Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, feston sot 80-vjetorin e lindjes me një aktivitet të madh dhe spektakolar në Shtëpinë e Bardhë, ku do të zhvillohen ndeshje të arteve marciale të përziera (MMA). Organizimi mban emrin “UFC Freedom 250” dhe ka shkaktuar reagime në Shtetet e Bashkuara, kryesisht për karakterin e tij spektakolar.
Aktiviteti do të zhvillohet në ambientet e jashtme të Shtëpisë së Bardhë dhe do të përfshijë ndeshje me pjesëmarrjen e sportistëve të arteve marciale në një kafaz të posaçëm tetëkëndësh. Sportistët do të garojnë përpara mijëra spektatorëve.
Ngjarja është pjesë e festimeve për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së, por përkon edhe me ditëlindjen e Donald Trump, gjë që i ka dhënë edhe më shumë vëmendje publike. Kostoja e organizimit arrin në 60 milionë dollarë, ndërsa, sipas Shtëpisë së Bardhë, shpenzimet nuk do të mbulohen nga taksapaguesit. Programi përfshin gjithashtu banda ushtarake, fluturime të avionëve luftarakë, demonstrime të parashutistëve dhe një finale të madhe me fishekzjarrë. Paralelisht, në një pikë qendrore të Uashingtonit, në National Mall, do të vendosen ekrane gjigante për publikun.
Vetë Donald Trump ka deklaruar se bëhet fjalë për një “festë unike” në nder të vendit dhe sportistëve. Nga ana tjetër, përfaqësues të UFC-së theksojnë se aktiviteti është thjesht sportiv dhe nuk ka karakter politik.
Në aktivitet do të marrin pjesë luftëtarë të njohur, si Michael Chandler dhe Ciryl Gane, të cilët theksojnë se për ta prioritet mbetet sporti.
Megjithatë, organizimi ka shkaktuar reagime, pasi shumë e konsiderojnë atë të tepruar dhe të papërshtatshëm për Shtëpinë e Bardhë, veçanërisht në një periudhë tensionesh ndërkombëtare dhe presionesh ekonomike. Pavarësisht padive të paraqitura nga banorë që kërkonin ndalimin e tij, një gjykatë i ka rrëzuar ato.
Ngjarja ka rikthyer gjithashtu në qendër të debatit diskutimet për shëndetin dhe imazhin e presidentit, ndërsa komentues të ndryshëm theksojnë se ai përdor gjerësisht ngjarje spektakolare për promovim politik.
Lini një Përgjigje