se si janë shfaqur historikisht shumë lëvizje të cilat më pas janë shndërruar në shembëlltyra të organizuara të intolerancës politike e sociale. Jo duke bindur me argumente logjikë, por duke u imponuar me presion pseudo- moral. Jo duke respektuar të drejtën e tjetrit për të menduar ndryshe, por duke e shpallur tradhtar, të shitur, armik të popullit apo bashkëpunëtor të së keqes këdo që nuk i nënshtrohet thirrjes pseudo-atdhetare.

Me auto-sugjestionin se vetëm një grup njerëzish zotëron të vërtetën absolute, ushqehet përçmimi ndaj shumicës që nuk bashkohet me ta dhe mbështetet ideja e ligë, se ata që nuk protestojnë duhen turpëruar, izoluar, penguar apo deri edhe largqoftë, dhunuar fizikisht derisa të detyrohen të zgjedhin anë. Dhe kështu demokracia nuk merr më shumë frymë, po fillon të humbasë pulsin e saj.

Asnjë lëvizje ekstremiste nuk nis duke marrë pushtetin me forcë, po duke pretenduar se vetëm ajo e përfaqëson kombin, vetëm ajo e dëgjon zërin e popullit dhe vetëm ajo ka të drejtën morale për të vendosur në emër të popullit, se kush është patriot e kush jo.

Në Itali, skuadronet e zeza të Musolinit u shfaqën duke intimiduar kundërshtarët në rrugë para se të pushtonin institucionet - kush ecte në punën e tij ishte shënjestra e tyre e preferuar. Në Gjermani, militantët nazistë krijuan rrugëve një klimë frike e presioni shoqëror, kohë përpara se të fitonin pushtetin - çohuni nga kafja ishte ulërima e tyre e preferuar. Në Greqi, Agimi i Artë u ngrit mbi të njëjtën frymë përjashtuese, agresive dhe nacionaliste, duke ushqyer ndasi, urrejtje dhe presion ndaj kujtdo që nuk i nënshtrohej hajvanllëkut të vet pseudo-patriotik, për Greqinë që duhet të ishte vetëm e grekëve!

“Ne jemi populli i vërtetë” dhe kush s’është me ne është “armiku i popullit”, është formula që i paraprin pasojave të rënda politike e shoqërore kur kjo formulë përqafohet nga një grupim njerëzish me fjalor të kufizuar, po me mëri të shrenuar.

Dhe këtu nuk është aspak fjala se kush proteston sot duhet etiketuar me vrap si neo-fashist, kurrësesi jo, sepse shumëkush nga ushtruesit e dhunës online as nuk e di fare se çfarë bën! Por fjala është tek fakti se kush dhunon online ata që nuk rreshtohen me protestën, e që janë padiskutim shumica e popullit shqiptar (ende përtej shumicës që mbështet qeverinë e Partisë Socialiste), jo vetëm nuk e bën Shqipërinë më të mirë po godet aty mu ku Shqipëria ka pikën e vet më të fortë, refuzimin e saj organik ndaj frymës nacional-socialiste apo neo-komuniste, prej të cilave shqiptarët kanë parë picirrin e zi dhe të cilat kanë bashkuar në bulevard edhe ekstremet politike të shqiptarësi së shtirur, nga llapaqorrat tek qorrallapat pa harruar grusht-shtetasit e lodhur të 1998-ës apo të ardhurit nga treva të tjera shqiptare për të mbrojtur Shqipërinë nga zhvillimi i turizmit!

Prandaj diskutimi nuk është aspak nëse dikush proteston apo jo. Protesta është e drejtë demokratike dhe duhet respektuar gjithmonë; shumica qeverisëse e Partisë Socialiste e ka respektin për protestën një ndër plot arritjet demokratike të kësaj periudhe. Por po ashtu e drejta e fjalës është më e rëndësishme se sa përmbajtja e fjalëve dhe kur protesta nxjerr si hije të vetën, pretendimin se kush nuk proteston është më pak qytetar, më pak patriot apo më pak shqiptar atëherë demokracia nuk rrezikohet nga lart po nga poshtë.

Dhe historia na ka mësuar më shumë se sa një herë, që kur dialogu zëvendësohet nga anatema, argumenti nga sharja dhe bindja nga frikësimi, e kur turma merr kot duke i dhënë vetes të drejtën të vendosë kush ka të drejtë të flasë e kush jo, përfundimi nuk është kurrë liria po fundi i saj. Nga kjo frymë Shqipëria vetëm humbet, ekonomia vetëm tkurret, investimet vetëm largohen dhe e ardhmja vetëm mjegullohet.

Por ky popull nuk ka ardhur deri këtu për t’u kthyer mbrapa atje ku ishte, po për t’u ngjitur më lart. Pa frikë nga lartësia ku s’ka qenë kurrë, po me bindjen që çfarë e ka penguar në shekuj të arrijë aty, nuk ka për ta penguar dot më dhe me vendosmërinë për t’ia dalë deri në fund këtë herë, edhe sikur të tërë djajtë të bëhen bashkë për t’ia punuar siç ia kanë punuar jo njëherë në historinë e vet të dhimbshme. 

 

5 DITE ME PARE

“E çova në shkollë dhe nuk m’u kthye më”, mesazhi prekës i nënës së Martin Canit në protestë

Minutë pas minute/ Dy javë revoltë, qytetarët nuk
E ëma e Martin Canit në protestë

Nëna e të miturit që humbi jetën pas një sulmi me thikë kërkoi drejtësi dhe siguri për fëmijët, ndërsa iu bashkua protestës së 14-të para Kryeministrisë.

Një nga momentet më emocionuese të protestës së 14-të radhazi para Kryeministrisë ishte fjalimi i nënës së Martin Canit, të miturit që humbi jetën pasi u godit me thikë nga një bashkëmoshatar.

Mes duartrokitjeve të protestuesve, ajo u ngjit në podium dhe foli për dhimbjen e humbjes së të birit, duke kërkuar siguri për fëmijët dhe drejtësi për familjet shqiptare.

“Mendova të bashkohem me ju për fëmijën tim dhe fëmijët shqiptarë kudo që janë. Duam siguri! E çova në shkollë dhe nuk më u kthye më. Jo nga paedukata, por nga pakujdesia e këtyre që kanë degraduar arsimin, shëndetësinë e të gjitha me radhë!

Kam 18 muaj që protestoj dhe më mbushet zemra teksa shoh Tiranën të mbushur me rini! Duam drejtësi dhe rend nëpër gjykata, duam drejtësi! Poshtë kjo qeveri e krimit, poshtë Edi Rama! Duam drejtësi!”, u shpreh ajo para protestuesve.

Deklarata e saj u prit me reagime dhe duartrokitje nga pjesëmarrësit, ndërsa shumë prej tyre e shoqëruan me thirrje për drejtësi. Prania e nënës së Martin Canit në protestë u konsiderua një nga momentet më domethënëse të tubimit, duke rikthyer në vëmendje kërkesat për më shumë siguri në shkolla dhe për zbardhjen e plotë të rasteve që kanë tronditur opinionin publik.

 

5 DITE ME PARE

Me zinxhirë në duar, protestuesja “arreston” Ramën para Kryeministrisë!

Minutë pas minute/ Dy javë revoltë, qytetarët nuk
Pankarta pikante në protestë

Një nga momentet më pikante në protestën së sotme para Kryeministrisë ishte shfaqja e një protestueseje me duart e lidhura me zinxhir dhe me një maskë të fytyrës së kryeministrit Edi Rama.

Protestuesja mbante mbi kokë një pankartë me mbishkrimin “I pandehuri Edi Rama, tradhtar i kombit”, ndërsa zinxhirët dhe dryni në duart e saj u interpretuan nga të pranishmit si një formë simbolike proteste kundër kreut të qeverisë.

Pamja tërhoqi vëmendjen e protestuesve dhe kalimtarëve, duke u kthyer në një nga imazhet më të komentuara të tubimit. Aksioni u zhvillua mes thirrjeve dhe pankartave të shumta që shoqëruan marshimin drejt Kryeministrisë, ku qytetarët shprehën qëndrimet e tyre për zhvillimet politike në vend.

Simbolet, maskat dhe pankartat kanë qenë ndër elementët më të pranishëm të protestës së 14-të radhazi, ku pjesëmarrësit kanë zgjedhur të përcjellin mesazhet e tyre përmes formave të ndryshme artistike dhe simbolike.

 

5 DITE ME PARE

“Shqiptarët kërkojnë drejtësi”, protestuesit thirrje SPAK-ut: Je shpresa e vetme, arrestoni mafien politike

Minutë pas minute/ Dy javë revoltë, qytetarët nuk
Dumani & Braho - Pamje nga protesta

Protestuesit kërkojnë kthimin e Dumanit në krye të SPAK: Duam arrestimin e politikanëve

Protesta e zhvilluar para Kryeministrisë është shoqëruar me thirrje të forta kundër klasës politike, por edhe me kërkesa të drejtpërdrejta për rikthimin e Altin Dumanit në krye të SPAK.

Gjatë tubimit, një prej protestuesve mori fjalën duke kërkuar që Dumani, i cili ka përfunduar mandatin në krye të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të rikthehet në drejtimin e institucionit për të vijuar goditjen ndaj korrupsionit dhe zyrtarëve të lartë.

Në fjalën e tij, protestuesi i bëri thirrje SPAK-ut të veprojë sa më shpejt kundër asaj që e cilësoi si “mafia oligarkike” dhe klasë politike e korruptuar.

A jeni dakord për rikthimin e Altin Dumanit edhe për një mandat, për arrestimin e kësaj klase politike. Altin Dumani riktheu, merr frenat e arrestimeve sa më parë. SPAK vepro sa nuk është vonë. Ti ke besimin e popullit shqiptar. Shqiptarët kërkojnë drejtësi dhe arrestimin e mafies oligarkike, arrestimin e kësaj klase politike sa më shpejt duam drejtësi. Edi Rama o tradhtar jep dorëheqjen sa më parë”, tha protestuesi.

Thirrja u prit me duartrokitje dhe mbështetje nga një pjesë e pjesëmarrësve në protestë, e cila prej ditësh ka dalë përtej kundërshtimit të projekteve të caktuara dhe është shndërruar në një lëvizje me kërkesa të hapura politike kundër qeverisë dhe elitës drejtuese të vendit.

Protestuesit deklarojnë se do të vijojnë mobilizimin edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur se Shqipëria ka nevojë për drejtësi, llogaridhënie dhe ndëshkim të korrupsionit në nivelet më të larta të pushtetit.

5 DITE ME PARE

Bulevardi jehon kundër politikës së vjetër: Burg për Ramën dhe Berishën!

Minutë pas minute/ Dy javë revoltë, qytetarët nuk
Protesta

Qytetarë nga Shqipëria dhe diaspora i janë bashkuar protestës së 14-të radhazi në Tiranë, ndërsa refreni më i dëgjuar gjatë marshimit ishte “Rama në burg, Berisha në burg”.

Nën thirrjet “Rama jepe dorëheqjen” dhe “Shqipëri e Re”, qindra protestues kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë në kuadër të protestës së 14-të radhazi që po zhvillohet në kryeqytet.

Atmosfera në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është shoqëruar nga pankarta, flamuj kombëtarë dhe thirrje të vazhdueshme kundër klasës politike. Mes sloganeve më të dëgjuara gjatë protestës ishte edhe “Rama në burg, Berisha në burg”, një mesazh që u përsërit nga protestuesit gjatë marshimit dhe që u kthye në refrenin kryesor të tubimit.

Në protestë ranë në sy dhjetëra pankarta me mesazhe politike, ironike dhe satirike, të drejtuara ndaj figurave kryesore të politikës shqiptare. Një prej tyre mbante mbishkrimin “Çdo gjë ndryshon... edhe Çezari ishte perandor, tani është sallatë”, shoqëruar me karikatura që ironizonin kultin e individit në politikë.

Minutë pas minute/ Dy javë revoltë, qytetarët nuk

Një tjetër mesazh që u dëgjua shpesh gjatë protestës ishte edhe thirrja “Bashkohuni me ne”, përmes së cilës organizatorët dhe pjesëmarrësit u bënin apel qytetarëve të tjerë t’i bashkoheshin lëvizjes.

Minutë pas minute/ Dy javë revoltë, qytetarët nuk

Një nga momentet që tërhoqi më shumë vëmendje gjatë protestës ishte një protestuese që ishte me një maskë që paraqiste kryeministrin Edi Rama me brirë, ndërsa duart i kishte të lidhura simbolikisht me zinxhirë dhe një dry.

Krahas këtij aksioni simbolik, ajo mbante edhe një pankartë me mbishkrimin “I pandehuri Edi Rama, tradhtar i kombit”, duke përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë politik ndaj kreut të qeverisë.

Minutë pas minute/ Dy javë revoltë, qytetarët nuk

Pjesëmarrësit shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj situatës politike në vend, ndërsa kërkuan përgjegjësi për atë që e konsiderojnë dështim të elitës politike në këto tre dekada.

Minutë pas minute/ Dy javë revoltë, qytetarët nuk

Përmes thirrjeve dhe pankartave, protestuesit synuan të përcjellin mesazhin se pakënaqësia e tyre nuk lidhet vetëm me qeverinë aktuale, por me të gjithë klasën politike që ka drejtuar vendin ndër vite.

Minutë pas minute/ Dy javë revoltë, qytetarët nuk

Në marshim bie në sy edhe pjesëmarrja e emigrantëve shqiptarë, të cilët kanë mbërritur nga vende të ndryshme të Europës dhe më gjerë për t'iu bashkuar protestës. Në shesh janë valëvitur flamuj shqiptarë, por edhe simbole të shteteve ku jetojnë komunitete të mëdha shqiptare, me flamujt britanikë që dominojnë dukshëm mes turmës.

Protesta të ngjashme po zhvillohen edhe në vende të ndryshme të botës ku jetojnë shqiptarë, në një përpjekje për të koordinuar zërin e diasporës me atë të qytetarëve në Shqipëri.

Minutë pas minute/ Dy javë revoltë, qytetarët nuk

Teksa marshimi po afrohet drejt Kryeministrisë, protestuesit vijojnë thirrjet kundër qeverisë dhe klasës politike, duke kërkuar ndryshim, drejtësi dhe një model të ri qeverisjeje për vendin.

Minutë pas minute/ Dy javë revoltë, qytetarët nuk

5 DITE ME PARE

Me flamuj britanikë para Kryeministrisë, emigrantët i bashkohen protestës kundër qeverisë

Minutë pas minute/ Dy javë revoltë, qytetarët nuk
Pamje nga protesta

Protestat qytetare kundër qeverisë dhe klasës politike kanë hyrë në ditën e 14-të, ndërsa qindra qytetarë janë mbledhur këtë të diel para Kryeministrisë në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshim të sistemit politik në vend.

Nën thirrjet “Rama jepe dorëheqjen”, “Berisha në burg, Rama në burg” dhe “Shqipëri e Re”, protestuesit u mblodhën përpara selisë së qeverisë, duke vijuar mobilizimin që prej gati dy javësh ka përfshirë zona të ndryshme të vendit.

Lëvizja protestuese e ka zanafillën te kundërshtimi i projekteve turistike në bregdet, fillimisht në Zvërnec dhe më pas në Rrjoll, ku banorët kanë ngritur shqetësime për mbrojtjen e pronës private, transparencën e investimeve strategjike dhe ndikimin e tyre në mjedis. Megjithatë, me kalimin e ditëve, protesta ka marrë një karakter më të gjerë politik, duke u shndërruar në një manifestim kundër qeverisë dhe asaj që organizatorët e quajnë “kastë politike e tranzicionit”.

Gjatë tubimit u vunë re flamuj kombëtarë shqiptarë, por edhe simbole të shteteve ku jetojnë emigrantët shqiptarë. Në veçanti dominuan flamujt e Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa një numër i konsiderueshëm emigrantësh kanë udhëtuar drejt Shqipërisë për t'iu bashkuar protestës.

Sipas organizatorëve, pjesëmarrja e emigrantëve është rezultat i thirrjeve të bëra ditët e fundit për një mobilizim mbarëkombëtar, me synimin për të zgjeruar lëvizjen dhe për t'i dhënë asaj një shtrirje më të madhe brenda dhe jashtë vendit.

Protestuesit deklarojnë se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur se kërkesat e tyre tashmë shkojnë përtej çështjeve lokale dhe lidhen me ndryshime të thella politike dhe institucionale në vend.

5 DITE ME PARE

"Po ikën rinia"/ Atletet bosh para Kryeministrisë japin mesazhin e fortë!

Minutë pas minute/ Dy javë revoltë, qytetarët nuk
Atletet rreshtojnë atletet para Kryeministrisë

Një momentet simbolik u protestës së 14-të radhazi para Kryeministrisë ishte vendosja e dhjetëra palëve atlete në sheshin përballë institucionit.

Protestuesit e cilësuan këtë veprim si një mënyrë për të përfaqësuar të rinjtë që kanë lënë vendin në vitet e fundit për shkak të mungesës së mundësive ekonomike dhe sociale.

Atletet u rreshtuan përgjatë hyrjes së Kryeministrisë, duke krijuar një imazh simbolik të mungesës së një pjese të konsiderueshme të rinisë shqiptare. Sipas pjesëmarrësve, ato përfaqësojnë mijëra të rinj që kanë zgjedhur emigracionin si alternativën e vetme për të ndërtuar të ardhmen e tyre.

Përmes këtij aksioni, protestuesit synuan të tërhiqnin vëmendjen ndaj asaj që e konsiderojnë një nga plagët më të mëdha sociale të vendit. Ata theksuan se largimi i të rinjve po ndikon jo vetëm në tregun e punës, por edhe në zhvillimin ekonomik dhe perspektivën afatgjatë të Shqipërisë.

 

5 DITE ME PARE

Protestuesit nuk ndalen, dita e 14-të në shesh për largimin e Edi Ramës!

Minutë pas minute/ Dy javë revoltë, qytetarët nuk
Foto nga protesta

Protestuesit janë shfaqur sërish me pankarta, thirrje dhe mesazhe kundër Ramës dhe kastës së vjetër të politikës... 

Ka nisur pasditen e kësaj të shtune protesta e 14-të radhazi e organizuar në Tiranë, ku qytetarë nga kryeqyteti dhe qytete të tjera të vendit janë mbledhur përpara Kryeministrisë.

Pjesëmarrësit kanë filluar të grumbullohen në zonën e protestës që në orët e pasdites, duke mbajtur pankarta dhe flamuj kombëtarë. Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive, duke e cilësuar këtë tubim si një vazhdim të reagimit qytetar ndaj problematikave që, sipas tyre, prekin vendin.

Protesta e sotme shënon tubimin e 14-të radhazi, duke vijuar një seri manifestimesh të mbajtura në javët e fundit. Në fokus të saj janë kërkesat për më shumë transparencë, llogaridhënie institucionale dhe adresimin e shqetësimeve të ngritura nga protestuesit.

Në vendngjarje janë vendosur forca të shumta policie për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë zhvillimit të tubimit. Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, protesta po zhvillohet pa incidente.

Ashtu si në ditët e tjera, edhe sot pritet të mbahen fjalim para godinës së kryeministrisë, e më pas priten marshime në rrugët e kryeqytetit. Sot pritet një pjesëmarrje më masive, pasi qytetarët që kanë marrë përsipër organizimin e protestës u kanë bërë thirrje shqiptarëve nga të gjitha zonat e vendit, por edhe atyre që jetojnë jashtë Shqipërisë, të solidarizohen dhe t’i bashkohen tubimit.

Ajo që bie në sy gjatë këtyre ditëve është fakti se protesta ka tejkaluar prej kohësh kauzën që e ndezi fillimisht. Në rrugët e Tiranës nuk dëgjohen vetëm thirrje kundër qeverisë, por edhe kundër klasës politike në tërësi, duke reflektuar një pakënaqësi më të gjerë që shkon përtej një çështjeje të vetme.

Për shumë prej pjesëmarrësve, protesta është shndërruar në një reagim ndaj korrupsionit, keqqeverisjes, largimit të të rinjve nga vendi, mungesës së besimit te institucionet dhe tranzicionit të zgjatur politik që ka dominuar Shqipërinë për më shumë se tre dekada.

Mediat ndërkombëtare kanë transmetuar “live” protestën në Tiranë, që në ditën e 11-të, konsiderohet ndër më të mëdhatë që është organizuar në kryeqytetin shqiptar në të paktën 20 vitet e fundit. E veçanta e protestave qytetare është se ato janë krejtësisht paqësore dhe nuk është regjistruar asnjë incident, çka duket se ka mbajtur larg edhe forcat e sigurisë, që gjithësesi e monitorojnë nga larg situatën.

 

Lini një Përgjigje