Guardia di Finanza e Vicenzës ka goditur një rrjet të dyshuar të trafikut të drogës, duke sekuestruar një sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike dhe duke vënë në pranga dy persona.
Operacioni u zhvillua pranë qytetit Recoaro Terme, ku autoritetet italiane zbuluan dhe sekuestruan 11.4 kilogramë marijuanë, si dhe një sasi kokaine dhe para të gatshme që dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti i paligjshëm.
Në pranga ranë një shqiptar 25-vjeçar dhe një italian 65-vjeçar, banues në provincën e Vicenzës. Sipas autoriteteve, arrestimi i tyre u bë gjatë një shkëmbimi të dyshuar droge.
Gjithçka nisi gjatë një patrullimi rutinë në orët e mbrëmjes, kur efektivët e Guardia di Finanza vunë re italianin 65-vjeçar duke iu afruar dhe më pas duke hyrë në automjetin e drejtuar nga shqiptari, i cili ishte i parkuar pranë Recoaro Terme. Sipas hetuesve, italiani mbante me vete një shumë të konsiderueshme parash.
Të dyshuar nga lëvizjet dhe rrethanat e takimit, oficerët vendosën të kryenin kontroll ndaj personave dhe automjetit. Gjatë kontrollit, ata zbuluan 10 pako me marijuanë me peshë totale 11.4 kilogramë, të fshehura në një ndarje të posaçme me fund të rremë brenda mjetit.
Kontrollet e mëtejshme çuan në zbulimin e 57.1 gramëve kokainë dhe 5,500 eurove cash në posedim të shtetasit italian. E gjithë sasia e drogës dhe paratë u sekuestruan nga autoritetet.
Sipas mediave italiane, të dy personat u arrestuan nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike dhe më pas u transferuan në burgun e Vicenzës, në pritje të procedurave gjyqësore.
Lini një Përgjigje