Skënder Nika, i cili u dhunua mëngjesin e së mërkurës pranë banesës së tij në fshatin Arst të Bashkisë Fushë Arrëz, ka dhënë dëshminë e tij mbi ngjarjen, duke treguar se u sulmua nga pesë persona të maskuar teksa po kthehej nga puna.
Sipas Nikës, autorët mbanin veshje të ngjashme me ato të forcave RENEA dhe fillimisht iu prezantuan si punonjës policie.
Nika tha se nuk ka kuptuar çfarë ka ndodhur më pas, pasi autorët kanë nisur ta godasin menjëherë.
Sipas tij, konflikti i vetëm që mund të lidhet me ngjarjen është një përplasje e ndodhur katër ditë më parë me një familje në fshat për çështje që lidhen me kultivimin e dredhëzave.
“Isha duke u kthyer nga puna nga HEC-i. Më kanë dalë pesë persona përpara dhe më thanë ndal Policia. Kam ndaluar ishin me maska dhe rroba të ngjashme me ato të RENEA-s. Njëri kishte automatik të tjerët shkopinj gome. Nuk di çfarë ka ndodhur vetëm më kanë qëlluar. Dhe di që më kanë thënë një herë mos bërtit pastaj ka dalë gruaja dhe e kanë rrahur dhe atë.
Para katër ditësh kam pas një konflikt me një familje në fshat për dredhëza. Me të njëjtët kam pasur dhe 4 vite më parë, më kanë akuzuar se kam spiunuar. Kam kërkuar ti betohem e kam bërë çdo gjë që nuk kam paditur e spiunuar asnjë por nuk kanë pranuar. I vetmi konflikt ky është”, thotë ai.
Ngjarja ndodhi në fshatin Arst, ku Skënder Nika dhe bashkëshortja e tij, Bardhe Nika, u dhunuan nga persona ende të paidentifikuar. Pas sulmit, çifti u transportua në spital, ku po marrin ndihmë mjekësore, ndërsa policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorëve.
Lini një Përgjigje