Prej 11 ditësh në Tiranë, mijëra qytetarë po protestojnë kundër Kryeministrit Edi Rama, të cilit i kërkojnë dorëheqjen. “Rama jepe dorëheqjen, punon kundër interesave të vendit”, është motoja e protestuesve, ndërsa thirrja më e shpejtë është “Rama në burg, Berisha në burg”.
Protesta ka tërhequr vëmendjen e mediave më prestigjoze botërore, ku jo vetëm Reuters, por edhe Associated Press kanë transmetuar “live” në kanalet në youtube, ngjarjet nga Tirana. Kjo do të thotë se pavarësisht se Kryeministri po përpiqet të minimizojë protestën qytetare, duket se jehona ndërkombëtare nuk po arrin të ndalet.
Kjo është hera e parë në 13 vite në pushtet, që Edi Rama po përballet me një protestë qytetare të përmasave të mëdha, që nga organizatorët konsiderohet si revolucioni flamingo.
Për herë të parë, protestuesit e cilësuan Edi Ramën një armik, ndërsa iu kërkua institucioneve të drejtësisë që të veprojnë. “Nëse institucionet e drejtësisë do të veprojnë me shpejtësi ndaj të korruptuarve, do të kenë mbështetjen tonë”, thanë protestuesit.
“Rama ik”, një thirrje e dëgjuar edhe më parë në protestat e thirrura nga opozita, ka shoqëruar protestën qytetare në ditën e 11-të. Gjithashtu protestuesit kanë thirrur “poshtë patronazhistët”, ndërsa janë denoncuar presionet që po ushtrohen ndaj tyre.
“Sa më shumë të shtoni presionet aq më shumë do mblidhemi në shesh”, ishte thirrja që doli në protestën e sotme, teksa në një tjetër mesazh drejtuar Kryeministrit, protestuesit shprehen “ke detyruar fëmijët tanë të largohen nga Shqipëria, tani ne të largojmë ty”.
Protestat nisën në 31 maj në Tiranë, ndërsa u shtrinë në disa qytete kryesore të vendit. Por ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen janë protestat e organizuara në disa nga kryeqendrat europiane, ku protagonistë janë shqiptarët e diasporës.
Lini një Përgjigje