Habilaj, i shpallur në kërkim për trafik të lëndëve narkotike, është lokalizuar në një beach bar në Borsh
Pas disa vitesh në kërkim, policia ka vënë në pranga Moisi Habilajn, një emër i njohur për drejtësinë. Mësohet se arrestimi i tij është kryer në Borsh.
Moisi Habilaj kërkohej nga drejtësia shqiptare dhe ajo italiane prej disa vitesh. Habilaj u arrestua në 2017-n nga policia italiane së bashku me 11 persona të tjerë. Ai u la në arrest shtëpie nga gjykata e Katanias, por kur Apeli shpalli vendimin u zhduk nga banesa ku qëndronte dhe ishte në arrati.
Sipas burimeve, operacioni për ndalimin e tij është kryer nga RENEA, pas lokalizmit në një beach bar në pronësi të të afërmve të tij në Borsh.
Në janar 2019, Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet për Habliajn dhe tre të akuzuarit e tjerë. Ata u akuzuan se në një hark kohor disavjeçar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë kanë trafikuar sasi të mëdha kanabisi drejt Italisë.
Më pas Gjykata e Posaçme firmosi dënimin e Moisi Habilajt me 15 vjet burg për trafik narkotikësh dhe grup të strukturuar kriminal. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi ju reduktua në 10 vjet burg. Dosja u kthye oër rigjykim nga Gjykata e Lartë, por u dha sërish i njëjti dënim.
I pandehuri Nezar Seiti u dënua me 12 vjet dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar ndaj tij zbriti në 8 vjet burg.
Në rigjykimin e çështjes, u pushuan akuzat për dy të pandehurit e tjerë, Maridjan Sulaj dhe Fatmir Minaj, për arsye se ka rezultuar të jenë dënuar me vendim të formës së prerë për të njëjtin fakt penal.
Moisi Habilaj u dënua më parë me 15 vjet heqje lirie nga drejtësia italiane për trafik ndërkombëtar narkotikësh. Prej gati 10 vitesh ai ishte në kërkim nga policia, por vetëm sot është lokalizuar.
Lini një Përgjigje