Maroku dhe Brazili do të nisin fushatën e tyre në Kupën e Botës me një duel që pritet me interes të madh nga tifozët e futbollit në mbarë botën. Përballja mes dy skuadrave që renditen ndër më të mirat në klasifikimin e FIFA-s ka ringjallur një debat të vjetër në Afrikë: cili komb meriton të quhet “Brazili i Afrikës”?
Pas paraqitjes historike të Marokut në Kupën e Botës në Katar në vitin 2022, ku “Luanët e Atlasit” u bënë kombëtarja e parë afrikane që arriti në gjysmëfinale të një Botërori, shumë analistë kanë nisur të pyesin nëse ky epitet i përket tashmë marokenëve.
Megjithatë, historia e këtij krahasimi nis shumë më herët. Për dekada me radhë, ishte Gana ajo që identifikohej si “Brazili i Afrikës”. Trajneri legjendar ganez, C.K. Giamfi, i frymëzuar nga suksesi i Brazilit të Pele-së dhe Garrinxhas, udhëtoi në Amerikën e Jugut për të studiuar filozofinë dhe metodat e lojës së “Seleçaos”.
Pas kthimit në vendin e tij, ai aplikoi disa prej parimeve taktike braziliane te kombëtarja e Ganës, përfshirë formacionin e famshëm 4-2-4. Rezultatet ishin të menjëhershme: Gana fitoi Kupën e Kombeve të Afrikës në vitet 1963 dhe 1965, duke ndërtuar një identitet të bazuar te futbolli spektakolar dhe sulmues, që i solli pseudonimin e njohur deri në ditët e sotme.
Aktualisht, Maroku renditet në vendin e shtatë të klasifikimit botëror të FIFA-s, vetëm pak pozicione pas Brazilit. Përveç rezultateve, krahasimet mbështeten edhe tek evoluimi i stilit të lojës së kombëtares marokene.
Nën drejtimin e Mohamed Ouahbi, Maroku synon të ndërtojë një futboll më ambicioz, më kreativ dhe më ofensiv. Në qendër të projektit janë zotërimi i topit, lëvizjet pozicionale dhe cilësia teknike, elemente që shpesh janë identifikuar me futbollin brazilian.
Ky profil përforcohet edhe nga talenti individual i futbollistëve si Ashraf Hakimi, Brahim Diaz, Ismael Saibari, Neil El Ajnaui, Ajub Buadi dhe Shemsdin Talbi, të cilët përfaqësojnë një brez me potencial të jashtëzakonshëm teknik.
Megjithatë, shumë ekspertë vlerësojnë se krahasimi ka kufijtë e vet. Brazili mbetet një rast unik në historinë e futbollit, me një identitet të ndërtuar ndër dekada suksesesh dhe me një kulturë futbollistike të veçantë. Në të njëjtën mënyrë, edhe Maroku ka historinë, traditat dhe karakteristikat e tij specifike.
Për këtë arsye, ndonëse sukseset dhe stili i lojës kanë sjellë krahasime të shumta me Brazilin, shumëkush argumenton se Maroku nuk ka nevojë të shihet si “Brazili i Afrikës”, por si një fuqi futbollistike me identitetin e vet të dallueshëm.
Lini një Përgjigje