
Protesta e njëmbëdhjetë radhazi po mbahet ditën e sotme në Tiranë, kundër investimit në Zvërnec dhe përkon me 148-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit dhe kjo nuk mund të kalonte pa u vënë në dukje nga protestuesit.
Ky përvjetor është kujtuar nga protestuesit në forma të ndryshme, ku më origjinalja është hedhja e firmave të qytetarëve në një pankartë të madhe ku shkruhet ‘lidhja është gjallë’. Në këtë formë, protestuesit krahasojnë lidhjen e Prizrenit të vitit 1878 me protestat e vitit 2026.
Kujtojmë se dita e njëmbëdhjetë vjen pas një marshimi maratonë një natë më parë, ku mijëra qytetarë qëndruan për orë të tëra në rrugët e Tiranës, duke kaluar nga bulevardi drejt zonës së Korpusit Universitar dhe më pas duke u rikthyer sërish në qendër të qytetit.
Ajo që bie në sy gjatë këtyre ditëve është fakti se protesta ka tejkaluar prej kohësh kauzën që e ndezi fillimisht. Në rrugët e Tiranës nuk dëgjohen vetëm thirrje kundër qeverisë, por edhe kundër klasës politike në tërësi, duke reflektuar një pakënaqësi më të gjerë që shkon përtej një çështjeje të vetme.
Po aq e komentuar ishte edhe pankarta “Tepsia do kurban”, pranë së cilës shfaqeshin fotografitë e Edi Ramës dhe Sali Berishës, si simbol i kundërshtimit ndaj dy kampeve kryesore politike...
Me mijëra qytetarë po protestojnë në ditën e 11-të në Tiranë, duke kërkuar largimin e Edi Ramës si kryeministër. Protesta nisi në orën 18:00 në sheshin Skëndërbej, që është kthyer në një vendtakim për të gjithë protestuesit, që më pas marshojnë drejt Kryeministrisë, atje ku me një ‘podium’ të improvizuar mbahen fjalimet.
Thirrja e kthyer tashmë në simbol të protestës është “Rama në burg, Berisha në burg”, por edhe ajo “Ju erdhi fundi”, thirrje që i drejtohet politikës së vjetër.
Thirrja e re që ka shoqëruar protestën e sotme ishte gjithashtu drejtuar për Edi Ramën dhe Sali Berishën, që protestuesit i konsiderojnë si “aleatë” që mbajnë njëri-tjetrin në politikë dhe e kontrollojnë tërësisht atë, ishte “O Ramë o fosil, ik me Salën në azil”.
Pankarta tregon Ramën dhe Berishën, i pari me një karrige me rrota dhe tjetri me një mbajtëse, që e përdorin të moshuarit për të ecur.
Po aq e komentuar ishte edhe pankarta “Tepsia do kurban”, pranë së cilës shfaqeshin fotografitë e Edi Ramës dhe Sali Berishës, si simbol i kundërshtimit ndaj dy kampeve kryesore politike.
Mes protestuesve u panë edhe pankarta me tone patriotike dhe historike. Një prej tyre krahasonte Lidhjen e Prizrenit me diasporën shqiptare të ditëve të sotme, me mesazhin: “Prizren 1878, u bënë bashkë shqiptarët e 5 vilajeteve. Tiranë 2026, bëhen bashkë shqiptarët e 5 kontinenteve.”
Një grup studentësh marshuan me pankartën e madhe “Nuk i ke larë akoma hesapet me studentët”, ndërsa mbanin në duar mesazhe si “Kur studentët ngrihen shteti dridhet”, “Pa rininë nuk ka Shqipëri” dhe “Tani është radha jonë”, duke rikthyer në protestë frymën e lëvizjeve studentore.
Nuk munguan as mesazhet kundër vendimmarrjes së qeverisë. Në një tjetër pankartë shkruhej “Toka jonë, vendimi ynë”, ndërsa një tjetër i drejtohej drejtpërdrejt kryeministrit me mesazhin: “Rama, më shkarko po ta mbajti!”, duke ironizuar përplasjet mes qytetarëve dhe institucioneve.
Ndërkohë, një nga pankartat më të detajuara paraqiste edhe një platformë politike me kërkesa konkrete, ku kërkohej “Qeveri e re, rrënjësisht”, shpërndarje e pushtetit, kufizim i mandatit të kryeministrit në 1-2 vite dhe një model qeverisjeje më pranë qytetarëve.
Për shumë pjesëmarrës, pankartat nuk ishin thjesht mjete proteste, por forma më e drejtpërdrejtë për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë, opozitës dhe sistemit politik në tërësi. Në një protestë të mbushur me thirrje dhe slogane, ishin pikërisht pankartat ato që tërhoqën vëmendjen më të madhe dhe u bënë menjëherë virale në rrjetet sociale.
Protestuesit bënë thirrje që zëri i tyre të dëgjohej deri në Surrel, atje ku Edi Rama ka vilën e tij.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i është bashkuar protestës së zhvilluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku prej 11 ditësh qytetarë nga zona të ndryshme të vendit po protestojnë kundër projektit të resortit në Zvërnec dhe kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Salianji u pa mes protestuesve gjatë marshimit dhe qëndrimit para Kryeministrisë, duke tërhequr vëmendjen e pjesëmarrësve dhe mediave të pranishme në tubim. Krah tij ishte edhe Alesia Balliu.
Prania e ish-deputetit demokrat vjen në një moment kur organizatorët e protestës kanë insistuar vazhdimisht se lëvizja duhet të ruajë karakterin e saj qytetar dhe të mos kontrollohet nga partitë politike, megjithëse në tubimet e fundit janë parë edhe figura të njohura të jetës publike dhe politike.
Protesta e kësaj të mërkure u shoqërua me thirrje kundër qeverisë, kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ngritjen e një qeverie tranzitore dhe ndryshime në sistemin politik. Mes sloganëve më të dëgjuar ishin “Rama ik”, “Qeveri e re, rrënjësisht”, si dhe thirrje kundër klasës së vjetër politike.
Mijëra qytetarë po protestojnë në ditën e 11-të, ndërsa kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës si Kryeministër.
Protestës së sotme i janë bashkuar edhe demokratët, ndërsa në mesditë u njoftua se të rinjtë dhe të rejat demokratë do i bashkohen protestës për largimin e Edi Ramës.
Sot protestës iu bashkua edhe Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, dhe babai i tij, Sali Lushaj, ish-truprojë e kreut demokrat Sali Berisha dhe që konsiderohet ndër besnikët e tij.
Gjithashtu në protestë i janë bashkuar grupe të rinjsh dhe të rejash nga FRPD që kanë pasur edhe megafonë. Në momentet kur nga podiumi thirrej herë pas here “Rama në burg, Berisha në burg”, ka pasur reagime nga grupe personash, çka ka detyruar në jo pak raste administruesit e protestës që të shprehen se “jemi për një qëllim të madh, jo përçarje”.
Protestues nga grupime të ndryshme kanë kërkuar largimin e Stresit dhe babait të tij, Sali Lushaj nga protesta. Reagimet kanë qenë të shumta, teksa Lushaj ka shfaur nervozizëm sa herë që hidhej thirrja “Berisha në burg”. Lushaj ndaj këtyre thirrjeve ka reaguar duke ngritur dy gishtat, një symbol i përdorur përgjithësisht nga Partia Demokratike në protestat e saj.
Një nga momentet më emocionuese dhe më të forta të protestës qytetare u shënua nga fjala e një protestueseje, e cila ndau historinë e emigrimit të familjes së saj dhe vështirësitë me të cilat janë përballur shumë shqiptarë në përpjekje për të ndërtuar një jetë më të mirë jashtë vendit.
Duke folur para protestuesve, ajo kujtoi vitet e vështira të emigracionit, kur mijëra shqiptarë largoheshin nga vendi në kërkim të mbijetesës dhe një të ardhmeje më të mirë.
“Kur ne luftonim për mbijetesë dhe kalonim nëpër kamionë e ura për të mbërritur në Angli, na etiketonin si kriminelë. Por fëmijët tanë nuk janë kriminelë, ata janë e ardhmja e këtij vendi”, deklaroi ajo.
Në fjalën e saj, protestuesja akuzoi qeverinë për mungesën e mundësive për të rinjtë dhe krahasoi jetën e emigrantëve shqiptarë me atë të familjeve të pushtetarëve.
“Nuk e kanë problemin anglezët me ne, por e ka ai, pasi kur djali i tij blinte 2 mijë paund shishe në lokale, fëmijët tanë ishin në shtëpi bari për të mbijetuar”, u shpreh ajo mes duartrokitjeve të protestuesve.
Deklarata e saj u prit me reagime të forta nga të pranishmit, ndërsa protesta vijoi me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për ndryshim politik.
Shkrimtari Kim Mehmeti iu drejtua me një mesazh protestuesve në Tiranë, që prej 11 ditësh kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës si Kryeministër.
Revolta qytetare është kundër klasës politike të 36-viteve, ndërsa “Rama në burg, Berisha në burg” është thirrja që shoqëron protestuesit.
Në mesazhin e tij, shkrimtari Kim Mehmeti vlerëson angazhimin e të rinjve në protestë, duke e cilësuar zërin e tyre si një burim shprese jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë shqiptarët.
Ai shprehet se rinia po bën atë që shumë të tjerë nuk kanë mundur ta realizojnë ndër vite, duke ngritur zërin kundër padrejtësive dhe duke kërkuar llogari nga pushteti.
Shkrimtari thekson se të rinjtë kanë të drejtë të kërkojnë përgjegjësi nga brezat e mëparshëm për gjendjen në të cilën ndodhet vendi.
“Jam këtu për të përcjellë një mesazh nga Maqedonia e veriut. Mos pranoni që maskarenjtë të tregojnë se kush jeni. i përulem zërit tuaj, i cili është ilaçi më i mirë i shpresës mbarëshqiptare.
Mos u dorëzoni, sepse nëse ju jeni kundër zhvillimit, vendimin do ta zhvillojnë ata që e vodhën vendin për 35 vite apo mediat që u lëpihen oligarkëve?
Zëri juaj ngërthen thirrjen e shqiptarëve të kudo ndodhur. Shqipëria më shumë ju takon ju se ne që nuk e mbrojtëm dot nga hajdutët dhe zhvatësit, si nuk duhet të harroni që shqiptaria nuk ka pasur kaq shumë maskarenj. Keni të drejtë të na gjykoni se ju vodhëm të ardhmen. Ju jeni heronjtë e mi!”, u shpreh Kim Mehmeti, në mesazhin që u lexua në fillim të protestës.
Një aktivist nga Dukati ka propozuar krijimin e një Kuvendi Kombëtar të aktivistëve gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, duke kërkuar bashkimin e të gjitha grupeve qytetare në një forum të përbashkët, jashtë ndikimit të partive politike.
Duke folur para mijëra protestuesve të mbledhur në Tiranë, ai theksoi nevojën për ruajtjen e unitetit të lëvizjes dhe shmangien e përçarjeve që, sipas tij, mund të dobësojnë kauzën qytetare.
“Më bëhet zemra mal kur ju shoh kaq të shumtë dhe të bashkuar. Kemi pasur shumë debate edhe si aktivistë. Për të shpëtuar protestën duhet të kemi një forum, të mblidhen të gjithë grupet e aktivistëve. Nuk mund ta lejojmë protestën të na përçahet”, deklaroi ai.
Aktivisti propozoi ngritjen e një tryeze kombëtare ku të përfaqësohen të gjitha grupet e aktivistëve, me synimin për të vendosur rregulla komunikimi dhe koordinimi mes tyre.
Sipas tij, në këtë nismë nuk duhet të përfshihen partitë politike, qofshin ato të vjetra apo të reja, në mënyrë që protesta të ruajë karakterin e saj qytetar dhe të pavarur.
“Të mos e nënvlerësojmë këtë pikë. Të ngremë një Kuvend Kombëtar, së bashku, përveç partive politike apo atyre forcave që duken si të reja, por nuk janë siç duken. Ju lutem të gjithëve të mos e ndalojmë protestën, ejani bashkohuni të gjithë, të bashkuar deri në fitore për të ardhmen e fëmijëve tanë”, u shpreh ai.
Fjala e tij u prit me duartrokitje dhe ovacione nga protestuesit, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e protestave edhe në ditët në vazhdim.
Mijëra qytetarë po protestojnë në ditën e 11-të në Tiranë, ndërsa kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit në jo pak raste ka sulmuar protestuesit, ndërsa janë raportuar herë pas here presione që po ushtrohen nga pushteti.
Influenceri Kejd Peza, përmes një postimi në rrjetet sociale, pretendon se videot që lidhen me protestën po përballen me kufizime në TikTok dhe Instagram.
Ai tha se një postim i tij kishte marrë “zero shikime”, çka sipas tij mund të lidhet me algoritmet e platformave. Peza u bëri thirrje influencerëve dhe përdoruesve të rrjeteve sociale të përdorin mënyra alternative për publikimin e videove, duke shmangur disa lokacione dhe hashtagë të caktuar.
Ai ironizoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama, duke thënë se reagimet kundër tij po dëgjohen kudo dhe se jehona e thirrjeve të protestuesve është bërë e pandashme nga atmosfera e qytetit.

“Rama ka ndryshuar algoritmin që të mos dalin videot e protestës në TikTok dhe Instagram, që të mos dalin njerëzit apo videot e protestës. Sapo më ndodhi edhe mua me këtë videon që sapo hodha, “Zero vieës”, por zero them, zero! Dhe ishte shumë e çuditshme, nuk ka asnjë problem me videon. Ju bëj thirrje influencerave dhe të gjithë njerëzve që duan me postu video të protestës, mos përdorni Location.
Vini Tiranë aty, mos vini Shqipëri, por vini Bolonja për shembull ose mos vini asgjë. Hidheni videon me VPN dhe mos përdorni Hashtag “Shqip Albania”, e kuptoni. Përdor shqiptarët nëpër botë, diaspora e gjëra të tilla.
I bëj gjithashtu thirrje influencerave që t’ia postoni apo t’ia bëni repost videot njëri-tjetrit, mundohuni “Fuck You o Rame”, edhe këtë e bëni! A kuptoni se sa i shqetësum është!? Mbeti arrogant, për llajke (like) për llajke, e kuptoni sa i shqetësuar është?
Nuk e di a po ju ndodh edhe ju po jam tuj bë skizofren, ju që bërtisni, mirë bëni që bërtisni, respekte por isha një moment në ballkon këtu dhe se nuk dëgjoj dot se më ushtojnë veshët dhe dua moment qetësie, por sa gjej moment qetësie dëgjoj zëra, dëgjoj: Rama jepe dorëheqjen, Rama jepe dorëheqjen!”, shkruan ai në rrjetet sociale.

Në ditën e 11 të protestës, shqiptarët kanë mbushur Bulevardin para Kryeministrisë duke bërë thirrje për dorëheqje të kryeministrit Edi Rama. Protesta e sotme përkon edhe me përvjetorin e 148-të të Lidhjes së Prizrenit, fakt që u prek edhe nga një protestuese.
Gjatë fjalës së saj në tubim, protestuesja deklaroi se sot Shqipëria ndodhet në të njëjtën situatë dhe kërkon bashkimin e të gjithë shqiptarëve.
“Më 10 qershor 1878 kombi mblodhi shqiptarët në çdo cep. Sot në përvjetorin e 148 në bijtë e tyre jemi po në të njëjtën situatë. Atdheu jon është në rrezik, ndaj jemi këtu, jemi bashkuar për të mbrojtur Shqipërinë nga këta pushtues. Për të mbrojtur, trojet tona, natyrë, për të ardhmen tonë. Sot ne do e bëjmë Shqipërinë një komb të denjë për të jetuar me dinjitet e krenari, një vend ku respektohen të drejtat tona”, tha një protestuese.

Sot është dita e 11 e protestës qytetare, ku mijëra protestues janë bashkuar përtej dallimeve politike, ndërsa kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama. Qytetarët janë mbledhur në sheshin Skënderbej, ndërsa më pas kanë marshuar në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" duke u ndalur poshtë zyrës së Kryeministrit Edi Rama.
Ky i fundit prej ditësh ironizon protestuesit, tallet dhe i sulmon, ndërsa sjellja e tij është interpretuar si humbje qetësie. Veçanërisht Rama ka zgjedhur të sulmojë disa prej vajzave të njohura në rrjetet sociale, që kanë shprehur hapur mbështetjen për protestën.
Dhe sot një prej tyre i ka kthyer përgjigje me të njëjtën monedhë. Një kanoçe, me foton e flamingos, që simbolizon lëvizjen e nisur kundër Edi Ramës, dhe me emërtimin “Ramingo ik”. Vajza shprehet se kjo është pija më e re në treg.
“Kjo është pija më e re që ne influenceret kemi marrë për të reklamuar dhe quhet ‘Ramingo ik”, shprehet vajza.
Rama në daljet e tij publike tha se influencerët që kanë dalë në mbështetje të protestës, akuzojnë shtetin për korrupsion, ndërsa vetë ata nuk paguajnë asnjë taksë.
Qytetarë të mbledhur në Tiranë marshuan për të 11-tën herë drejt Kryeministrisë duke artikuluar thirrje kundër qeverisë dhe opozitës, mes tyre “Rama ik, Berisha ik”, “Edi Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë” dhe “Qeveri e krimit”.
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është mbushur sërish me protestues që po marshojnë drejt Kryeministrisë, duke artikuluar thirrje të forta kundër qeverisë, por edhe ndaj opozitës, në atë që organizatorët e cilësojnë si një lëvizje qytetare të pavarur nga partitë politike.
“Rama ik, Berisha ik”, “Edi Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë”, “Qeveri e krimit”, “Shqipëri e Re”, “Atdheu është i yni” dhe “Atdheu nuk shitet” , janë disa nga sloganet që dominuan protestën e zhvilluar në qendër të Tiranës.
Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, qytetarët marshuan nga Sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë. Sapo arritën para Kryeministrisë, u këndua himni.
Gjatë marshimit nuk munguan as sloganet ironike dhe të ashpra ndaj qeverisë. Mes thirrjeve që tërhoqën më shumë vëmendje ishte edhe "Tepsia do kurban! Poshtë qeveria!", e brohoritur nga protestuesit teksa lëviznin drejt Kryeministrisë. Me këtë mesazh, pjesëmarrësit shprehën pakënaqësinë ndaj qeverisjes aktuale dhe kërkuan largimin e kabinetit qeveritar, duke e lidhur protestën me kërkesat për ndryshim politik dhe zgjedhje të reja.
Një nga kërkesat kryesore të protestuesve, e artikuluar dje ishte ngritja e një qeverie tranzitore, e cila sipas tyre duhet të marrë përsipër organizimin e zgjedhjeve të ardhshme dhe rikthimin e besimit të qytetarëve te institucionet.
Pjesëmarrësit argumentuan se vendi ka nevojë për një shkëputje nga klasa aktuale politike, ndërsa kërkuan që proceset zgjedhore të administrohen nga një strukturë neutrale dhe teknike.
Ndryshe nga protestat tradicionale të karakterit politik, në tubimin e sotëm nuk munguan as mesazhet kritike ndaj opozitës. Disa protestues akuzuan partitë politike se po përpiqen të përfitojnë nga pakënaqësia qytetare, duke kërkuar që protesta të mbetet e pavarur.
“Larg duart nga protesta”, “Mos e përdorni kauzën tonë për politikë” dhe “Kjo është protestë qytetare” ishin disa nga mesazhet e artikuluara gjatë marshimit.
Lëvizja qytetare ka lindur nga kundërshtimi ndaj projektit të parashikuar në Zvërnec, por me kalimin e ditëve është shndërruar në një platformë më të gjerë pakënaqësie ndaj korrupsionit, emigracionit, situatës ekonomike dhe mënyrës së qeverisjes së vendit.
Organizatorët u bënë thirrje pjesëmarrësve të ruanin qetësinë dhe të shmangnin çdo provokim gjatë tubimit, ndërsa theksuan se protesta do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.
Tubime të ngjashme u zhvilluan paralelisht edhe në Lezhë, Fushë-Krujë dhe Lushnjë, ku qytetarët shprehën qëndrime të ngjashme kundër qeverisë dhe situatës politike në vend.
Në përfundim të protestës, pjesëmarrësit ritheksuan kërkesën për ndryshim politik, zgjedhje të lira dhe ndërtimin e asaj që ata e quajtën “Shqipëria e Re”.
Sot është dita e 11 që qytetarët protestojnë kundër politikës së vjetër, ndërsa kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës si Kryeministër. “Rama në burg, Berisha në burg” janë thirrjet që kanë shoqëruar protestën qytetare, ndërsa protestuesit kërkojnë largimin e panegociueshëm të Kryeministrit.
Lidhur me protestën, e cila ka tronditur politikën, gazetarja Klodiana Lala, ka zbuluar disa detaje nga studio e Neës24. Ajo tha se ka tentative për të përccarë protestuesit, por po ushtrohet gjithashtu presion ndaj tyre.
“Një prej personave që foli në protestë kishte një biznes të vogël dhe të nesërmen iu bë presion. Pra deri këtu kanë arritur, pra zoti Rama mund të përdorë të gjithë skenarët për të krijuar tension. Absolutisht ka kauza shumë të forta për të protestuar, miliona euro të vjedhura krimi i organizuar gëlon në këtë vend. Do të thoja që do të duhet të jenë shumë të kujdesshëm”, tha ajo.
Lini një Përgjigje