Policia e Tiranës vijon operacionin për kapjen e Sadik Llanajt, autorit të dyshuar të vrasjes së 28-vjeçarit Ardian Baloshi në Paskuqan.
Gjatë një deklarate për mediat, drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Torba, bëri me dije se për shkak të rrezikshmërisë së lartë të personit në kërkim është ngritur një grup i posaçëm operacional, ndërsa në terren vijojnë kontrollet intensive.
Sipas Torbës, deri më tani janë ushtruar kontrolle në më shumë se 20 banesa, ndërsa në operacion janë angazhuar edhe forcat speciale RENEA.
“Në lidhje me autorin e dyshuar të vrasjes, Sadik Llanaj, gjej rastin të falenderoj qytetarët sepse kemi pasur një bashkëpunim të ngushtë. Për këtë arsye, është ngritur një grup duke marrë parasysh rrezikshmërinë e tij, janë ushtruar mbi 20 kontrolle banesash. Aktualisht vijon puna për kapjen e tij, për shkak edhe të rëndësisë së operacioneve vijojnë të angazhohen forcat RENEA dhe besojmë që shumë shpejt do të kapet ky person. Kemi pasur informacione shumë të vlefshme nga qytetarët”, tha Torba.
Ai theksoi se informacionet e siguruara nga qytetarët kanë qenë të rëndësishme për ecurinë e operacionit, ndërsa Policia e Shtetit vijon kërkimet për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit.
Lini një Përgjigje