TAGS-AT E JAVËS

LIVE UPDATES 9 Qershor 2026, 20:00

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra persona kërkojnë dorëheqjen

Shkruar nga Pamfleti
4 ORE ME PARE

“Ku është shëndetësia shqiptare sot?”, gazetari Stafa në protestë: Kjo që po ndodh është histori!

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra
Gazetari Osman Stafa

Në protestën e opozitës, gazetari bëri thirrje për vazhdimin e reagimit qytetar kundër korrupsionit, çmimeve të larta dhe gjendjes në sistemin shëndetësor

Gazetari Osman Stafa ka mbajtur një fjalim gjatë protestës së sotme,  ku ngriti shqetësime për situatën ekonomike, korrupsionin dhe gjendjen e shëndetësisë në vend.

Në fjalën e tij, ai e cilësoi protestën si një ngjarje të veçantë në historinë e tranzicionit shqiptar, duke theksuar se qytetarët po reagojnë ndaj problemeve që, sipas tij, prekin jetën e përditshme të shqiptarëve.

Gjithashtu ai edhe një thirrje për Diasporën që të vijnë në Shqipëri, dhe të bashkohen në protestë për t’i shkuar deri në fund.

“10 ditë qëndresë, 10 ditë shpresë. 10 ditë që ky komb nuk e ka parë në 36 vite. Është protesta që e ka thirrur Shqipëria. Kundër rritjes së çmimeve, situatës në spitale, kundër korrupsionit. Ai është kryeministri, duhet të përgjigjet. Shan e ofendon protestuesit. Ku është shëndetësia shqiptare sot? Shkojmë të gjithë në private, në Itali. Kemi shpresë vetëm tek ju. Diaspora, kjo që po ndodh është histori. Kjo që po ndodh duhet çuar deri në fund. Dorëheqje...”, u shpreh Stafa.

 

4 ORE ME PARE

Mehdi Malkaj nga protesta: E kanë bërë Shqipërinë copë-copë, duhet ta mbrojmë!

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra

Një tjetër aktor i është bashkuar protestës së sotme në Tiranë, në ditën e 10-të të tubimit qytetar kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Aktori i njohur Mehdi Malkaj mori fjalën para protestuesve, duke bërë thirrje për unitet kombëtar dhe angazhim qytetar në mbrojtje të interesave të vendit. Ai u shpreh se Shqipëria është përballur me shumë sfida ndër vite dhe se qytetarët kanë përgjegjësinë për të mos lejuar dëmtimin e saj.

Gjatë fjalës së tij, Malkaj iu drejtua edhe shqiptarëve të Kosovës, duke kujtuar sakrificat e bëra ndër vite për çështjen kombëtare dhe ngritjen e flamurit shqiptar.

“Kanë tentuar ta ç’kyejnë Shqipërinë, e kanë bërë copë-copë. E kemi ne për detyrë ta mbrojmë Shqipërinë tonë. I bëj një thirrje Dardanisë, Kosovës, se edhe ata kanë derdhur shumë gjak për të ngritur flamurin në Vlorë”, u shpreh aktori Mehdi Malkaj.

4 ORE ME PARE

“Nuk doja t’ia shisja shpirtin shejtanit”, Gent Bejko i bashkohet protestës: Karagjozë që bëjnë stand-up me njerëzit

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra

Aktori Gent Bejko iu bashkua protestës qytetare që po zhvillohet para Kryeministrisë, ku mijëra qytetarë janë mbledhur në ditën e 10-të të mobilizimit kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Në fjalën e tij para protestuesve, Bejko akuzoi qeverinë për përpjekje për të përçarë qytetarët dhe i bëri thirrje pjesëmarrësve të mos heqin dorë nga kauza e tyre.

“Regjimi nuk ka ndryshuar. Duan t’ju përçajnë, duan t’ju fusin lloj lloj plehrash. Këta nuk mund të tallen me ne”, deklaroi ai.

Aktori foli edhe për vendimin e tij për t’u larguar nga Shqipëria, duke e lidhur atë me kundërshtimin ndaj sistemit politik.

“Ika nga Shqipëria se nuk doja t’ia shisja shpirtin shejtanit. Këta nuk mund të tallen me lotët e nënave, ndërsa nënat e tyre tregojnë varëset e floririt”, u shpreh Bejko.

Në vijim të fjalimit, ai sulmoi ashpër klasën politike, duke pretenduar se qytetarët po përballen me padrejtësi dhe presione, ndërsa pushteti po humbet kontaktin me realitetin e përditshëm të njerëzve.

“Ne nuk jemi të shitur, këta janë që ia kanë shitur shpirtin shejtanit. Karagjozë që mendojnë se bëjnë stand-up me njerëzit e administratës”, tha aktori.

Bejko kundërshtoi gjithashtu narrativën sipas së cilës Shqipëria ka nevojë për dikë që ta çojë drejt Europës, duke theksuar se qytetarët shqiptarë janë vetë pjesë e vlerave europiane.

“Këta kanë frikë. Thonë kush do na fusë në Europë. Ne jemi Europa, ne jemi europianë”, deklaroi ai mes duartrokitjeve të protestuesve.

Aktori ngriti shqetësimin edhe për largimet nga puna dhe klimën e frikës që, sipas tij, po përjetojnë shumë qytetarë.

“Pushojnë njerëz nga puna... Po nuk folëm ne, kush do flasë? Ne duhet të flasim”, tha Bejko.

Në fund të fjalës së tij, aktori u bëri thirrje protestuesve të ruajnë unitetin dhe të mos lejojnë përçarjen.

“Qëndroni bashkë”, ishte mesazhi me të cilin aktori mbylli fjalimin para turmës së mbledhur në bulevard.

4 ORE ME PARE

“Mos na provokoni”, Gent Progni: Bizneset të ulin qepenët, SPAK të na mbështesë

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra

Aktivisti dhe specialisti i IT, Gent Progni në protestën e sotme që mbahet në Tiranë bëri thirrje që qytetarët të qëndrojnë të bashkuar dhe të mos heqin dorë dhe të luftojnë për të drejtat e tyre.

Ai gjithashtu i bëri thirrje edhe patronazhistë që të qëndrojnë larg, ndërsa theksoi se kanë nisur manipulimin  e algoritmit për të zbehur madhështinë e kësaj proteste. Gjithashtu ai bëri edhe një thirrje për SPAK por jo vetëm.

Kryeministri ka nisur të sulmojë influencerat sepse patornazhistët e tij komentonin dhe manipulonin alogaritmet. Ndaj ai sulmon ata sepse ja ka thyer këto mure. I bëj thirrje SPAK, prokurorëve, gjykatësve që kjo protestë është edhe për ju. Jini të vërtetë sepse po presim të fusni kriminelët dhe të korruptuarit në burg. I bëj thirrje të gjitha bizneseve që kanë presionin tatimor mbi supe, të gjitha dyqaneve të vogla, mbyllini qepenat dhe bashkohuni këtu me ne. I bëj thirrje dhe të gjitha institucioneve rrini larg protestuesve dhe mos bëni presione për ata që marrin pjesë në protestë. Mos na provokoni. Edhe institucioneve ndërkombëtare i bëj thirrje të kenë sy të kjo protestë, për të gjitha ata që bëjnë presione e të mbajnë shënime. Dorëhiqu”, tha ai.

5 ORE ME PARE

Mesazhe nga diaspora në protestën e 10-të: Sot shënojmë fundin e tranzicionit të tejzgjatur

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra

Protesta qytetare para Kryeministrisë ka hyrë në ditën e saj të dhjetë, ndërsa këtë herë zërat e diasporës zunë një vend të veçantë në tubim. Mes pjesëmarrësve ishte edhe studentja shqiptare në Francë, Alba Bajraktari, e cila e cilësoi lëvizjen si një moment historik për vendin.

“Ky është një moment historik. Për herë të parë shqiptarët pas 35 vitesh bëhen bashkë përtej përkatësive politike. Për herë të parë pas 35 vitesh shqiptarët dëshmojnë se Shqipëria është mbi gjithçka”, deklaroi Bajraktari para protestuesve.

Sipas saj, mobilizimi qytetar po dëshmon se shqiptarët janë të gatshëm të mbrojnë interesat e vendit pa u ndarë sipas bindjeve politike.

“Shqiptarët po tregojnë se nuk nëpërkëmben nga askush. Sot shenjojmë fundin e tranzicionit të tejzgjatur. Fytyra europiane e Shqipërisë është kjo protestë, jeni ju. Shqipërisë ne i dalim vetë për zot”, u shpreh ajo.

Studentja shqiptare i bëri gjithashtu thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës në ditët në vijim.

“Gjej rastin të bëj thirrje për çdo shqiptar që të na bashkohet çdo ditë këtu në bulevard. Është një përjetim i kujtdo që e do Shqipërinë vërtet”, tha Bajraktari.

Në protestë mori pjesë edhe një emigrant shqiptar që jeton në Gjermani, i cili u shpreh se ishte kthyer në Shqipëri për t’iu bashkuar lëvizjes qytetare.

“Faleminderit që e bëni të qartë se Shqipëria nuk është pronë private. Sot jam kthyer këtu sepse vendi ka nevojë për ne. I bëj thirrje diasporës të vijmë ne”, tha ai.

Emigranti theksoi se protesta ka tejkaluar tashmë kauzën fillestare të Zvërnecit dhe është shndërruar në një reagim më të gjerë ndaj problemeve të vendit.

“Kjo protestë nisi me Zvërnecin, por është kundër korrupsionit, vjedhjeve dhe varfërisë”, deklaroi ai.

Gjatë fjalës së tij, emigranti renditi edhe disa nga kërkesat e protestuesve, duke përmendur shfuqizimin e Paketës së Maleve, heqjen e ligjit për investimet strategjike dhe krijimin e një qeverie teknike.

“Kërkesat tona janë të thjeshta; hiqni Paketën e Maleve, hiqni ligjin e investimeve strategjike dhe të krijojmë një qeveri teknike. I bëj thirrje Ramës, shqiptarët dhe Shqipëria nuk kanë nevojë për ty. Shqiptarët nuk të duan”, u shpreh ai.

Organizatorët kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa pjesëmarrësit këmbëngulin se lëvizja është qytetare dhe e pavarur nga partitë politike.

5 ORE ME PARE

Nga protesta te zgjedhjet, lëvizja qytetare dorëzon në KQZ draftin për ndryshimin e Kodit Zgjedhor

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra
Pamje nga protesta

Protesta e ditës së dhjetë para Kryeministrisë nuk u fokusua vetëm te kërkesat për largimin e kryeministrit Edi Rama, por solli edhe propozime konkrete për ndryshime në sistemin zgjedhor.

Aktivisti Edmond Gjata, një nga zërat e lëvizjes qytetare që prej ditësh po proteston në Tiranë, bëri të ditur se është dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një draft për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.

Sipas tij, sistemi aktual ka funksionuar për dekada në interes të partive politike, ndërsa synimi i propozimit të ri është që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen me rregulla që vendosin qytetarin në qendër të procesit.

Kemi dorëzuar në KQZ një draft për ndryshime të Kodit Zgjedhor. Shqipëria e re fillon nga zgjedhje të lira dhe të ndershme. Këto zgjedhje në 35 vite janë bërë për partitë, jo për qytetarët. Kodi i ri është kodi i qytetarëve, që shprehin interesat e tyre dhe jo të Edi Ramës. Veprimi qytetar, që përfaqëson interesat e tyre, do të këmbëngulë që në zgjedhjet e ardhshme të shkohet me rregulla të reja loje ku përparësi të kenë qytetarët”, deklaroi Gjata para protestuesve.

Në fjalën e tij, aktivisti ngriti edhe akuza politike ndaj kryeministrit, duke lidhur çështjen e reformës zgjedhore me atë që ai e konsideroi si cenim të interesave kombëtare.

“Pas shitjes së Shën Naumit, Edi Rama guxon të shesë Sazanin”, u shpreh Gjata mes duartrokitjeve të protestuesve.

Deklarata vjen në një moment kur protesta qytetare ka hyrë në ditën e saj të dhjetë dhe po përpiqet të artikulojë jo vetëm pakënaqësinë ndaj qeverisë, por edhe propozime që sipas pjesëmarrësve synojnë të ndryshojnë mënyrën e funksionimit të sistemit politik në vend.

5 ORE ME PARE

Protestuesja para Kryeministrisë: Rama ik, Berisha në burg

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra
Pamje nga protesta

Një qytetare e revoltuar nga mungesa e shërbimeve shëndetësore u bëri thirrje shqiptarëve t’i bashkohen protestës, ndërsa kërkoi largimin e Ramës dhe ndëshkimin e Berishës.

Protesta e ditës së dhjetë para Kryeministrisë vijon të sjellë zëra qytetarësh që shprehin pakënaqësitë e tyre për situatën në vend. Një prej protestueseve mori fjalën para turmës dhe denoncoi atë që e cilësoi si korrupsion në sistemin shëndetësor, ndërsa kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe burgosjen e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Mes brohoritjeve të protestuesve, ajo tha se qytetarët janë ata që kanë fuqinë të ndryshojnë situatën dhe u bëri thirrje shqiptarëve nga të gjitha zonat e vendit t’i bashkohen lëvizjes.

Mirëmbrëma Tirana, Durrësi, Tropoja, Kukësi. Rama ik! Berisha në burg. Jam e revoltuar për shumë arsye. Për spitalet ku të gjithë janë të korruptuar. Ky vend drejtohet vetëm nga ne. Ne e ngritëm këtë njeri, ne mund ta ulim. Ftojmë të gjithë të vinë. Ftojmë të gjitha nënat që presin dritareve që të kthehen fëmijët nga jashtë”, tha protestuesja.

Deklarata e saj u prit me duartrokitje dhe thirrje mbështetëse nga pjesëmarrësit në protestë, ku krahas kërkesës për largimin e kryeministrit, janë dëgjuar vazhdimisht edhe slogane kundër klasës politike në tërësi.

Protesta, që ka hyrë në ditën e saj të dhjetë, vijon të mbledhë qytetarë të moshave dhe profileve të ndryshme, ndërsa mesazhi që përsëritet më shpesh nga folësit dhe protestuesit është kërkesa për ndryshim politik dhe fundin e tranzicionit të zgjatur shqiptar.

5 ORE ME PARE

“E besuam si idealist, na doli iluzionist”/ Kreativitet dhe revoltë në shesh, ja pankartat më pikante (Foto)

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra
Foto nga protesta

Nga sloganet politike te memet virale, protesta e ditës së 10-të u shndërrua në një tribunë satirike ku qytetarët përdorën humorin, ironinë dhe kreativitetin për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë Rama dhe klasës politike.

Edhe ditën e sotme protestuesit kanë dalë para Kryeministrisë, duke shënuar ditën e 10-të të revoltës kundër qeverisë Rama.

Krahas thirrjeve politike, vëmendjen e të pranishmëve e tërhoqën pankartat kreative dhe mesazhet satirike, të cilat u kthyen në një nga elementët më të spikatur të tubimit. Nga ironitë ndaj kryeministrit Edi Rama dhe investimit të planifikuar në Zvërnec, deri te sloganet në shqip dhe anglisht, protestuesit përdorën humorin, memet dhe referencat e kulturës pop për të përcjellë mesazhet e tyre.

Pankarta si “EDI, CTRL + Z se na u bë sistemi error”, “Too much bullshit for one sign” dhe “Ivanka Colombo, you didn't find it baby, it belongs to Albanians”, “E besuam si idealist, na doli iluzionist”, si edhe pankarta ironizuese me shprehjen e avokatit Spartak Ngjela: “O Ramë, a e kemi zërin erotik apo jo?”, ishin ndër më të komentuara në tubimin e sotëm.

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra

5 ORE ME PARE

“Rrjolli do shpëtojë”, shpërthen aktivistja: I kemi prishur rehatinë Ramës dhe atij që drejton opozitën!

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra
Protesta

Një nga fjalimet më të forta në protestën e sotme erdhi nga një aktiviste e Rrjollit, e cila sulmoi si qeverinë ashtu edhe opozitën, duke deklaruar se protestat e ditëve të fundit "u kanë prishur gjumin" drejtuesve politikë.

Duke iu drejtuar protestuesve të mbledhur para Kryeministrisë, ajo tha se qytetarët nuk po ngrihen vetëm për çështjen e Rrjollit apo të pronave, por kundër një sistemi që sipas saj i ka mbajtur shqiptarët peng për më shumë se tre dekada.

"Na vjen keq që ua kemi prishur gjumin kryeministrit dhe atij që pretendon se drejton opozitën, që na kanë marrë peng vendin tonë prej 35 vitesh", deklaroi aktivistja, mes duartrokitjeve të protestuesve.

Ajo theksoi se lëvizja qytetare është e pavarur nga partitë politike dhe përsëriti thirrjet që u dëgjuan gjatë gjithë protestës: "Rama në burg, Berisha në burg". Sipas saj, protesta është kthyer në një bashkim të qytetarëve kundër padrejtësive, korrupsionit dhe mungesës së mundësive për të rinjtë në Shqipëri.

Aktivistja u ndal edhe te situata në Rrjoll, duke pretenduar se banorët janë përballur së fundmi me rrethimin e pronave të tyre me tela me gjemba për shkak të projekteve turistike që po zhvillohen në zonë. Sipas saj, kjo nuk do ta shpërqendrojë lëvizjen nga qëllimi kryesor.

"Ata mendojnë se do të fokusohemi te telat me gjemba dhe do të harrojmë atë që na ka bashkuar. Rrjolli do të shpëtojë kur të largohet kjo qeveri", u shpreh ajo.

Aktivistja: Na thanë se jemi 2000, por unë nuk mund t’ju numëroj, por 2 mijë nuk më dukeni, shumë më shumë se 2 mijë, shumë më shumë se 20 mijë. E gjithë rinia shqiptare është në shesh sonte. Na vjen keq që ua kanë prishur gjumin kryeministrit si atij që pretendon se drejton opozitën, që na kanë marrë peng vendin tonë prej 35 vitesh.

Siç e dini, këto protesta kanë shumë vite që kanë filluar si çështje pronësie, mjedisore, por e mira e kësaj proteste është që të gjithë shqiptarët janë bërë bashkë për ta shpëtuar Shqipërinë nga mafia, nga shteti i kapur nga mafia dhe nga të gjitha padrejtësitë me të cilat jetojmë prej vitesh.

Nga të gjitha ato padrejtësi ku shumë nga bashkëmoshatarët tanë nuk jetojnë më në Shqipëri sepse këtu nuk kanë gjetur mundësinë e meritokracisë për të zhvilluar profesionet e tyre dhe për të pasur një jetë dinjitoze. Ndaj, ne jemi më të fortë se kurrë që ta bëjmë Shqipërinë për të jetuar me dinjitet në këtë shtet. Ne jemi këtu pa parti politike dhe thirrje “Rama në burg, Berisha në burg”.

Jua kemi prishur gjumin keq fare këto kohë, por është më e rëndësishme cilësia e jetës sonë sesa gjumi i atyre që e kanë uzurpuar çdo hallkë të këtij shteti. Ndaj duhet të jemi çdo e më shumë më të fortë.

Sot është dita të mos tërhiqemi nga sheshi pa ikur ata që na kanë marrë peng prej 35 vitesh. Rrjolli është arsyeja pse protestojmë çdo ditë prej katër muajsh. Na thonë se jemi kundër zhvillimit, Rrjolli nuk është kundër kësaj, por kundër grabitjes së pronës. Për të gjithë ambientalistët, është e qartë që Rrjolli është zonë e mbrojtur, është një prej korridoreve ekologjike më të rëndësishme të BE-së dhe ndaj kjo është një thirrje edhe për BE-në që të kthejë sytë nga Rrjolli.

Ai resorti që po ndërtohet aty dhe të tjerët do bllokojnë kanalet ekologjike të shumë shpendëve… Kam një lajm të keq sot, se dje banorët janë zgjuar me tokën e tyre të rrethuar me tela me gjemba dhe e dimë pse e bëjnë, sepse ata pretendojnë se ne do fokusohemi aty dhe do humbim vëmendjen nga ajo që na ka bashkuar, largimi i kësaj qeverie. Rrjolli do shpëtojë kur të largohet kjo qeveri!

5 ORE ME PARE

Artur Meçollari i bashkohet protestës: Rama është kërcënim për sigurinë kombëtare

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra
Pamje nga protesta

Protestës së ditës së dhjetë në Tiranë i është bashkuar edhe Kapiteni i Rangut të Parë, Artur Meçollari, i cili nga sheshi para Kryeministrisë ka artikuluar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama.

Teksa qytetarët vijojnë të kërkojnë largimin e kreut të qeverisë, Meçollari tha se Rama mban përgjegjësi për një sërë projektesh dhe vendimesh që sipas tij kanë dëmtuar ekonominë, mjedisin dhe interesat kombëtare të Shqipërisë.

Edi Rama ka shkatërruar të gjithë Shqipërinë. Aeroporti i Kukësit, asnjë avion nuk ulet e ngrihet. Koncesionari çdo muaj merr paratë nga shteti shqiptar. Porto Romano, pa studim fizibiliteti. Porti i Durrësit është krim shtetëror. Në Palasë dhe Dhërmi e keni parë çfarë ka ndodhur, është tjetërsuar mjedisi. Rama jo vetëm që vjedh pasurinë publike, por është edhe kërcënim për sigurinë kombëtare”, deklaroi Meçollari.

Prania e ish-ushtarakut në protestë vjen në ditën e dhjetë të mobilizimit qytetar në Tiranë, ku protestuesit kanë marshuar sërish drejt Kryeministrisë me thirrjet “Rama ik”, “Duam drejtësi” dhe “Atdheu nuk shitet”.

Gjatë ditëve të fundit protestës i janë bashkuar figura të ndryshme publike, artistë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, ndërsa pjesëmarrësit këmbëngulin se lëvizja ka tejkaluar tashmë një kauzë të vetme dhe është shndërruar në një reagim më të gjerë kundër qeverisë dhe klasës politike.

5 ORE ME PARE

“Rama ik, Berisha ik”, bulevardi jehon kundër kastës së vjetër politike; protestuesit kërkojnë qeveri tranzitore!

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra

Qytetarët marshuan drejt Kryeministrisë me thirrje kundër qeverisë, por edhe me mesazhe të forta ndaj opozitës. Protestuesit kërkuan që lëvizja të mos përdoret nga partitë politike.

“Rama ik, Berisha ik” ishte një nga thirrjet që dominoi protestën e sotme në Tiranë, ku qytetarët u mblodhën për të dhjetën ditë radhazi për të shprehur pakënaqësinë ndaj gjithë klasës politike.

Me mesazhet si “Atdheu është i yni”, “Atdheu nuk shitet” dhe “Shqipëri e Re”, "Ju erdhi fundit", protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë duke kërkuar ndryshim politik dhe largimin e qeverisë.

Po ashtu protestuesit kërkuan ngritjen e një qeverie tranzitore si zgjidhje për krizën politike në vend. Sipas tyre, largimi i klasës aktuale politike dhe organizimi i zgjedhjeve nga një qeveri teknike përbëjnë kushtin kryesor për një ndryshim real dhe rikthimin e besimit të qytetarëve te institucionet.

Gjatë marshimit u dëgjuan gjithashtu thirrje si “Edi Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë”, ndërsa protestuesit kërkuan largimin e qeverisë dhe ndryshime të thella politike në vend.

Por ndryshe nga ditët e para të protestës, në tubimin e sotëm pati edhe mesazhe të drejtpërdrejta ndaj opozitës. Disa prej pjesëmarrësve akuzuan eksponentë politikë se po përpiqen të përfitojnë nga lëvizja qytetare dhe kërkuan që protesta të mbetet e pavarur nga partitë.

“Larg duart nga protesta”, “Mos e përdorni kauzën tonë për politikë” dhe “Kjo është protestë qytetare”, ishin disa nga mesazhet e artikuluara gjatë tubimit.

Në fjalimet e mbajtura para protestuesve u hodhën akuza se përfaqësues të opozitës po tentojnë të ushtrojnë ndikim mbi lëvizjen. Një prej folësve deklaroi se protesta është ngritur për shqetësimet e qytetarëve dhe jo për interesa politike, duke shtuar se “politikanët i ka kapur paniku”.

Ndërkohë, organizatorët vijojnë të insistojnë se lëvizja ka lindur si reagim ndaj investimit të parashikuar në Zvërnec, por tashmë po shërben edhe si platformë për të artikuluar pakënaqësi më të gjera që lidhen me ekonominë, emigracionin, korrupsionin dhe përfaqësimin politik.

Protesta e sotme u zhvillua paralelisht edhe me tubime në Lezhë, Fushë Krujë dhe Lushnje, ku qytetarët shprehën qëndrime të ngjashme kundër qeverisë dhe situatës politike në vend.

Që prej orës 18:00, protestuesit nisën të grumbullohen në Sheshin “Skënderbej”, ndërsa rreth orës 18:30 marshuan drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas drejt Kryeministrisë, duke ndjekur itinerarin e zakonshëm të ditëve të fundit.

Me flamuj kombëtarë në duar dhe pankarta kundër qeverisë, pjesëmarrësit kërkuan largimin e klasës aktuale politike, ndërsa organizatorët bënë thirrje për qetësi dhe shmangie të çdo provokimi gjatë tubimit.

“Të ruajmë qetësinë, mos u provokoni, mos të kemi inskenime. Ruani fëmijët, ju lutemi prindërve që mbajini afër fëmijët gjatë protestës dhe qëndroni të bashkuar”, deklaroi një nga aktivistët që drejtonte marshimin.

Pjesëmarrësit kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur se lëvizja duhet të mbetet qytetare dhe e pavarur nga çdo forcë politike.



5 ORE ME PARE

Protestuesja ironizon Ramën: Na thanë se jemi 2 mijë veta, por ju kemi prishur gjumin

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra

Protesta qytetare kundër qeverisë ka vijuar edhe sot duke shënuar ditën e saj të dhjetë, me qindra qytetarë të mbledhur në Tiranë për të kërkuar largimin e kryeministrit Rama dhe ndryshime në drejtimin e vendit.

Gjatë marshimit, një prej protestueseve mbajti një fjalim kritik jo vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj opozitës, duke akuzuar klasën politike për situatën në të cilën ndodhet Shqipëria pas më shumë se tre dekadash tranzicion.

Protestuesja kundërshtoi gjithashtu pretendimet mbi numrin e pjesëmarrësve në tubim, duke theksuar se lëvizja po fiton mbështetje të vazhdueshme.

“Na thanë se janë 2 mijë veta. Na vjen keq që ju kemi prishur gjumin si kryeministrit, ashtu edhe atij që pretendon se drejton opozitën. Kanë marrë peng vendin prej 35 vitesh. Ne jemi më të fortë se kurrë që ta bëjmë Shqipërinë për të jetuar me dinjitet në këtë shtet. Jemi pa parti politike dhe thirrja ‘Rama në burg, Berisha në burg’ jehon”, deklaroi ajo para protestuesve.

Sipas organizatorëve, protesta mbetet një lëvizje qytetare e pavarur nga partitë politike dhe do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

6 ORE ME PARE

Reuters "bën me dhimbje koke" Ramën, transmeton sërish live protestën

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve "Reuters" ka transmetuar sërish drejtpërdrejt protestën qytetare që po zhvillohet në Tiranë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Marshimi ka hyrë në ditën e tij të dhjetë, ndërsa protestuesit vijojnë të mblidhen çdo ditë në kryeqytet për të shprehur kundërshtimin ndaj politikave të qeverisë dhe për të ngritur shqetësime që, sipas tyre, prekin një gamë të gjerë çështjesh në vend.

Protesta nisi fillimisht si një reagim kundër projektit të investimit në zonën e Zvërnecit, por me kalimin e ditëve është zgjeruar dhe është shndërruar në një lëvizje që përfaqëson pakënaqësi më të gjera qytetare.

Në raportimin e saj, "Reuters" thekson origjinën e protestës dhe lidhjen e projektit me investitorë amerikanë.

“Shqiptarët po protestojnë kundër një resorti luksoz të planifikuar, i mbështetur nga një kompani e lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, në një zonë ekologjikisht të ndjeshme të bregdetit Adriatik”, shkruan Reuters.

Vëmendja e medias ndërkombëtare ndaj protestës është rritur ditët e fundit, ndërsa pjesëmarrësit këmbëngulin se lëvizja e tyre nuk kufizohet më vetëm te çështja e Zvërnecit, por përfaqëson shqetësime më të gjera që lidhen me qeverisjen, mjedisin dhe interesin publik.

6 ORE ME PARE

Mesazh i fortë për Berishën nga protestuesit: Larg duart nga tubimi, mos e përdor kauzën tonë

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra

Protesta e qytetarëve kundër qeverisë ka hyrë në ditën e saj të dhjetë, me pjesëmarrësit që u mblodhën sërish në Tiranë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime politike në vend.

Me pankarta ku shkruheshin mesazhe si “Shqipëri e Re” dhe “Atdheu nuk Shitet”, protestuesit nisën marshimin drejt Kryeministrisë, duke vijuar mobilizimin që prej më shumë se një jave ka mbajtur në qendër të vëmendjes opinionin publik.

Megjithatë, gjatë tubimit të së martës, përveç kritikave ndaj qeverisë, në fokus ishin edhe thirrjet drejtuar kreut të Partisë Demokratike dhe drejtuesve të opozitës, të cilët u akuzuan nga disa protestues se po përpiqen të përfitojnë politikisht nga lëvizja qytetare.

Sipas organizatorëve, protesta synon të ngrejë zërin për të gjitha shqetësimet dhe problemet me të cilat përballet populli shqiptar.

“Sa më shumë flamuj amerikanë që ta marrë vesh bota, se kjo protestë shkon përtej flamingove, është për të gjitha hallet që ka populli shqiptar. Të gjithë ju duhet të ruani qetësinë, sepse politikanët i ka kapur paniku. Edhe opozita, krerët e opozitës po përdorin njerëz për shantazhe, për turp”, u deklarua gjatë protestës.

Pjesëmarrësit këmbëngulin se lëvizja e tyre mbetet qytetare dhe e pavarur nga partitë politike, ndërsa kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave edhe në ditët në vijim.

6 ORE ME PARE

Dita e 10-të e revoltës, Lezha dhe Fushë Kruja dalin në protestë!

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra
Protesta nga Lezha

Protestat kundër qeverisë dhe investimit në Zvërnec po shtrihen në disa qytete të vendit. Përveç Tiranës, tubime qytetare janë zhvilluar edhe në Lezhë, Fushë Krujë dhe Lushnje, ndërsa në kryeqytet protesta ka hyrë në ditën e dhjetë radhazi, me qytetarët që kanë marshuar drejt Kryeministrisë duke kërkuar anulimin e projektit dhe largimin e qeverisë.

Qytetarë të shumtë janë mbledhur në qendër të qytetit të Lezhës, duke shprehur pakënaqësitë e tyre për situatën ekonomike dhe sociale me të cilën, sipas tyre, po përballet vendi.

Gjatë tubimit, protestuesit ngritën një sërë shqetësimesh që lidhen me koston e jetesës, emigracionin, papunësinë dhe kushtet ekonomike. Ata kërkuan largimin e kryeministrit Edi Rama, të cilin e konsiderojnë përgjegjës për gjendjen aktuale.

Me pankarta në duar dhe thirrje kundër qeverisë, qytetarët marshuan në rrugët kryesore të qytetit, ndërsa organizatorët paralajmëruan se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim.

“Shqipërinë po e ndajnë në copa”, ishte shqetësimi i artikuluar sot në Fushë Krujë, ku disa qytetarë u mblodhën në protestë kundër qeverisë. Me flamuj në duar dhe pankarta kundër Edi Ramës, protestuesit, mes të cilëve burra, gra dhe fëmijë, mbajtën fjalime të shkurtra ku shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj establishmentit politik.

Minutë pas minute/ Revolta kundër Ramës nuk ndalet, mijëra
Protesta në Fushë Krujë

 

 

rama doreheqje

Lini një Përgjigje