Po aq e komentuar ishte edhe pankarta “Tepsia do kurban”, pranë së cilës shfaqeshin fotografitë e Edi Ramës dhe Sali Berishës, si simbol i kundërshtimit ndaj dy kampeve kryesore politike...
Me mijëra qytetarë po protestojnë në ditën e 11-të në Tiranë, duke kërkuar largimin e Edi Ramës si kryeministër. Protesta nisi në orën 18:00 në sheshin Skëndërbej, që është kthyer në një vendtakim për të gjithë protestuesit, që më pas marshojnë drejt Kryeministrisë, atje ku me një ‘podium’ të improvizuar mbahen fjalimet.
Thirrja e kthyer tashmë në simbol të protestës është “Rama në burg, Berisha në burg”, por edhe ajo “Ju erdhi fundi”, thirrje që i drejtohet politikës së vjetër.
Thirrja e re që ka shoqëruar protestën e sotme ishte gjithashtu drejtuar për Edi Ramën dhe Sali Berishën, që protestuesit i konsiderojnë si “aleatë” që mbajnë njëri-tjetrin në politikë dhe e kontrollojnë tërësisht atë, ishte “O Ramë o fosil, ik me Salën në azil”.
Pankarta tregon Ramën dhe Berishën, i pari me një karrige me rrota dhe tjetri me një mbajtëse, që e përdorin të moshuarit për të ecur.
Po aq e komentuar ishte edhe pankarta “Tepsia do kurban”, pranë së cilës shfaqeshin fotografitë e Edi Ramës dhe Sali Berishës, si simbol i kundërshtimit ndaj dy kampeve kryesore politike.
Mes protestuesve u panë edhe pankarta me tone patriotike dhe historike. Një prej tyre krahasonte Lidhjen e Prizrenit me diasporën shqiptare të ditëve të sotme, me mesazhin: “Prizren 1878, u bënë bashkë shqiptarët e 5 vilajeteve. Tiranë 2026, bëhen bashkë shqiptarët e 5 kontinenteve.”
Një grup studentësh marshuan me pankartën e madhe “Nuk i ke larë akoma hesapet me studentët”, ndërsa mbanin në duar mesazhe si “Kur studentët ngrihen shteti dridhet”, “Pa rininë nuk ka Shqipëri” dhe “Tani është radha jonë”, duke rikthyer në protestë frymën e lëvizjeve studentore.
Nuk munguan as mesazhet kundër vendimmarrjes së qeverisë. Në një tjetër pankartë shkruhej “Toka jonë, vendimi ynë”, ndërsa një tjetër i drejtohej drejtpërdrejt kryeministrit me mesazhin: “Rama, më shkarko po ta mbajti!”, duke ironizuar përplasjet mes qytetarëve dhe institucioneve.
Ndërkohë, një nga pankartat më të detajuara paraqiste edhe një platformë politike me kërkesa konkrete, ku kërkohej “Qeveri e re, rrënjësisht”, shpërndarje e pushtetit, kufizim i mandatit të kryeministrit në 1-2 vite dhe një model qeverisjeje më pranë qytetarëve.
Për shumë pjesëmarrës, pankartat nuk ishin thjesht mjete proteste, por forma më e drejtpërdrejtë për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë, opozitës dhe sistemit politik në tërësi. Në një protestë të mbushur me thirrje dhe slogane, ishin pikërisht pankartat ato që tërhoqën vëmendjen më të madhe dhe u bënë menjëherë virale në rrjetet sociale.
Protestuesit bënë thirrje që zëri i tyre të dëgjohej deri në Surrel, atje ku Edi Rama ka vilën e tij.
Pankarta me e bukur:OSali o fosil ik me Ramen ne Azil