Miroslav Klose mendon se Kampionati Botëror 2026 mund të shënojë fundin e rekordit të tij historik si golashënuesi më i mirë në historinë e Botërorëve. Ish-sulmuesi i Gjermanisë, i cili realizoi 16 gola në fazat finale të Kupës së Botës, ka deklaruar se është plotësisht i gatshëm të shohë emrin e tij të zëvendësohet në krye të kësaj statistike.
Në një intervistë të fundit, Klose vlerësoi veçanërisht Lionel Mesin, i cili aktualisht ka shënuar 13 gola në Botërorë dhe ndodhet vetëm katër realizime larg rekordit të gjermanit.
“Besoj se ky është viti kur rekordi im do të thyhet. Rekordet janë vendosur për t’u thyer dhe unë nuk kam asnjë peng. Përkundrazi, do të isha shumë i lumtur nëse këtë do ta arrinte një lojtar si Lionel Mesi. Ai është i mirëpritur ta bëjë këtë”, deklaroi Klose.
Kapiteni i Argjentinës, i cili udhëhoqi kombëtaren e tij drejt triumfit në Kupën e Botës “Katar 2022”, pritet të jetë një nga figurat më të ndjekura edhe në turneun e ardhshëm, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.
Rekordi që qendron prej vitit 2014
Klose u bë golashënuesi më i mirë në historinë e Botërorëve gjatë Kupës së Botës 2014, kur në gjysmëfinalen e famshme ndaj Brazilit kaloi shifrën prej 15 golash të brazilianit Ronaldo Nazario. Që nga ajo kohë, asnjë futbollist nuk i është afruar më shumë rekordit të tij sesa Lionel Mesi dhe Kilian Mbape.
Sulmuesi francez, i cili ka shënuar 12 gola në vetëm dy pjesëmarrje në Kampionate Botërore, konsiderohet gjithashtu një kërcënim serioz për fronin e Kloses. Megjithatë, gjermani e sheh Mesin si favorit për ta realizuar këtë arritje, veçanërisht nëse argjentinasi vendos të marrë pjesë në Botërorin 2026.
Turneu i ardhshëm pritet të jetë jo vetëm një spektakël futbolli, por edhe një garë për statistika historike, ku mund të ndryshojë renditja e golashënuesve më të mëdhenj që ka njohur ndonjëherë Kupa e Botës.
Lini një Përgjigje