Brazili nis sonte, në mesnatë sipas orës lokale, rrugëtimin e tij në Kupën e Botës. Kombëtarja e drejtuar nga Karlo Ançeloti bën pjesë në Grupin C, së bashku me Marokun, Skocinë dhe Haitin. Sfida e parë për brazilianët do të jetë pikërisht përballë Marokut.
Në prag të debutimit në turne, Brazili mbetet skuadra me historinë më të pasur në Kupën e Botës, duke mbajtur një sërë rekordesh që e kanë bërë një prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror. Edicioni i këtij viti paraqet një tjetër mundësi për “Seleçaon” që të ruajë dhe të pasurojë trashëgiminë e saj.
Tetë rekordet historike të Brazilit në Kupën e Botës:
1. Kombëtarja me më shumë tituj botërorë
Brazili është skuadra që ka fituar më shumë herë Kupën e Botës, plot pesë herë: në vitet 1958, 1962, 1970, 1994 dhe 2002. Pas tij renditen Gjermania dhe Italia me nga katër tituj secila.
2. Kampion në katër kontinente të ndryshme
Asnjë kombëtare tjetër nuk e ka fituar Botërorin në katër kontinente të ndryshme. Brazili ka triumfuar në Evropë (Suedi 1958), Amerikën e Jugut (Kili 1962), Amerikën e Veriut dhe Qendrore (Meksikë 1970, SHBA 1994) si dhe në Azi (Kore e Jugut/Japoni 2002).
3. Rekordi i fitoreve në një edicion të vetëm
Në Botërorin e vitit 2002, Brazili fitoi të shtatë ndeshjet e zhvilluara, duke vendosur një rekord të veçantë për një kampionat të vetëm.
4. Më shumë fitore në historinë e turneut
“Seleçao” kryeson edhe për numrin total të fitoreve në Kupat e Botës. Në këtë statistikë përfshihet edhe seria rekord prej 11 fitoreve radhazi mes viteve 2002 dhe 2006.
5. Më shumë finale të luajtura
Brazili është kombëtarja që ka arritur më shpesh në finalen e Kupës së Botës, duke lënë pas edhe Gjermaninë në këtë renditje.
6. Sulmi më produktiv në histori
Brazilianët mbajnë rekordin për numrin më të madh të ndeshjeve me gola të shënuar në Botëror, duke realizuar në 97 takime të ndryshme dhe duke grumbulluar gjithsej 237 gola.
7. Rekordi i Pele-së
Legjenda e futbollit botëror, Pele, mbetet lojtari më i ri që ka fituar Kupën e Botës dhe që ka shënuar në një finale. Ai e arriti këtë sukses në vitin 1958, në moshën 17 vjeç e 249 ditë.
8. Më shumë gola nga jashtë zonës
Brazili kryeson gjithashtu në statistikat e golave të shënuar nga distanca, duke qenë skuadra me numrin më të lartë të realizimeve nga jashtë zonës në historinë e Kupës së Botës.
Me një histori të mbushur me suksese dhe rekorde, Brazili hyn në Botërorin 2026 me synimin për të shtuar një tjetër kapitull të artë në historinë e tij, duke nisur nga përballja e parë ndaj Marokut.
Lini një Përgjigje