TAGS-AT E JAVËS

Kronike16 Qershor 2026, 17:00

SPAK zbërthen skemën e pastrimit të parave të kokainës, si u përdor kompania e Isa Aliut për të futur milionat në ndërtim

Shkruar nga Pamfleti
SPAK zbërthen skemën e pastrimit të parave të kokainës,
SPAK- Foto ilustruese

Grupi që trafikoi të paktën 50 tonë kokainë në Europë dyshohet se investoi fitimet në pasuri të paluajtshme, hotele dhe kompani ndërtimi. Në qendër të skemës del “Aliu Road House”, kompania që sipas SPAK shërbeu për të justifikuar paratë cash të ardhura nga trafiku i drogës.

Pas goditjes së grupit kriminal që sipas SPAK ka trafikuar të paktën 50 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian, hetimet kanë zbuluar edhe mekanizmin përmes të cilit fitimet e aktivitetit kriminal futeshin në ekonominë shqiptare.

Në qendër të skemës së pastrimit të parave del Isa Aliu, i konsideruar nga hetuesit si një nga personat kyç për integrimin e miliona eurove të drogës në sektorin e ndërtimit, pasurive të paluajtshme dhe aktiviteteve të tjera tregtare. Aliu rezulton mes personave të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të sotëm të SPAK.

Sipas dosjes hetimore, një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës janë transferuar në Shqipëri në formë cash, duke shmangur sistemin bankar në fazën e parë. Më pas, këto para janë investuar në prona, kompani ndërtimi, hoteleri, konsulencë dhe shoqëri të tjera tregtare me qëllim fshehjen e origjinës së tyre kriminale.

Hetimet tregojnë se kompania “Aliu Road House”, në pronësi të Isa Aliut, ka luajtur rol të rëndësishëm në këtë skemë. SPAK thotë se pas injektimit të shumave të mëdha cash në llogaritë e kompanisë gjatë muajve maj-qershor 2021, shoqëria nisi aktivitetin në sektorin e ndërtimit.

Sipas hetuesve, lëvizja nuk ishte rastësore. Dyshohet se Isa Aliu orientoi që kompania të shfaqej fillimisht si nënkontraktore në ndërtimin e banesave, me qëllim që të mos tërhiqte menjëherë vëmendjen e institucioneve ligjzbatuese. Në këtë mënyrë krijohej një mbulesë e ligjshme për hyrjen e vazhdueshme të parave cash dhe zgjerimin e mëvonshëm në sektorin e ndërtimit.

SPAK ka ngritur dyshime se skema e pastrimit të parave është realizuar përmes blerjes fiktive të kuotave në kompani të ndryshme, me çmime shumë herë më të ulëta se vlera reale. Kjo metodë i lejonte grupit të merrte kontrollin e shoqërive tregtare me kosto minimale dhe të kanalizonte fondet me origjinë kriminale në ekonomi.

Një tjetër mekanizëm i përdorur, sipas dosjes, ishte qarkullimi i fondeve përmes huave mes personave fizikë dhe kompanive të lidhura me grupin. Kjo krijonte një histori ekonomike artificiale, duke e bërë më të vështirë gjurmimin e origjinës së parave dhe duke lehtësuar integrimin e tyre në sistemin financiar formal.

Hetimet kanë zbuluar se grupi kriminal ka operuar në Shqipëri, Brazil, Belgjikë dhe Holandë gjatë viteve 2019-2021. Sipas SPAK, ekzistojnë prova që organizata ka trafikuar të paktën 50 tonë kokainë, ndërsa në pesë episode të dokumentuara janë sekuestruar në total 8 tonë e 960 kilogramë drogë në Belgjikë, Holandë, Kolumbi dhe Ekuador.

Paralelisht me masat e sigurisë, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestro preventive mbi 491 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të cilat dyshohet se janë krijuar ose financuar me të ardhura që burojnë nga trafiku ndërkombëtar i kokainës. Sipas SPAK, pikërisht investimet në ndërtim, turizëm dhe pasuri të paluajtshme kanë qenë hallka kryesore që ka mundësuar transformimin e fitimeve të drogës në pasuri me pamje të ligjshme.

 

spak isa aliu

Lini një Përgjigje