TAGS-AT E JAVËS

Kronike13 Qershor 2026, 15:26

Arratisje spektakolare në Australi, i burgosuri shqiptar zhduket gjatë ceremonisë mortore

Shkruar nga Pamfleti
Arratisje spektakolare në Australi, i burgosuri shqiptar zhduket gjatë
Orijol Rukaj

Një funeral që duhej të ishte momenti i fundit i lamtumirës për një familje, u shndërrua në skenën e një prej arratisjeve më spektakolare nga sistemi penitenciar i shtetit australian të Viktorias në vitet e fundit.

Orijol Rukaj, 47 vjeç, i akuzuar për trafik droge, u zhduk mes qindra pjesëmarrësve gjatë ceremonisë mortore të vëllait të tij, Sokol Rukaj, në varrezat e Keilor East, duke lënë pas autoritetet australiane pa asnjë gjurmë të tij edhe 48 ditë pas arratisjes.

Sipas mediave australiane, Rukaj kishte marrë leje të posaçme nga autoritetet e burgjeve për të marrë pjesë në funeral nën eskortë nga Qendra Korrektuese Marngoneet. I prangosur dhe nën mbikëqyrje, ai ishte mes personave që mbanin arkivolin e të ndjerit.

Por në momentin kur rreth 300 të pranishëm iu afruan arkivolit për homazhet e fundit, Rukaj u shkëput nga turma dhe u zhduk brenda pak sekondash. Rojet e burgut e kuptuan arratisjen vetëm pasi ai kishte arritur të largohej nga vendi i ngjarjes.

Hetuesit besojnë se i arratisuri u fut në një Toyota Land Cruiser të zezë që ishte parë më herët në zonë. Më pas, dyshohet se ai arriti të hiqte prangat, qoftë duke i prerë me mjete të posaçme, qoftë duke manipuluar mekanizmin e kyçjes.

Megjithëse kërkimet vazhdojnë prej javësh, policia australiane beson se Rukaj mund të jetë ende i fshehur në zonën e Melburnit. Ditët e fundit janë kontrolluar 20 prona dhe janë marrë në pyetje familjarë e bashkëpunëtorë të mundshëm, të cilët janë paralajmëruar se mund të përballen me ndjekje penale nëse rezulton se po e ndihmojnë.

Hetimi është bërë edhe më i vështirë për shkak të dyshimeve se Rukaj ka lidhje me rrjete të krimit të organizuar shqiptar dhe qasje në burime të konsiderueshme financiare.

Sipas autoriteteve, ai kishte motive të forta për t’u arratisur, pasi përballej me akuza për posedim të sasive tregtare të kokainës dhe rrezikonte një dënim të rëndë me burg nëse shpallej fajtor.

Policia dyshon se arratisja ishte planifikuar me kujdes dhe me përfshirjen e disa personave, disa prej të cilëve mund të ndodhen jashtë Australisë. Në fokus të hetimeve janë edhe telefonata të regjistruara në gjuhën shqipe, të zhvilluara para arratisjes, të cilat autoritetet australiane po i përkthejnë dhe analizojnë për të zbuluar detaje të reja mbi organizimin e operacionit.

 

orijol rukajaustrali

Lini një Përgjigje